Bosch paguan 327,5 milionë dollarë dëmshpërblim

Kompania gjermane që prodhon pajisje për automjete “Bosch” njoftoi sot se do të paguajë në SHBA 327,5 milionë dollarë (rreth 305 milionë euro) si dëmshpërblim tek përdoruesit dhe shitësit e veturave në kuadër të skandalit “Volkswagen” me motorë diesel të trukuar.

“Bosch ka arritur me palët akuzuese një marrëveshje në SHBA për zgjidhjen e shumicës së padive civile në lidhje me veturat diezel të markave Volkswagen, Audi dhe Porsche”, njoftoi grupi gjerman.

“Bosch” akuzohet se ka ndihmuar “Volkswagen” të fshehë ekzistencën e pajisjes së paligjshme që ai vetë e kishte furnizuar.

Kjo pajisje i mundësonte 11 milionë veturave në botë që gjatë kontrolleve të dilnin më pak ndotëse nga realiteti.