Faqja e internetit e RTK-së është njëri ndër projektet më të reja të lansuara në Televizionin e Kosovës. Kjo faqe ka filluar të funksionojë që nga 29 korriku i vitit 2002. Në atë kohë lansimi i saj u bë me një staf modest që përbëhej prej një redaktori dhe një webmasteri. Fillimisht faqja përmbante informacione të përgjithshme për RTK-në, lajme ditore , video lajme me kualitet të lartë, si dhe me rubrikat mbi emisionet e RTK-së. Faqja rtklive ka dy linka të radiove që veprojnë në kuadër të RTK-së: Radio Kosova dhe Blue Sky në të cilat vizitorët mund të kyçen drejtpërdrejt.
Ndërkohë me pasurimin e faqes së internetit kjo njësi u kompletua me një staf prej katër punëtorësh: me producentin ekzekutiv, webmasterin, gazetaren dhe asistent webmasterin e faqes.
E tërë kjo është bërë me qëllim që lajmet ditore të azhurohen në kontinuitet, të emetohen emisione speciale në video formate, të lansohen ngjarje të rëndësishme – përfshirë vizitat e personaliteteve të larta në Kosovë, takimet e KS të OKB –së për Kosovën e aktualitete të tjera.
Anketat javore konceptohen në bazë të temave aktuale që shtjellohen në jetën politike, shoqërore, ekonomike në vend dhe në botë. Krahas kësaj edhe temat e komenteve në të cilat vizitorët e RTK-së mund të komentojnë lirshëm mbi temat që preokupojnë shoqërinë tonë.
Prej 17 nëntorit faqja e internetit e RTK-së rikonceptohet me një dizajn dhe përmbajtje të re. Faqja është pasuruar me shumë rubrika dhe linka të rinj, në funksion të komunikimit më të mirë të faqes me vizitorët. Janë shtuar faqet interaktive, ku do të ketë “dhoma të diskutimeve”, këshilla mbi bukurinë, këshilla mjekësorë, gatojca, horoskopi, karikatura e ditës, barcoleta e ditës. Përpos kësaj do të ketë edhe informator ditor, pastaj rubrika çka emetohet aktualisht në programin e RTK-së, skema programorë në gjuhën angleze e shumë rubrika të tjera të cilat besojmë se e bëjnë këtë një faqe tejet aktraktive dhe shumë të vizituar.
Ndërkohë, në vitin 2003 rtklive. com ka arritur të mbledh 2.904.913 vizitorë me 9.257.480 faqe të vizituara. Duke marrë parasysh që sistemi i numërimit ka qenë “Një IP për 24 orë” numri i vizitorëve dhe faqeve të shikuara realisht është dukshëm më i madh . Kjo madje për shkak të numrit të limituar të IP-ve në Kosovë dhe për shkak të frekuentimit të lartë brenda ditës nga e njëjta IP.
Duke hyrë në vitin 2003 me një server të vetëm, rtklive.com po e starton faqen e re me kapacitete prej tre serverësh, dy prej të cilëve përdoren eksluzivisht për video on demand, ndërsa njëri për fajllat e tjerë. Me këtë kemi arritur ta rrisim vazhdimisht numrin e vizitorëve dhe cilësinë e shërbimeve. Prej 10.000 vizitorë sa kemi pasur ditën e parë kur u lansua kjo faqe, ky numër kurrë nuk ka rënë nën 8.000 ndërsa ka arritur edhe në 14.000. Numri mesatar i vizitorëve që janë duke e shikuar faqen e lajmeve është 142 ndërsa amplituda e kësaj statistike sillet prej 70 deri në 370. Poashtu duke iu falenderuar investimeve hardverike, vizitorët tanë nuk ballafaqohen me ndërprerje të sinjalit të video lajmeve. Serveri i dedikuar për lajme ka link prej 100mb/s dhe arrin ti shërbejë deri në 400 shikues konkurrent të sinjalit prej 256kb/s ose rreth 1600 me kualitet prej 64kb/s në të njejtën kohë.
Faqja rtklive.com mëton të jetë në hap me kohën , duke sjellë lajmet më të reja nga Kosova rajoni e bota. Rtklive.com me dizajn e përmbajtje të re iu sjell edhe shumë supriza të tjera.
Për këtë do të keni rast të bindeni edhe vetë. Për ta bërë këtë faqe sa më atraktive na nevojitet bashkëpunimi me ju vizitorë të nderuar. Na shkruani për të gjitha vërejtjet, sugjerimet e propozimet në adresën tonë: post@rtklive.com.
Njësia e web-faqes.
|