Komuna e Kaçanikut ndan 20 mijë euro për bursat e studentëve

Komuna e Kaçanikut do të ndajë 20 mijë euro për bursa të studentëve nga Komuna e Kaçanikut. Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e fillimjavës së ekzekutivit nga Drejtori për Arsim dhe Kulturë Enver Kamishi. Sipas tij, në bazë të kritereve të parapara, do të përfitojnë 50 studentë nga Komuna e Kaçanikut të cilët do t’i plotësojnë kushtet sipas konkursit.

Kryetari i Komunës Besim Ilazi me këtë rast tha se ndarja e bursave është bërë me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare të studentëve të Komunës së Kaçanikut. Ndërkohë Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural Zylfi Koxha, tha se ka vazhduar pranimi i aplikacioneve për subvencionim të fermerëve në kuadër të projekteve të komunës dhe të Ministrisë së Bujqësisë. Ndërsa Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Bahri Selimi njoftoi se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka vlerësuar planin e komunës për Efiqiencë të Energjisë, dhe në bazë të këtij plani do të financohen disa renovime të caktuara në “Gjimnazin “Skenderbeu” në Kaçanik. 

Ndërsa sa i përket zyrës së tatimit në pronë, sipas drejtorit Selimi punët kanë vazhduar sipas planit të paraparë, ku është bërë regjistrimi dhe rianketimi i pronave të reja dhe atyre ekzistuese. Nga ana tjetër Drejtori për Shërbime Publike Ramadush Osmani tha se ka filluar shpërndarja e 40 kontejnerëve për mbeturina 120 litra, në rrugën “ Tefik Raka” në Kaçanik, ndërsa ka vazhduar vendosja e numrave nëpër objekte në fshatin Doganaj. 

Drejtori për Urbanizëm, kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit Ukshin Çallaku, tha se nga zyrtarët kompetent kanë vazhduar punimet ne rehabilitimin e kanalizimit fekal në fshatin Glloboçicë. Në këtë takim për çështje të personelit raportoi shefja e personelit Hidajete Guri, ndërsa rreth punëve të prokurimit komunal raportoi Shefket Koxha menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Kaçanikut.