AAB fuqizohet në ndërtimin e standardit shëndetësor

AAB fuqizohet në ndërtimin e standardit shëndetësor

Është nënshkruar marrëveshja për partneritetet në mes Kolegjit AAB dhe Institutin për Studime Strategjike dhe Trajnime ISSAT, për trajnim të studentëve të infermierisë.

Kjo marrëveshje po shihet si një mundësi e mirë për ndërtimin e një standardi shëndetësor, standard ky i cili tashmë është bërë sfidë për Kosovën.

Në inaugurimin e ceremonisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani i cili tha se ministria të cilin ai drejton dhe Qeveria e Kosovës janë të interesuar që të krijojnë mundësi të reja për të gjithë ata që duanë të kapin dije të reja dhe për ata që duan ta perfeksionojnë dijen e tyre.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës është e interesuar që të krijoj mundësi të reja, të krijoj mundësi për të gjithë ata që duan të kapin dije të reja, dhe për të gjithë ata që duan të perfeksionojnë dijen e tyre sepse Kosova ka nevojë për dije më shumë, Kosova ka nevojë për shërbime cilësore shëndetësore, dhe Kosova ka nevojë për më shumë shërbime. Kosova ka një rini e cila ka vullnet dhe është e aftë të zë të gjithë hapat me kolegët dhe moshatarët anë e mbanë Evropës...edukimi i vazhduar shëndetësor është një nga kompetencat që do t’i bartet shumë shpejtë odës të profesionistëve shëndetësor. Sot ne këtu po krijojmë një mundësi më shumë për infermierët tanë, sot do të kenë mundësi më shumë për edukim të vazhduar mjekësor”, tha ministri Rrahmani.

Ndërsa, prorektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, tha duke zhvilluar partneritet të tilla Kolegji AAB po vazhdon ta fuqizojë rolin e tij të rëndësishëm në mesin e komunitetit akademik.

“Duke zhvilluar partneritete të tilla, AAB vazhdon të fuqizoj rolin e vet të rëndësishëm në mesin e komunitetit akademik, duke i ofruar tregut të punës kuadro të kualifikuara dhe kompetentë për t’u përballur me nevojat dhe sfidat që parashtrohen para tyre...jemi të vetëdijshëm që sistemi shëndetësor është duke u përballur me sfida të ndryshme që shpesh vihen në cilësinë e kujdesit shëndetësor... ky trajnim dhe trajnimet e ardhshme, fryt i bashkëpunimit të dy institucioneve, do të ndihmojnë në rritjen e niveleve të njohurive dhe shkathtësive me qëllim të avancimit të nevojave shëndetësore të popullatës gjatë gjithë ciklit jetësore”, tha Vehapi.

President i Institutit “ISSAT” Jorge Jeha tha se po e ndien vetën dy herë shqiptarë, herën e parë gjatë themelimit në Shqipëri dhe tash në Kosovë.

“Po e ndjej veten dy herë shqiptar, herën e parë gjatë themelimit në Shqipëri, dhe sot gjatë themelimit në Kosovë. Ndjehem krenar, i lumtur me vendosshmëri të plotë që ta bëjmë të njëjtën që e kemi bërë atje dhe të përfitojmë përbrenda kësaj marrëveshjeje dhe këtij koncepti të bashkëpunimit që i sjellë më afër institucionet tona. AAB-Riinvest ka performancë të lartë internacionale duke kontribuar me edukim në më shumë sesa të ardhmen. Një vizion që sjellë vlera, vlera të kombinuara internacionalist Evropa”, tha Jeha.

Zëvendësministrja e arsimit të Shqipërisë, Nora Malaj, tha se me këtë marrëveshje do të ndërtohet një standard për kualifikim ndërkombëtar të standardizuar.

“Duke nënshkruar një nga marrëveshjet më të bukura, në rrugëtimin e standardit të nevojës që kemi të gjithë bashkë, për të kuptuar se dy institucionet si motra me një vizion të përbashkët dhe me një qasje ndërkombëtar dhe me një standard të një rrugëtimi të dyja së bashku prej 12 vite e më shumë sot nënshkruajmë marrëveshjen duke dhënë bekimin jo vetëm në rrugëtimin e tyre por duke e kuptuar që nëse të gjithë së bashku operojmë dhe ndërtojmë standardin për një kualifikim ndërkombëtar të standardizuar  ne mund të realizojmë produktin që të gjithë së bashku e duam”, tha Malaj.

Kurse, drejtoresha e Instituti “ISSAT”, Ilda Mejdani është shprehur se ADN-në e Institutit “ISSAT” do ta sjellin edhe në Kosovë.