Bërja e marrëveshjeve me Rusinë

Bërja e marrëveshjeve me Rusinë

E ardhmja e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë për sulmin e saj të vazhdueshëm ndaj Ukrainës është bërë një provë për efektshme - rinë e politikës së jashtme të presidentit Donald Trump.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Lehtësimi i çdo komponenti të sanksioneve të SHBA-ve do të shihet si një fitore në Kremlin. Për më tepër, lidhja e sanksioneve me ndonjë bashkëpunim të mundshëm në luftën kundër ISIS-it është një strategji e vetë - mundur. Kjo supozon se Moska kërkon të luftoj xhihadizmin anti-perëndimor, ndërsa në të vërtetë Kremlini përdor terrorizmin islamik për ta shkëputur Shtëpinë e Bardhë nga ambiciet e veta ndërkombëtare.
Nënpresidenti dhe Sekretari i shtetit i ShBA-ve kanë përsëritur se sanksionet e vendosura për aneksimin e Krimesë nga Rusia do të mbeten në vend deri sa Moska të tërhiqet nga gadishulli. Më e paqartë është nëse do të mund të lehtësohet zbatimi i sanksioneve shtesë pas luftës së nxitur në Donbas.
Nëse heqja e sanksioneve ekonomike ka për qëllim ta ndihmoj biznesin amerikan, atëherë Uashingtoni duhet të përfshijë kushte të rrepta për të mbrojtur interesat e saj afatgjata. Lidhja e tillë i ofron Trumpit një mundësi të demonstroj fuqinë e tij në çdo  marrëveshje të bërë me Rusinë.
Nëse zbuten sanksionet, ShBA-të duhet të kërkojnë lëshime korresponduese për të testuar sinqeritetin e Putinit për respektimin e marrëveshjeve dypalëshe. Për shembull, heqja  e kompanive ruse nga lista e sanksioneve sektoriale, mund të ndërlidhet me Ukrainën për rifitimin e kontrollit të plotë në kufirin lindor të saj me Rusinë. Angazhimet e tilla duhet të monitorohen dhe të verifikohen nga afër. Një numër i  ngjashëm i marrëveshjeve mund të bëhen duke rivendosur  integritetin territorial të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, në mënyrë që të theksohet vendosmëria e Amerikës, embargoja e armëve në Ukrainë duhet të hiqet. Kievi duhet të lejohet të fitojë të drejtën për mbrojtje me armë vdekjeprurëse, duke përmbysur qasjen e gabuar të Obamas e cila ka dobësuar vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe ka inkurajuar sulmet e befasishme të Rusisë. Pikë kyçe e çdo doktrine të Trumpit në zhvillim duhet t’i garantojë çdo aleati dhe partneri të SHBA-së të drejtën për të mbrojtur veten nga agresorët e jashtëm, duke zvogëluar nevojën për përfshirjen ushtarake amerikane në të ardhmen.
Për t’u mbrojtur kundër tentimit të Kremlinit për të manipuluar administratën e re të SHBA-ve, një grup dypartiak i senatorëve janë të përfshirë në legjislacionin për rivendosjen e mëtejshme të sanksioneve ndaj Rusisë. Ata janë drejtuar në sektorin e energjisë së Rusisë dhe të investimeve të SHBA-së në privatizimin e aseteve shtetërore. Edhe pse kalimi i një legjislacioni të tillë duket i pamundur në këtë pikë, fakti që kongresi po shqyrton projekt-ligjin, po përcjell një paralajmërim të qartë ndaj Moskës kundër ndërhyrjeve të mëtejshme në punët e fqinjëve.
Vetë Trumpi nuk duhet ta shoh legjislacionin si një sfidë për qëllimet e tij të politikës së jashtme, por si një mjet të vlefshëm të cilin mund ta mbajë rezervë nëse Putin e shkel ndonjërën nga marrëveshjet. Ndërsa presidenti i ri amerikan e portretizon veten si një njeri të shkathët për të bërë marrëveshje, ai duhet të kujtoj se Kremlini është i njohur si një shkelës i vazhdueshëm i marrëveshjeve.