Politikat e futbollit

Në vigjilje të muajit të gjatë të Kampionatit Evropian në Francë, futbolli vazhdon të jetë një reflektues i rëndësishëm i politikës ndërkombëtare. Si sporti ndërkombëtar më i njohur, futbolli promovon që të dyja si unitetin ashtu edhe përçarjen dhe zbulon shtrirjen dhe kufijtë e unifikimit evropian.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Anëtarësimin në UEFA, shtetet e sapoformuara e shohin si një arritje të madhe kombëtare. Pranimi i Kosovës në UEFA në fillim të këtij muaji u festua si një vulë e legjitimitetit të pavarësisë që do ta forcojë identitetin e shtetit të ri.
Nga ana pozitive ndeshjet e futbollit nxisin unitetin kombëtar dhe një ndjenjë të krenarisë që në rrethana normale është e dënuar si shovinizëm. Edhe gjermanët mund të tregojnë krenarinë e tyre kombëtare dhe të valëvisin flamujt gjatë garave të futbollit pa provokuar akuza për rilindjen e nazizmit. Futbolli mund të jetë një gjuhë ndërkombëtare, por ajo ka shumë dialekte. Klubet janë zëvendësues të fiseve, ndërkohë që gjatë garave të rëndësishme kombet bëhen bashkësi të nxehta. Shumë qytete në Evropë janë ndarë thellësisht nga besnikëria ndaj klubeve të futbollit, ku dhuna e grupeve është rritur në zonat e brendshme të qytetit. Megjithatë, masat për ta transformuar futbollin në një sport spektakular për familjen, viteve të fundit kanë rezultuar me sukses të rritur.
Në ditët e para të garave ndërkombëtare në Evropë, racizmi ishte një dukuri e zakonshme dhe një komponent thelbësor i huliganizmit dhe i himneve të urrejtjes. Por, kur shumica e klubeve të futbollit kërkojnë lojtarë të huaj të etniteteve të ndryshme, racizmi bëhet i vetëmundur, mirëpo vazhdon të ekzistojë në disa klube në Evropën jugore dhe lindore. Përveç kësaj, ekipe të shumta kombëtare evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Holandën dhe Anglinë, tani përfshijnë lojtarë jo të bardhë, duke ndihmuar kësisoj çrrënjosjen e fanatizmit.
Në kontrast të plotë me progresin e Evropës, Rusia simbolizon anën e errët të futbollit. Vendi është i rrënuar nga korrupsioni, dopingu dhe racizmi. Moska është e përfshirë në skandalin më të rëndë të korrupsionit në historinë e sportit, çështjen e marrjes së mitos në FIFA, Federatën Botërore të Futbollit, në dhënien e organizimit të garave të Kupës Botërore. Zgjedhja e Rusisë si nikoqir i Kupës Botërore 2018 është sfiduar nga kritikët që ta pastrojnë sportin nga këto gjëra.
Po ashtu, Rusia është e përfshirë në një skandal të gjerë dopingu që përfshinë dhjetëra atletë, me indikacione që kjo praktikë është e përhapur në të gjitha sportet kombëtare.
Për disa dekada, atletët sovjetikë dhe ata rusë rregullisht përdornin drogë për të rritur performancën e tyre dhe hetimet fillestare ndaj Federatës së Atletikës së Rusisë e çuan drejt pezullimit të saj nga garat ndërkombëtare.
Edhe pse politika nuk mund të ndahet nga sporti ndërkombëtar, një paralajmërim i fortë mund të shpie drejt afirmimit të parimeve thelbësore të një sporti të drejtë. Mashtrimet me anë të mitove dhe dopingut nuk duhet të tolerohen dhe ata që e praktikojnë duhet ta humbasin të drejtën për t’u bërë nikoqir i garave ndërkombëtare.