Fiasko Globale e Naftës

Fiasko Globale e Naftës

Rënia dramatike e çmimeve të naftës po ndryshon pozicionin strategjik të shteteve të ndryshme. Një gjë e tillë fuqizon rolin e Amerikës, zvogëlon pozicionin e Rusisë dhe ushqen rivalitetin mes Arabisë Saudite dhe Iranit.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Gjatë zhvillimeve në vitin 2008, çmimet e naftës arritën një rekord prej 143 dollarësh për fuçi. Nafta aktualisht shitet 33 dollarë për fuçi dhe çmimet mund të mos arrijnë në 50 dollarë për fuçi deri në vitin 2020. Bota e shekullit XX, e orientuar drejt naftës, është në kolaps dhe me pasoja të rënda për vendet më të mëdha eksportuese të naftës.
Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Moska ka përdorur naftën dhe gazin natyror, çmimi i të cilit është i lidhur ngushtë me naftën, si një armë kundër satelitëve të saj të mëparshëm dhe një formë të shfrytëzimit të avantazhit ndaj BE-së. Kërcënimet për ta prerë furnizimin ose për t`i rritur çmimet, i kanë mundësuar Kremlinit që ta vendosë veten në punët e fqinjëve.
Por tani Kremlini gjendet para kolapsit, pasi po e humb armën kryesore të energjisë. Për ta balancuar buxhetin, Rusia ka nevojë që çmimet e naftës të jenë së paku 80 dollarë për fuçi. Çmimet në rënie janë duke nxitur një rënie të zgjatur ekonomike, zvogëlimin e standardit të jetesës dhe duke provokuar trazira dhe revolucion të mundshëm.
Disa shtete të tjera, përfshirë Arabinë Saudite, Nigerinë dhe Venezuelën, janë gjithashtu duke përjetuar trazira ekonomike dhe politike si rezultat i rënies së çmimit të naftës. Sa më gjatë që çmimet mbeten të ulëta, aq më shkatërruese janë pasojat. Rezervat e konsiderueshme të Arabisë Saudite në para të gatshme janë varfëruar në mënyrë dramatike, prandaj qeveria është duke reduktuar shpenzimet publike. Po ashtu Arabia Saudite  e ka një konkurrent të ri rajonal, pasi sanksionet perëndimore kundër Iranit u hoqën. Prodhimi i naftës iraniane do të rritet, pasi Teherani kthehet në tregun global.
Çmimet e naftës rriten kur ekonomia globale është në rritje dhe kërkesa përshpejton rritjen e tillë. Sipas kësaj, kur ekonomia globale është duke stagnuar, gjithashtu edhe kërkesa për energji është e dobët. Në kohën kur Kina, India dhe Brazili po lulëzonin, kërkesa për naftë u rrit. Por secila prej këtyre ekonomive tashmë është duke stagnuar dhe kërkesa për eksportet e tyre të prodhuara është në rënie.
Shumë faktorë janë duke punuar kundër një rritjeje të re të çmimeve të naftës, sidomos pasi Amerika, importuesi më i madh në botë, ka gjetur alternativa. Përveç rritjes së prodhimit vendas, rritja e efikasitetit të karburantit e ka ulur kërkesën amerikane për naftë dhe energjitë alternative janë duke fituar në rëndësi.
Trendet e këtilla tregojnë se kërkesa globale për naftë do të pësojë rënie afatgjate. Kjo gjithashtu do të thotë se rëndësia e Lindjes së Mesme do të zvogëlohet nga aspekti i prioritetit të sigurisë për Uashingtonin,  për shkak të varësisë së pakësuar në furnizimet e naftës. Paradoksalisht kjo mund të gjenerojë jostabilitet të mëtejshëm në rajon, pasi Arabia Saudite dhe Irani konkurrojnë për dominim rajonal me një pengesë më pak amerikane, për të parandaluar luftë të hapur.