Lufta e Moskës ndaj Uashingtonit

Zyrtarët e inteligjencës të SHBA-ve janë gati të sigurt se shërbimet ruse kanë hakuar email-at e Partisë Demokratike të SHBA-ve, dhe faqet e internetit të regjistrimit të zgjedhjeve. Vjedhja kibernetike e Moskës është pjesë e një ofensive në rritje kundër qeverive dhe institucioneve perëndimore e projektuar për të delegjitimuar dhe çarmatosur kundërshtarët e saj kryesor dhe caku primar është Uashingtoni.

Janusz Bugajski

Analist i politikave

Objektivi kryesor i politikës së jashtme të presidentit Putin është rikthimi i Rusisë si fuqi e madhe. Për ta realizuar këtë ambicie, duhet të kthehet mbrapsht dominimi i SHBA-së, posaçërisht në Evropë dhe në Eurazi, jo me luftë të hapur por përmes një fushate depërtimi dhe përmbysjeje.

Metoda të ndryshme të keqinformimit janë përdorur nga Moska për të minuar ndikimin ndërkombëtar të Uashingtonit, qoftë përmes mediave tradicionale apo atyre sociale. Politikanët perëndimorë që e vënë në pyetje arsyeshmërinë e NATO-s, hedhin dyshime në mbrojtjen e aleatëve të rinj, ose e pranojnë në heshtje sferën e ndikimit të Rusisë. Kandidati republikan për president, Donald Trump, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se dobësimi i perceptuar i NATO-s thjesht zgjon apetitin neoimperial të Kremlinit dhe mund të çojë në konflikte të dhunshme rajonale.

Amerika gjithashtu akuzohet për ndjekjen e “mesianizmit demokratik” në të cilin vlerat liberale demokratike u imponohen shteteve si Rusia. Ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton është një nga fajtoret kryesore sepse ajo i ka kritikuar zgjedhjet në Rusi si rregullisht të falsifikuara.

Një shumëllojshmëri e partive politike, lëvizjeve dhe individëve me ndikim në perëndim janë afruar dhe përkrahur nga organizatat e lidhura me Kremlinin. Moska kërkon të përfitojë nga ndjenjat kundër establishmentit qoftë në mesin e ultra-majtistëve, të djathtëve radikalë ose populistëve militantë.

Aty ku Moska nuk mund të ndikojë në politikat e qeverive perëndimore kërkon të pengojë aktivitetet dhe të minimizojë ndikim e tyre. Shërbimet e sigurimit të Moskës kanë zhvilluar betejë kibernetike për të minuar caqet perëndimore, përfshirë sulmet sistematike dhe mohimin e sulmeve nga shërbimet në faqet qeveritare të internetit.

Hakimi i email-ave të Partisë Demokratike dhe botimi i teksteve kontroverse kanë për qëllim ngjalljen e konfuzionit dhe të konflikteve. Synimi është që të shfaqet SHBA-ja si demokraci e rrejshme ose e dështuar ku zgjedhjet blihen ose manipulohen. Kështu Kremlini mund të minojë legjitimitetin dhe kredibilitetin e administratës së ardhshme amerikane, posaçërisht nëse Clinton triumfon si presidente e ardhshme.

Objektivat e shumëfishtë të Moskës janë dobësimi i legjitimitetit të sistemit amerikan, minimi i politikës së jashtme të SHBA-ve, diskualifikimi i fushatave amerikane për të drejtat e njeriut dhe nxitja e izolacionizmit të SHBA-së përmes mosangazhimit politik dhe tërheqjes ushtarake të Uashingtonit. Kandidati Trump duket të mos jetë i vetëdijshëm se po bie në kurthin e Putinit dhe se pa dashje po dobëson pozitën globale të Amerikës. Duke e krahasuar negativisht presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të SHBA-ve, Barack Obama, me autokratin e Kremlinit, të cilin Trump e konsideron si “udhëheqës i madh”, ai po e legjitimon edhe një diktaturë të korruptuar dhe ekspansioniste.