A do të mund që një ushtri e BE-së ta zëvendësojë NATO-n?

A do të mund që një ushtri e BE-së ta zëvendësojë NATO-n?

Në mes të populizmit dhe nacionalizmit në rritje, një seri e zgjedhjeve në vitin 2017 do të ndihmojë për të përcaktuar nëse BE-ja do të konsolidohet. Rezultati i referendumit të Italisë ka intensifikuar betejën mbi projektin evropian

Liderët e BE-së po ringjallin idenë e një ushtrie të BE-së, për të treguar se pas një viti katastrofal,  Bashkimi Evropian mbetet ende një organizatë dinamike. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se BE-ja ka nevojë për një seli të përhershme për fushën e sigurisë dhe një forcë të përbashkët për fushën e mbrojtjes.

Propozimi mund të tingëllojë mbresëlënës në teori, por në praktikë mund të vërtetojë se është  një tjetër fatkeqësi e shkaktuar për shkak të tre faktorëve: dobësisë, opozitës, dhe të vetë NATO-s. Roli i BE-së në fushën e sigurisë do të dobësohet edhe më shumë pa Mbretërinë e Bashkuar. Londra ka penguar çdo lëvizje që do të dyfishonte dhe do të devijonte fondet e pakta të NATO-s.

Gjithashtu ka qenë e vendosur edhe për të ruajtur lidhjen transatlantike me SHBA-në. Pa Mbretërinë e Bashkuar brenda BE-së, lidhjet do të mund të zbuteshin dukshëm. Shumica e udhëheqësve të Evropës Qendrore dhe Lindore kundërshtojnë çdo forcë me të cilën do të dallohej BE-ja dhe që do ta minonte NATO-n në kohën kur është më e nevojshme Aleanca për t’u mbrojtur ndaj agresionit të Moskës. Në të vërtetë, burimet duhet të fokusohen në përmirësimin e kapaciteteve të NATO-s, në vend të krijimit të zëvendësuesit të dobët pa Uashingtonin. Në vetvete ideja e një "ushtrie evropiane" është e gabuar, pasi ajo krijon përshtypjen e një ushtrie të qëndrueshme dhe të përhershme.

Në realitet, vendet hyjnë në aleanca ushtarake, sepse bashkimi i fondeve siguron aftësi më të mëdha. Megjithatë, nuk ka ushtri të NATO-s, por janë forcat kombëtare, të integruara brenda një strukture të përbashkët komanduese dhe do të bëhen  forca të NATO-s vetëm në rast lufte ose për ndonjë emergjencë tjetër ndërkombëtare. Problemi më i madh për çdo ushtri të propozuar për BE-në është vetë NATO-ja, për shkak se burimet për fushën e mbrojtjes dhe të personelit ushtarak janë të kufizuara. Për më tepër, pa përfshirjen e SHBA-së, Evropa thjesht nuk mund t`ia dilte mbanë një lufte të madhe brenda ose jashtë kufijve të saj. Jean-Claude Juncker argumenton se BE-ja duhet të përmirësojë komandën dhe kontrollin e objekteve të saj, në mënyrë që misionet ushtarake të jenë të koordinuara.

Nëse ai sugjeron një mandat të kufizuar për një forcë të vogël multinacionale, përgjegjëse në rast krizash, atëherë kjo mund të jetë e vlefshme. Një forcë kundërpërgjegjëse në raste krizash, mund të ndihmojë në forcimin e kufijve të BE-së, ndërprerjen e kontrabandës me refugjatë, luftimin e piraterisë, ofrimin e ndihmës humanitare dhe kontributin në operacionet kundër terrorizmit. Misionet e tilla nuk kërkojnë përfshirjen e SHBA-së, apo forcës masive ushtarake. Motivi prapa një ushtrie të BE-së mund të jetë racional - që tregon se Evropa duhet të merret më seriozisht si një aktor ndërkombëtar.

Megjithatë, një tjetër projekt i dështuar që ka më shumë retorikë sesa thjesht një realitet, do të thellonte rënien e Bashkimit.