Kapitanoviçi: Rezultatet e dialogut i shfaq zbatimi i marrëveshjeve

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviç, ka thënë se rezultatet përfundimtare të dialogut do të varen nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Radio Kosovën, ambasadorja, Kapitanoviç, ka theksuar se dialogu mes të dyja vendeve duhet të vazhdojë, meqë është çelës i zgjidhjes së shumë problemeve që vazhdojnë t`i kenë Kosova dhe Serbia.

Radio Kosova: Zonja Kapitanoviç, si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Marija Kapitanoviç: Para Kosovës është një rrugë e konsolidimit demokratik, rregullimit të standardeve, kryesisht për t`u përshtatur me standardet evropiane. Në pritje është zbatimi i një numrit të madh të reformave, veçanërisht reformat në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, reformat në sektorin ekonomik. Kjo është diçka që do të sjellë fitim ekonomik të vendit, kjo është diçka që iu duhet qytetarëve të Kosovës në këto momente. Kosova, si shtet merr ndihmë të konsiderueshme financiare, si nga Bashkimi Evropian si dhe nga vende të tjera evropiane të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, dhe në këtë mënyrë ka mbështetje të madhe. Sa për situatën politike dhe forcave politike në vend, ka nevojë që të krijohet një konsensus në lidhje me zbatimin e reformave, që do të sjellë, siç e thashë, përmirësimin në vend. Gjithashtu nevojitet vendimi i sundimit të ligjit, dhe është e nevojshme të arrihet një konsensus kombëtar për çështje të cilat janë të dobishme dhe të rëndësishme për vendin, Dhe në të vërtetë, ajo që është, sipas mendimit tim, në këtë moment një nga sfidat më të mëdha, është zbulimi i interesit të përbashkët kombëtar dhe unitetit, pa të cilin nuk mund të shkohet me ndryshimet më të thella të vendit.

Radio Kosova: Kohëve të fundit kemi pasur tensionim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se këto tensione janë shkaktuar qëllimisht nga politika serbe në Beograd?

Marija Kapitanoviç: Për shembull, në rastin e shtetit kroat, që ka përjetuar edhe luftën dhe i cili ka përjetuar periudhën e pas luftës e që është gjithmonë më e vështirë, sepse, përveç asaj që po ndodh, situata kur vendi është rrafshuar materialisht, ndodh edhe shoqëria në tërësi, funksionimi duhet të kthehet në funksionimin normal, dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha - si për të krijuar përsëri një funksionim normal të vendit dhe për të vazhduar për të punuar në drejtim të progresit. Ajo që është tani për tani në mendimin tim për Kosovën, është e rëndësishme që pavarësisht tensioneve, Kosova të fokusohet në nivelin e brendshëm, pra, çfarë të bëhet që vendi të përparojë në aspektin e zhvillimit ekonomik, në aspektin e mbajtjes së të rinjve në vend. Në planin e brendshëm ka shumë punë, dhe kjo është, sipas mendimit tim, në fakt një nga prioritet për vendin. Është i rëndësishëm  shtet-ndërtimi, sigurimi i perspektivës për gjeneratat e reja, kjo është mënyra e vetme për ngritjen e ardhshme të një shteti me prosperitet. Ky është një proces i gjatë që nuk vjen vetë. Ai kërkon ndryshime të mëdha, kërkon përgjegjësi nga elita politike dhe një ndjenjë të interesit kombëtar për përmirësimin e vendit, kjo është në këtë moment diçka që është në fakt një prioritet. Tensionet mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut, normalizimit, pjesa e dytë mund të zgjidhet duke biseduar, por në këtë pikë, unë mendoj se prioriteti është në planin e brendshëm, dhe të fillohet me reforma shumë të nevojshme.

Radio Kosova: Marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel, nuk janë zbatuar në tërësi nga ana e Serbisë. Sipas jush, si do të duhej t`i qasej dialogut pala kosovare në raport me politikën serbe?

Marija Kapitanoviç: Dialogu është një proces që merr shumë kohë dhe nuk është gjithmonë proces i lehtë, por kjo është thjesht një procedurë që vjen pas situatës si ajo që vendi juaj e ka pasur në të kaluarën. Secila palë e ka pjesën e saj të kushteve nga ana e tyre, dhe në këtë mënyrë sigurisht që duhet të ketë një lloj balance mes të dyja anëve për sa i përket përmbushjes së kushteve si dhe dinamikës së përmbushjes. Vetë dialogu duhet t`i drejtohet rregullimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet komunitetit shumicë dhe komunitetit serb, dhe në fakt të hapë rrugën për marrëdhënie të nevojshme në nivelin e përditshëm. Me këtë duhet të vazhdohet, dhe kjo është diçka që në këtë pikë, tani për tani, nuk ka alternativë tjetër, dhe në fakt duhet të bëhet një përpjekje për pyetjet lënë në tryezë, që të përshpejtohet kjo dinamikë. Një marrëveshje, e cila është padyshim nga ana e Kosovës shumë pozitive, dhe pritej një kohë të gjatë, është marrëveshja për telekomunikacionin, kështu që kjo është diçka që do të ketë shumë domethënie për Kosovën.

Radio Kosova: Në Samitin Komisioneve të Jashtme Parlamentare të vendeve të Evropës, që u mbajt në Prishtinë, presidenti, Hashim Thaçi, i bëri thirrje Rusisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas jush, sa janë gjasat që Rusia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur?

Marija Kapitanoviç: Procesi i njohjes ndërkombëtare është diçka që zgjat dhe ajo që erdhi në parim, në rastin e vendit tuaj, është ajo që e kemi pasur në fazën e parë të “dallgës” së madhe, tani shkon me një dinamikë disi më ndryshe. Institucionet e Kosovës i afrohen lobimit, dhe unë shoh se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar intensivisht për procesin e mëtejshëm të njohjeve nga shtetet që nuk e kanë bërë ende, e sigurisht që është një proces që do të varet nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve. Në këtë pikë të asaj që po ndodh në Evropë, por edhe se çfarë ndodh në botë, ne mund të shohim se ka një rregullim të ndryshimit të forcave, dinamikat gjithashtu janë në ndryshim, ka një ndryshim të rëndësishëm në nivel global, do të thosha: kemi administratë të re amerikane, ka një ndryshim të caktuar në BE. Në kohën e ardhshme do të kemi zgjedhje në vendet më të mëdha të BE-së, dhe sigurisht gjatë asaj periudhe procesi i mëtejshëm i njohjes ndërkombëtare do te rregullohet sipas rezultateve të këtyre ngjarjeve. Sa për Kosovën, do të kthehem në atë që thashë më parë. Unë mendoj se në këtë kohë duhet të përqendroheni në atë që është bërë dhe çfarë bëhet brenda vendit, domethënë në planin e brendshëm. Procesi ndërkombëtar do të varet në atë moment nga në një energji në një kontekst global dhe nga progresi i arritur në vend. Ata dy faktorët atëherë do të përcaktojnë ndoshta edhe njohjet e mëtejshme.

Radio Kosova:  Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se dialogu do të përmbyllet me njohje nga Serbia. A mendoni se do të ndodhë një gjë e tillë?

Marija Kapitanoviç: Sa i përket dialogut dhe rezultateve përfundimtare, kjo është për momentin e vështirë të komentohet, sepse dialogu është në një fazë, unë do të kisha thënë, duke u përmbushur kushtet dhe dinamika do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve. Pra, në këtë pikë është e parakohshme për të folur për diçka të tillë. Do të varet nga ritmi me të cilin do të kryhen marrëveshjet dhe do të zhvillohet dialogu. Ajo që është sigurisht e lavdërueshme është raundi i fundit i dialogut, në të cilin zyrtarët politikë të nivelit të lartë ishin prezentë, dhe ky dialogu duhet të vazhdojë. Çdo dialog është gjithmonë më i mirë sepse, nëse nuk ka aspak dialog atëherë lindin vetëm probleme shtesë.

Radio Kosova: Janë dy çështje që e kanë sfiduar Qeverinë dhe Kuvendin gjatë këtij mandati. Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave Serbe. Sipas jush, a tregon kjo që ky koalicion nuk është stabil dhe nuk mund ta çojë mandatin deri në fund?

Marija Kapitanoviç: Çështjet që votohen me një shumicë prej dy të tretash, ose nga një shumicë kushtetuese, janë gjithmonë sfiduese. Është thjesht, gjithmonë pyetjet që janë në lidhje me demarkacionin janë gjithmonë të ndërlidhura me një ndjenjë të përkatësisë kombëtare dhe me besnikëri për ruajtjen e territorit. Asociacioni i Komunave Serbe është diçka që është një detyrim i dialogut, dhe kjo në të vërtetë është diçka që duhet të fillohet të punohet. Ajo që unë mund t'ju them  është se, këto çështje janë në një farë mënyre edhe provë për konsensusin kombëtar. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për shtetin, për shkak se një pyetje e tillë tregon një ndjenjë të shtetësisë, prioritetet në vend. Nuk duhet të jetë në minimum një interes i përbashkët në mesin e opsioneve politike, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t`i zgjidhur gjërat. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi është diçka që është kusht për liberalizimin e vizave, dhe përveç kërkesë së ndarjes, ka një tjetër kusht të rëndësishëm për të përmendur, dhe ky është “trek rekordi” në zbatimin e rasteve të korrupsionit. Dhe në fakt liberalizimi i vizave është diçka që vetëm do të hapë perspektivë për gjeneratat e reja. Kjo pyetje nuk duhet të shihet vetëm si çështje e mundësisë së udhëtimit ose mundësitë e punësimit të lirë në vendet e tjera. Çështja e liberalizimit të vizave është kryesisht një çështje e hapur për në vende të tjera, mundësi për të shkuar në vende të tjera, por jo për pushime, por për rininë që të mbledhin praktika të mira nga këto vende dhe ato praktika t`i përdorin në vendin e tyre. Ky është për shembull një proces të cilin Kroacia e ka kaluar. Ne kishim një program të bursave të qeverisë për nëpunësit shtetërorë të rinj që janë pajisur me bursa një-vjeçare për t`u kthyer pastaj në vend dhe për t`i aplikuar njohuritë e fituara. Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave, është në të vërtetë duke hapur perspektivën e vendit në drejtim të marrjes së përvojave pozitive në vende të tjera të BE-së.

Radio Kosova: Gjatë muajit mars çështja e demarkacionit mund të sillet sërish në Kuvend. Në anën tjetër opozita ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë me të gjitha format ratifikimin e versionit aktual të marrëveshjes. Këto tensione, sipas jush, a mund të sjellin trazira në vend?

Marija Kapitanoviç: Shpresoj se jo. Pyetjet që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit, liberalizimi i vizave është me rëndësi, sepse ai hap rrugën për njerëzit që të udhëtojnë, për të marrë përvoja të reja dhe njohuri të reja, sidomos të rinjtë e këtij vendi të ri Pra, ju keni një avantazh të madh në krahasim me Evropën për shkak të numrit të madh të të rinjve dhe forcave të reja. Liberalizimi i vizave ua mundëson të rinjve të marrin pjesë në shumë në projekte në BE, dhe ky është një investim në të ardhmen e vendit, dhe në këtë kuptim, liberalizimi i vizave për vendin tuaj është e nevojshme dhe e dëshirueshme.

Radio Kosova: Është paralajmëruar se sivjet mund të ngritën edhe akt-akuzat e para nga Gjykata Speciale. A mendoni se kjo mund të sjellë trazira në Kosovë?

Marija Kapitanoviç: Gjykata Speciale me siguri do të sjellë përsëri në sipërfaqe disa ngjarje nga e kaluara. Kjo është shumë e mundshme që të ri-zënë vëmendjen e publikut, për shkak se në këtë kohë në qendër të çështjeve publike janë liberalizimi i vizave, apo çështja e luftimit të korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës. Në një farë mase, me aktakuzat e para që janë duke u ngritur, disa ngjarje do të vijnë në qendër të vëmendjes së medias. Por, çdo gjë që po ndodh në Gjykatën Speciale, gjithashtu është një mundësi për të treguar të vërtetën, se vendi është gati për të mbyllur këtë kapitull të së kaluarës, dhe kjo është diçka, që unë mendoj se është e rëndësishme. Për të lëvizur në të ardhmen, për të krijuar vende pune, për të përmirësuar klimën e investimeve e cila do të bëjë hapjen e këtyre vendeve të punës, për të punuar në bashkëjetesë mes komunitetit shumicë dhe komuniteteve jo-shumicë. Ne kemi në mënyrë specifike në Janjevë, një komunitet shumë i vogël kroat që është një shprehje e multietnicitetit të vendit, ajo nuk vjen vetvetiu. Fakti është se në këtë territor jetojnë plot pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë. Kjo është diçka që është duke u ndërtuar, dhe fakti është që çdo komunitet duhet të jetë pjesë e integruar e shoqërisë dhe duhet të kontribuojë në zhvillimin e kësaj shoqërie. Kapitulli i së kaluarës është i nevojshëm të vendoset në AD ACTA, dhe për shoqërinë, si një e tërë, të kthehet dhe të merret me gjëra që janë të rëndësishme për përparimin e vendit.

Radio Kosova: Kosova dhe Kroacia janë dy vende që kanë dalë nga lufta e ish-Jugosllavisë, megjithatë Kroacia ka ecur shumë më përpara në të gjitha aspektet se sa Kosova. Cili do të ishte rekomandimi i juaj për faktorin politik në Kosovë që edhe Kosova të ec më shpejt drejt hapave që ka ecur edhe Kroacia?

Marija Kapitanoviç: Jam dakord, të dyja vendet kanë dalë nga e njëjta ose një kornizë të ngjashme ligjore dhe historike. Kroacia e kaloi këtë periudhë më herët. Kosova ka ardhur në fund të gjithë historisë dhe ngjarjet në ish vendin, por ajo sigurisht që është e rëndësishme, është që unë mund të marr si shembull shembullin kroat:Ne kemi dalë nga këto ngjarje fatkeqe, dhe shumë shpejt kemi filluar me procesin e integrimit euro atlantik. Kjo është për ne një përparësi absolute, nuk kishte asnjë alternativë tjetër. Ne e dinim se në qoftë se ne duam të arrijmë, anëtarësimin në BE dhe NATO, kjo është diçka për të cilën ne kemi nevojë t`i drejtojmë të gjitha forcat dhe të punojnë në të. Pra, ky ishte qëllimi ynë i përbashkët për të cilin komplet vendi ka punuar se bashku (politikanët, ekonomistët, universitetet). Procesi ishte i joni, ne kishim ndjenjën e pronësisë të këtij procesi, ne ishim të vetëdijshëm se kjo varet nga ne. Si do të punojmë, kështu do të na kthehet. Ky proces ka pasur momente të vështira për t´u arritur, veçanërisht reformat ekonomike, por ishte një synim absolut për të cilin shoqëria si një e tërë ka punuar, dhe është e rëndësishme që ky të jetë konsensus absolut. Zhvillimi në këtë mënyrë ishte kryesisht i varur nga ne.

 

Autor: Pajazit Krasniqi