Kina, nëse SHBA rrit tarifat e importit, do të ketë luftë tregtare

Kina po vlerëson të gjitha mundësitë për t`iu kundërpërgjigjur Shteteve të Bashkuara në rast se administrata Trump do të vendosë në jetë premtimet, sidomos atë të rritjes së tarifave doganore për produktete e importit nga Kina.

Trump kërkon të vendosë gjërat në peshore në një kohë që Kina ka një sufiçit të theksuar tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burime pranë qeverisë kineze, bëjnë me dije se, Pekini po vlerëson disa mundësi për t`iu kundërpërgjigjur Washingtonit, dhe se këto armë do të jenë gati për skenarin më të keq.

Pekini mund të reagojë duke vendosur po ashtu tarifa më të larta, sidomos për produktet agro-bujqësore, makineritë apo produktet e manifakturës, ndërkohë që po vlerëson edhe idenë e shkurtimit të ndjeshëm të eksportit të aparatëve celularëve dhe kompjuterave portativë.

Një tjetër mundësi është ajo e vendosjes së një takse shtesë për kompanitë amerikane që operojnë në Kinë, apo kufizimin e aksesit të tyre në sektorin e shërbimeve, që aktualisht po rritet me ritme të frikshme në vend.

Pavarësisht se administrata Trump ka deklaruar se nuk kërkon një luftë tregtare, sinjalet tregojnë të kundërtën. Vetëm pak ditë më parë, ministrja gjermane e ekonomisë deklaroi se, Berlini po vlerëson mundësinë që të padisë Washingtonin në Organizatën Botërore të Tregtisë.