Qytetarët nderojnë të rënët në Prekaz

Qytetarët nderojnë të rënët në Prekaz

Qytetarë të shumtë ia kishin mësyrë sot fshatit Prekaz të Drenicës për të nderuar të rënët e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në kompleksin ku prehen trupat e 50 e të rënëve të familjes Jashari që u vranë më 5 mars të vitit 1998 u bën homazhe ndërsa qytetarët edhe vizituan kullën e Jasharve, ku edhe u vranë pjesa më e madhe e familjes Jashari.

Të rënët e Jasharëve i ka nderuar duke bërë homazhe edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri Isa Mustafa si dhe personalitete tjera të Kosovës.

Por as kësaj radhe krerët e shtetit nuk vizituan familjen Jashari e cila gjendet vetëm disa metra larg kompleksit.

Për qytetarët që ishin sot në Prekaz, dita e Pavarësisë është ditë e shenjtë ndërsa vlerësojnë lart kontributin e familjes Jashari.

Arsim Zymberi  tha se nuk ka emocion më të madh se në këtë ditë të madhe ta vizitosh një vend të rëndësishëm siç është Prekazi.

Ndërsa Veton Mujaj tha se vjen shpesh në Prekaz për të nderuar familjen Jashari ndërsa kësaj radhe me vete ka marr edhe fëmijët.

Mujaj: Familja Jashari është baza e këtij shteti

“Unë kam ardhur disa herë. Por, sot kam marr edhe fëmijët me veti. Është dita e Pavarësisë së Kosovës dhe baza e themeli i ndërtimit të  shtetit. Kështu, që po vizitojmë një vend të shenjtë për neve. Nuk ka vlerësim më të madh se puna dhe kontributi që ka dhënë familja Jashari jo vetëm për ne por edhe për Shqipërinë”, tha Mujaj.

Kontributi i familjes së Jasharëve duhet të përfshihet më shumë në kurikulën arsimore, tha një mësimdhënës që sot ishte në Prekaz.

Sipas Fehmi Ramajt  lufta e lavdishme e Jasharëve dhe UÇK-së nuk duhet të përfshihet vetëm në një njësi mësimore, por më shumë.

Ndërsa, për  10 vjetorin e pavarësisë ai pret ta festojë me lajmin për parakalimin e ushtrisë së Kosovës.

Ramaj: Në librat shkollore duhet të ketë njësi më shumë për luftën e UÇK-së

“Kënaqësia më e madhe është koha e mirë, krahasim me përvjetorët tjera, shpresoj që edhe 10 vjetorin tjetër ta presim  edhe parakalimin e Forcave të Sigurisë nga FSK, në forca të armatosura...Kontributi i familjes Jashari është i padiskutueshëm, i pamohueshëm.  Por, them para këtij mediumi që në librat shkollore të ketë vend më shumë,  jo të përfshihet me një mësim apo dy mësime, por të ketë hapësirë më shumë, të ketë më tepër në kurrikulën e re. Pa i nënçmuar njësitë tjera, por të futet lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga klasa e V-të të ketë plan dhe hapësirë më shumë për to”, tha Ramaj.

Duke bërë homazhe në varrezat e Jasharve kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se sot po përkujtojnë luftëtarët e lirisë që dhanë jetën për liri.

 

Mustafa: Kujtojmë të gjithë ata që flijuan për shënimin e 9 vjetorit të Pavarësisë

“Sot, kemi një ditë të madhe të shënimit të 9 vjetorit të Pavarësisë, në të cilën kujtojmë të gjithë ata që u flijuan për shtetin e Kosovës, u flijuan për liri, para se të gjithave familjen Jashari. Të cilës sot po ia bëjmë nderimet këtu, një familje që u sakrifikua për shtetin e Kosovës dhe për atë që sot po gëzojmë, për vënien e themelit të këtij shteti. Ne çdo herë do të kemi parasysh luftëtarët e lirisë, do të kem parasysh të gjithë ata që shteren mendjen e tyre dhe dhanë jetën e tyre për shtetin e Kosovës. Në mënyrë që vlerat që ne do ti ndërtojmë tani dhe të ardhmen të jenë vlera që ata i kultivuan në Kosovë dhe janë vlera që ne do ti kultivojmë më gjeneratat e tyre”, tha Mustafa.

Në Prekaz për homazhe ka shkuar edhe kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci. Ai tha se sot po nderohet sakrifica dhe gjaku i derdhur i të gjithë atyre që ranë për liri.

Lladrovci: Iu uroj të gjithë qytetarëve 9 vjetorin e Pavarësisë

“Sot jemi këtu për të nderuar sakrificën e madhe të familjes Jashari. Gjakun e derdhur të gjithë ushtarëve të UÇK-së, gjak mbi të cilin ne sot po festojmë 9 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, unë  iu uroj të gjithë qytetarëve të Drenasit, Drenicës dhe Kosovës urime 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, tha Lladrovci.

Kompleksin “Adem Jashari” deri më tani e kanë vizituar 12 milionë njerëz, ndërsa vetëm vitin e kaluar në këtë kompleks kanë qenë 400 mijë vizitorë.

Ciceroni i këtij kompleksi Xhevat Imeri tha se këto vizita janë pasuria më e madhe që i bëhet këtij vendi.

Por,  Imeri është i shqetësuar për neglizhencën nga institucionet qeveritare për konservimin e të gjitha objekteve në atë kompleks.

Në mini-muzeun e hapur në Prekaz janë ekspozuar arma e Adem Jasharit, pushka e Hamzës, magjja, enë të ndryshme, motoçikleta, etj.

Kureshtarë për të parë mini-muzeun e Jasharëve në nëntë vjetorin e Pavarësisë janë edhe shqiptarë nga jashtë trojeve të Kosovës.

Jasir Hasani tha se muzeu është jashtëzakonisht i mirë, veçanërisht domethënia e vlerave monumentale  në këtë muze.

Hasani: Muzeu është i jashtëzakonshëm

“Me të vërtetë është një muze jashtëzakonisht i mirë dhe po na pëlqen shumë, sepse i ndjejmë vlerat kombëtare që familja Jashari, ka flijuar jetën e tyre dhe familjen e tyre për të pasur një liri të ndritshme dhe të jetojmë ashtu siç duhet të jetojmë. E jo në okupimin e serbëve që ka pasur vendi jonë...Është dhimbje e madhe që kanë humbur familja e tyre dhe nuk i kemi në ditët e sotme  patriotët tanë. Por besoj që rinia jonë do të sjell patriotë sikur të familjes Jashari”, tha  Hasani.

Për Armend Susurin ajo çka ishte më interesantja në këtë muze ishte motoçikleta e Adem Jasharit.