Rëndësia e Evropës Qendrore-Lindore

Rëndësia e Evropës Qendrore-Lindore

Vendet e Evropës Qendrore-Lindore po monitorojnë me ankth lëvizjet e politikës së jashtme të presidentit Donald Trump. Por, pritja për marrjen e vendimeve nga Uashingtoni është thjesht e pamjaftueshme për të rritur rëndësinë e kryeqyteteve të Evropës Qendrore-Lindore në Shtëpinë e Bardhë. Ata nuk mund të përballojnë të jenë kalimtarë pasiv, por duhet ta shtyjnë veten përpara si kontribuues aktivë ndaj interesave të vendeve aleate dhe amerikane.

Janusz Bugajski

Analist i politikave

 

Vija e madhe që dallon territorin në mes të Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi ka rëndësi jetike për sigurinë evropiane. Dy luftërat botërore janë shkaktuar në këtë rajon, duke tërhequr Amerikën drejt luftës shkatërrimtare. Më shumë gjak u derdh në Evropën Qendrore -Lindore gjatë shekullit të 20-të se sa në historinë e çdo rajoni tjetër.

Kryeqytetet e Evropës Qendrore-Lindore duhet të demonstrojnë se siguria e tyre është jetike për interesat amerikane. Në nivel minimal, prioritet themelor është të sigurohet vazhdimësia e politikës amerikane ndaj rajonit.

Në nivel maksimal, liderët e vendeve të Evropës Qendrore-Lindore duhet të përpiqen ta bindin Uashingtonin për të miratuar një qëndrim të ashpër diplomatik kundër përmbysjes së "pushtetit të butë" të Rusisë. Politikat rajonale të Moskës janë të dizajnuara për të zëvendësuar qeveritë pro-amerikane dhe të dëmtojnë interesat e SHBA-ve. Nëse Evropa Qendrore-Lindore përsëri bie nën ndikimin e Moskës, pjesa tjetër e aleancës do të jetë në rrezik të humbasë. Zyrtarët e vendeve të Evropës Qendrore-Lindore duhet të shpjegojnë se shfaqja e fuqisë ka më shumë gjasa të frenojë ambiciet e Moskës më shumë se çdo lehtësim i presionit.

Qëllimi përfundimtar është parandalimi i ndonjë marrëveshje të madhe në mes të Uashingtonit dhe Moskës mbi kokat e vendeve të ndikuara që rrezikon sigurinë dhe sovranitetin e tyre.

Në fushën e sigurisë, çdo vend i Evropës Qendrore-Lindore  duhet të ndjekë një demonstrim të ndarë në tresh të angazhimeve të NATO-s dhe SHBA-ve. Së pari, është e domosdoshme që të përcaktohet të paktën 2% e GDP-së për fushën e mbrojtjes, siç është përcaktuar në marrëveshje me NATO-n.

Së dyti, duhet të ketë një fokus më të madh në krijimin e parandaluesve në vend kundër agresionit të jashtëm në mënyrë që Evropa Lindore të mos perceptohet si e pafuqishme duke pritur ndihmë nga jashtë. Kjo përfshinë zhvillimin e një force efektive të mbrojtjes territoriale.

E treta, bashkëpunimi i shtuar për sigurinë në rajon është thelbësor për t'u përballur me agresorët e jashtëm. Kjo mund të përfshijë njësi të kombinuara ushtarake, shkëmbimin e informatave dhe mbrojtjen e përbashkët ajrore. Në anën tjetër, çdo kryeqytet i Evropës Qendrore-Lindore duhet të ndihmojë në mbrojtjen e të gjitha shteteve të NATO-s, duke përfshirë Amerikën, përmes një monitorimi më të fuqishëm dhe neutralizimit të kërcënimeve të mundshme terroriste.

Për Amerikën një Evropë jo-stabile, kufijtë e se cilës sfidohen nga Rusia kundërshtare, do të ishte një fatkeqësi e madhe e politikës së jashtme, përmbysje e progresit të bërë nga çdo president amerikan që nga Ronald Reagan. Në rastin më të keq, kjo mund të tërheqë Uashingtonin në një tjetër luftë të kushtueshme. Evropa Qendrore-Lindore është çelësi i ndërfaqes ndërmjet interesave amerikane dhe evropiane dhe nënvizon se një paqe e përbashkët funksionon vetëm me anë të forcës kolektive.