Thaçi në vënien e gurthemelit në Merdare, Serbia do të njoh pavarësinë

Thaçi në vënien e gurthemelit në Merdare, Serbia do të njoh pavarësinë

Krerët e lartë të shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova , ministrja për Dialog, Edita Tahiri kanë marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të gurthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi me këtë rast tha se me dialogun që zhvillohet në Bruksel Kosova po forcon subjektivitetin shtetëror dhe se me Serbinë do të ketë njohje të raporteve ndërshtetërore dhe njohje reciproke të dy shteteve.

Ai tha se shteti i Kosovës mbetet i përkushtuar për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave , jo vetëm brenda Kosovës por edhe më shtetet fqinjë sikurse është sot me Serbinë. 

“Vënja e këtij gurthemeli është edhe një dëshmi tjetër se kemi ndjekur rrugën e dialogut, ndoqëm rrugën e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit.  Kosova gjithmonë e ka respektuar lirinë e lëvizjes dhe për këtë kemi nënshkruar marrëveshje në Bruksel për  lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime”, ka thënë Thaçi.

Zyra e BE-së në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e dialogut mbi Menaxhimin e Integruar Kufitar (IBM), do të financojë tri pika kalimi kufitare permanente në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Merdarë, Mutivodë dhe Bërnjak, me një vlerë prej 9.42 milion euro.  

Autor: Lumturie Blakaj