Stilisti Posen heq dorë nga pasarela

Stilisti Posen heq dorë nga pasarela

Stilisti i njohur amerikan Zac Posen ofroi një prezantim të pazakontë të koleksionit të tij “Vjeshtë 2017”, duke hequr dorë nga pasarela tradicionale në javën e modës në Nju Jork.

Në vend të saj, ai zgjodhi një prezantim të stilit të ekspozitës në një fabrikë të vjetër në Tribeka, të cilën stilisti e ka shfrytëzuar për 13 vite para se të zhvendoste biznesin e tij në qendër të Manhattanit.

Plot 22 portrete, foto të modeleve që mbanin koleksionin e tij të ri, ishin varur përreth hapësirës, njësoj si në një eksopozitë arti. Fotografitë ishin realizuar në apartamentin e prindërve të Posen, aty ku është rritur stilisti. Dizenjatori thotë se kishte zgjedhur këtë lloj formati jokonvencional, i ndikuar nga atmosfera politike në SHBA.

“Mendoj se i përshtatet kontekstit aktual në botë dhe u jep njerëzve mundësi të komunikojnë. Në një shfaqje mode askush nuk flet me tjetrin, ndërsa unë desha që njerëzit të shohin veshjet e në të njëjtën kohë të dialogojnë”, tha ai.

Linja e re dominohej nga ngjyra blu marin, e kuqja dhe smeraldi, e gjithashtu fustanet voluminoze e ato të koktejit. Java e modës në Nju Jork mbyllet të enjten, më 16 shkurt.

/ Top Channel