Komuna e Prishtinës seancë solemne pa kryetarin

Komuna e Prishtinës seancë solemne pa kryetarin

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot ka mbajtur një seancë solemne për nder të nëntë vjetorit të Pavarësisë.

Seanca solemne në të cilën mungonte kryetari i komunës Shpend Ahmeti ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar të gjitha ata që kanë rënë për liri dhe pavarësi.    

Kryesuesi i Kuvendit Komunal Halim Halimi me këtë rast ka mbajtur një fjalë rasti ku tha se pavarësia e Kosovës është kontribut i popullit shqiptar të Kosovës ndër shekuj. Me këtë rast ai ka përmendur ish-presidentin e ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova, komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari, Zahir Pajazitin dhe dëshmorët tjerë.

 “Dita e pavarësisë së Kosovës, është ditë e përkujtimit për të gjithë ata që në kohë dhe rrethana të ndryshme , sakrifikuan për këtë ditë të çmuar dhe dhanë gjithçka nga vetja e tyre. Sakrifikuan jetën , dijen, pasurin, u burgosën , u dëbuan u persekutuan nëpër burgje , vetëm e vetëm që një ditë në Kosovë të festojmë lirinë dhe pavarësinë. Kjo ditë është 17 Shkurti i vitit 2018. Shpallja e pavarësisë së Kosovës , ishte kurorëzim i rrugëtim dhe një sakrifice të gjatë . I një rrugëtimi , dhembshurie  për popullin shqiptar...E gjithë kjo u arrit fal kontributit dhe sakrificës të presidentit të parë historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, i  cili krijoi themelin e shtetit të Kosovës. Kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitit e shumë shumë trima të tjerë të lirisë”, tha Halimi.

Festën e Pavarësisë e ka uruar edhe drejtori i Administratës të komunës Muhedin Nushi. Por me këtë rast ai tha se festa është e zbehtë pasi që në Kosovë mungon  komandanti i UÇK-së për zonën e  Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

 “Nëntë vjet më parë , Parlamenti i Republikës së Kosovës , vendosi që data 17 Shkurti përgjithmonë të vendoset në kujtesën e  kombit shqiptar. Kjo datë konfirmoi aspiratat shekullore të popullit tonë dhe përcaktoi dëshirën e qytetarëve tanë se ata duan të jetojnë  në një Kosovë të lirë dhe të pavarur....Le t’i kujtojmë sot të gjithë ata njerëz të guximshëm , burra dhe gra të cilët nuk hezituan për të mbrojtur shtëpinë e tyre dhe atdheun e tyre. Në luftën e cila na u imponua, ata i dhanë Kosovës atë që kishin...Për fat të keq në këtë festë sot na mungon Ramush Haradinaj, ish komandant i zonës operative të Dukagjinit dhe ish kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili mbahet padrejtësisht në shtetin mik të Francës. Na mungon jetësimi i plotë i Republikës”, tha Nushi.

Komuna  e Prishtinës për sot ka organizuar një varg aktivitetesh kulturore të cilat do të vazhdojnë deri në mbrëmje./KosovaPress/