Erdogani e do Ballkanin për "ndikim" në Evropë

Turqia po përpiqet të fitojë më shumë ndikim në Ballkan. Erdoan Shipoli, ekspert për Turqinë dhe Ballkanin në SHBA, shpjegon për Deutsche Wellen se çdo të thotë kjo për Bashkimin Evropian.

DW: Cilat janë synimet e Turqisë në Ballkan: çfarë po përpiqet të arrijë ajo atje?

Dr. Erdoan Shipoli: Historikisht, institucionet e Turqisë, si për shembull ushtria ose burokracia e vendit  kanë qenë gjithmonë të lidhura me Ballkanin, sepse e kanë parë Ballkanin si dalje për në Evropë. Turqia gjithmonë e ka parë Ballkanin si rrugën që mund të përdorë për të arritur Evropën. Megjithatë, në vitet e fundit të epokës së Erdoganit, ka nisur ta shohë Ballkanin edhe si diçka që mund ta përdorë për ndikim. Kështu, qeveria e Erdoganit do ta rrisë ndikimin në shoqëritë e atjeshme duke investuar dhe ndihmuar disa shoqata të shoqërisë civile...E bën këtë në mënyrë që nesër të ketë mundësi t'i thotë Evropës: "Ne kemi gjithë këtë ndikim në Ballkan, në derën tuaj të pasme, dhe mund ta përdorim këtë ndikim për t'ju bërë shantazh."

Pra qeveria e Erdoganit mendon se do të mund ta përdorë praninë e saj në Ballkan për të ndikuar politikën e Evropës dhe për ta shtyrë Evropën në një drejtim të caktuar?

Po. Kjo është të paktën ajo që mendon Erdogani, por nuk besoj se ai është në gjendje ta bëjë vërtet këtë. Kur vjen fjala për ndikim politik në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë, Turqia është padyshim një lojtar i rëndësishëm rajonal, por vetëm në atë masë sa politikat e saj përkojnë me politikat e Bashkimit Evropian. Për shtetet e Ballkanit, synimi kryesor është anëtarësimi në BE. Për shumë vite ky ka qenë edhe synimi i Turqisë. Tani Turqia po largohet nga ky synim dhe ndikimi turk në Ballkan po bie gjithashtu.

Sa i fortë është realisht ndikimi politik që ka Ankaraja në rajon?

Kur vjen puna për ish-shtetet e Jugosllavisë, ndikimin më të fortë e ka në Bosnjë, pastaj në Maqedoni, në Kosovë, Shqipëria (jo një ish-shtet jugosllav) që vjen në fund. Pa dyshim, ka marrëdhënie më të mira tregtare me Bullgarinë dhe komunikim më të mirë me komunitetin turk në Bullgari se në Kosovë, për shembull. Në realitet, Turqia nuk e ka në Ballkan ndikimin politik që pretendon se ka dhe nuk e ka ndikimin që dëshiron të ketë. E vetmja rrugë kur Turqia mund ta rrisë ndikimin në Ballkan është nëse Bashkimi Evropian nuk i përmbahet premtimit për të punuar me shtetet e Ballkanit. Përndryshe, po të kenë mundësi zgjedhjeje, shtetet e Ballkanit do të shkonin me Evropën dhe nuk do ta kthenin kurrë kokën pas nga Turqia.

Edhe po të jetë kështu, njerëzit në Bosnjë dhe komunitetet e tjera myslimane kudo në Ballkan e shohin Erdoganin si një lloj vëllai të madh. Erdogani vetë e përdori masakrën e Srebrenicës si një provë për urrejtjen e Evropës ndaj myslimanëve dhe i pëlqen ta paraqesë veten si mbrojtës të myslimanëve. Në ç'masë është reale kjo ndjesi dhe në ç'masë është qëndrim politik?

Këtë ai e bën vetëm për konsum brenda Turqisë. Natyrisht, myslimanët e Bosnjës kanë simpati drejt Turqisë, sepse Turqia dhe disa shtete të tjera myslimane i ndihmuan ato gjatë luftës para se ta bënin këtë BE dhe SHBA. Në Kosovë kjo nuk ndodhi, dhe myslimanët shqiptarë të Kosovës nuk e shohin Turqinë si vëllanë e madh të tyre. Megjithatë, në një kohë kur Erdogani dhe Turqia nuk kanë fuqi për të ndikuar gjë në Ballkan, Erdogani është mjeshtër i shfrytëzimit të diskursit dhe tregimit në dobi të tij. Ai e përdor masakrën e Srebrenicës për t'u provuar turqve se ai kujdeset për myslimanët dhe kjo do t'i sjellë atij shumë vota, sepse duhet të kujtojmë se ka shumë turq me rrënjë boshnjake, bullgare ose shqiptare që historikisht nuk kanë votuar për Erdoganin. Në këtë mënyrë, ai përpiqet të fitojë votat e tyre në referendum duke u treguar se do të luftojë për Ballkanin - në këtë rast, kundër holandezëve në Srebrenicë.

Çfarë po bën Turqia për ta shtuar ndikimin e saj? Pas përpjekjes për puç, shumë institucione turke në Ballkan u panë me dyshim nga Ankaraja...

Që prej puçit, qeveria e Erdoganit është përpjekur ta shtojë presionin ndaj qeverive të Ballkanit, veçanërisht në lidhje me lëvizjen Gulen, por kjo nuk ka qenë shumë e suksesshme.

Këtë mund ta shohim në Maqedoni dhe në Bullgari, ku po përpiqet të krijojë partitë e veta politike dhe që t'i përdorë partitë e konsoliduara në vendet e tjera, parti të kontrolluara direkt nga aleatët e ngushtë të Erdoganit. Ai po përpiqet t'i përdorë njerëzit që janë besnikë ndaj Erdoganit, që kanë studiuar në Turqi dhe që njihen se kanë të bëjnë me qarqet e Erdoganit. Ajo për të cilën druhem, është se ai po fiton mbështetje në disa organizata të shoqërisë civile. Për shembull TIKA (Agjencia Turke e Zhvillimit) po investon, po organizon udhëtime për në Turqi, gjëra të kësaj natyre. Thuhet se kanë ndodhur edhe disa veprime më të diskutueshme, për të cilat po bëhen hetime.

Këtu duhet të bëjmë një dallim edhe midis Turqisë dhe qeverisë së Erdoganit, sepse objektivi i këtij të fundit për momentin nuk është që ta rrisë ndikimin e Turqisë - është që të rrisë ndikimin e Erdoganit dhe popullaritetin e tij. Ne e dimë që ka organizuar këto manifestimet dhe se merr disa njerëz në Prizren, Shkup ose Novi Pazar dhe u jep atyre fotografi të Erdoganit, për të treguar se ai ka kudo simpatizantë.

Sa larg është e gatshme të shkojë në këtë drejtim Ankaraja? A është e interesuar Turqia që ta destabilizojë Ballkanin, që të nxisë një valë të re nacionalizmi dhe që të inkurajojë qëndrimet ushtarake?

Nuk mendoj që po. Turqia nuk është e interesuar që të destabilizojë situatën e sigurisë në Ballkan. Por nëse ka diçka që Erdogani mund ta përdorë, ai nuk do të hezitojë ta bëjë. Unë nuk besoj se Turqia dëshiron një Ballkan të destabilizuar, sepse atëherë do të ishte e rrethuar krejtësisht nga rajone jo stabile. Por një pjesë e barrës u bie edhe shteteve të BE që ta mbështesin Ballkanin dhe të mos e lënë të bjerë pre e agjendës së Erdoganit.


MË SHUME NGA Intervista