24 vjeçarja e përkushtuar për personat me sindomin down

24 vjeçarja e përkushtuar për personat me sindomin down

E ftuara e emisionit "Imazh"  në RTK, 24 vjeçarja Fjolla Rraci, ka folur për përkushtimin që ajo tregon në vazhdimësi për personat me sindromin down. Ajo ka treguar se sa më shumë që ka njohur persona me sindromin down, aq më shumë është shoqëruar me ta, raporton rtklive.com. 

Ajo ka thënë se djali i axhës së saj, ka sindomin down. Njëherit, thotë se ai ka qenë mësuesi i jetës së saj. 
"Nëse kalon kohë me personat me sindromin down, ke me pa se secili ka karakterin e tij. Mjafton mos me i pa me syrin e mëshirës", ka thënë Rraci.  
Ajo ka treguar se asiston një person me sindromën down. "Por unë nuk i kam thënë asnjëherë që jam asistentja e tij. Iu kam qasë si një shoqe që i bie rruga skaj shtëpisë së tij dhe shkojnë në shkollë bashkë. Por, kjo nuk më bën asistenten e tij", ka thënë Rraci. 
Ajo tregon se e ka marrë shumë sfiduese qasjen ndaj djaloshit me sindromin down që i asiston. "Por, e kam kuptu që njerëzit nuk kanë ditur t'i qasen atij. Njerëzit nuk kanë ditur t'ia shohin vlerat. Ai nuk e ka idenë për ekzistencën e të keqës", ka thënë Rraci. 
Ajo ka treguar se ka mësuar ta shoh jetën me sytë e djaloshit me sindromin down që e asiston, pa menduar për të keqën. 
"Pavarësisht nevojave të veçanta që kanë në jetë njerëzit, ata mund të arrijnë në jetën e tyre nëse përkrahen", ka thënë Rraci.
Ajo ka folur për stigmat dhe paragjykimet ndaj këtyre personave. "Ata nuk janë të sëmurë", shprehet Rraci, duke shtuar se kjo është pyetja që vazhdimisht i bëhet nga rrethi. 
Ndryshe, 21 marsi është Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindromën Down. Numri 21 koincidon me numrin e kromozomeve që karakterizojnë këta persona.