Utopitë populliste të Amerikës

Të gjitha zgjedhjet përmbajnë premtime nga kandidatët se do të përmirësohen kushtet ekonomike dhe do të forcohet siguria kombëtare. Megjithatë, gara e tanishme presidenciale amerikane sillet rreth dy kandidatëve popullistë të cilët janë zotuar se do të ofrojnë një version të utopisë, pavarësisht a do të jetë një shumëllojshmëri djathtiste ose majtiste.

Janusz Bugajski
analist i politikave

Në këndin e djathtë apo konservator qëndron miliarderi Donald Trump, konkurrenti kryesor i Partisë Republikane. Gjatë fushatës, slogani i tij premton që të rivendoset një utopi e imagjinuar historike për ta bërë Amerikën përsëri të madhe. Trumpi u kërkon atyre që ndihen të lënë pas në konkurrencën globale dhe që e dëshirojnë shumë një të kaluar të thjeshtë, kur Amerika ishte padiskutueshëm fuqia globale më e pasur dhe më e fortë.
Trump deklaron se ai mund të dorëzojë “tokën e premtuar” bazuar në ndërmarrjet e tij biznesore të suksesshme. Ai pohon se do të krijojë miliona vende të reja pune, ta eliminojë borxhin kombëtar dhe ta çrrënjosë kërcënimin e terrorizmit.
Në këndin e majtë apo progresiv qëndron i vetëshpalluri, socialisti demokratik Bernie Sanders. Një nga sloganet e tij të fushatës "Revolucioni po vjen" premton një utopi të barabartë të së ardhmes. Sanders, ndryshe nga Trump, paraqitet si njeri i thjeshtë dhe nuk ka të zhvilluar një kult të fortë personaliteti.  
Këto dy vizione utopike përforcohen nga agjenda populliste, ngjashmëritë e të cilave errësojnë ndryshimet. Fushata e Trumpit përfshin një mesazh kundër Uashingtonit dhe e fokuson zemërimin në korrupsionin e krijuar mes pretendimeve të tradhtisë nga ana e elitave politike.
Ai gjithashtu godet në një frikë të vërtetë në mesin e të bardhëve të varfër, se ata po humbasin vendin e tyre, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga ai kulturor. Për këtë arsye ai kënaq ksenofobët dhe nënrrymat nacionaliste në shoqërinë amerikane. Qëllimi përfundimtar i Trumpit është ta ndalojë imigracionin e paligjshëm, i cili dyshohet se çon në humbje të vendeve të punës dhe terrorizmit.
Sanders ka përqendruar sulmet e tij mbi elitat ekonomike. Sipas tij, 99 për qind e popullsisë është e shfrytëzuar nga super të pasurit, të cilët paturpësisht i blejnë politikanët si Hilary Clinton. Sanders këmbëngul se "klasa miliardere" ka manipuluar sistemet politike dhe ekonomike dhe ai e mobilizon zemërimin e të rinjve ndaj të pasurve, duke premtuar kujdes shëndetësor falas dhe po ashtu shkollim falas në kolegj.
Në aspektin e politikës së jashtme, të dy popullistët janë izolacionistë. Trump dëshiron t’i ndalojë shpenzimet për NATO-n dhe ta zvogëlojë mbrojtjen ndaj aleatëve sikurse Japonia dhe Koreja e Jugut. Ai do të ndërhyjë ndërkombëtarisht vetëm nëse kërcënohen direkt interesat amerikane. Sanders është një izolacionist pacifist, i cili më parë do t`i shpërbënte aleancat e panevojshme dhe do të tërhiqej ushtarakisht nga rajone të ndryshme. Dhe të dy mbështetjet kufizojnë tregtinë e lirë dhe miratojnë një agjendë ekonomike më proteksioniste. Mund të ketë pak për të zgjedhur në mes të Trumpit dhe Sandersit.