Modelimi i gjeoinformacioneve, tash bëhet edhe me libër

Modelimi i gjeoinformacioneve, tash bëhet edhe me libër

Profesori i Gjeodezisë, njëherësh shef i Departamentit të Gjeodezisë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Përparim Ameti, së bashku me asistentin e disa prej lëndëve të veta, Besim Ajvazi, ka botuar këtë javë librin “Modelimi i gjeoinformacioneve”.

Sipas këtyre dy autorëve, ky libër ka qenë shumë i nevojshëm për studentët e Drejtimit të Gjeodezisë, të Gjeografisë dhe të drejtimeve të ngjashme lidhur me fushën e gjeoinformacionit dhe të GIS-it, të cilëve edhe ua kanë kushtuar këtë libër.

Libri i ngjashëm me “Modelimin e gjeoinformacioneve”, në libraritë dhe bibliotekat në Kosovë, pothuajse nuk gjendet fare sepse kjo fushë e studimit është e re në literaturën e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës dhe të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore. Duke e pasur parasysh mungesën e këtij libri dhe duke marrë vazhdimisht kërkesa dhe ankesa nga studentët për mosplotësim të nevojave të tyre edhe me literaturë në gjuhën shqipe, profesor Ameti dhe Ajvazi nisën publikimin e këtij teksti në gjuhën shqipe, me referenca kryesisht nga librat fizikë në gjuhën angleze dhe nga ata elektronikë që gjenden nëpër librari elektronike në internet.

“Modelimi i gjeoinformacioneve” ka katër kapituj të shkurtër, në të cilët përmblidhet dhe ofrohet njohuria për modelet e ndryshme të informacioneve të tokës. Në të parin kapitull jepen njohuri të përgjithshme për të dhënat hapësinore, paraqiten të dhënat hapësinore, formati i tyre, komponenti hapësinor, tematik, kohor, pastaj  struktura e modelit raster dhe vektorial të shënimeve dhe tipologjia e tyre.

Në kapitullin e dytë autorët, Ameti dhe Ajvazi, na njoftojnë me teknikat  e përfitimit të të dhënave hapësinore, se si bëhet: grumbullimi i të dhënave, se cili është burimi kryesor i të dhënave, se çfarë janë të dhënat rasterike dhe vektoriale dhe si dallojnë mes vete.

Në kapitullin e tretë, të titulluar “Modelimi i të dhënave hapësinore”, jepen principet e përgjithshme, modeli konceptual, modeli entitet-lidhje, modeli i objektit, i klasës, modelet logjike, relacionet mes tyre, metadatat, standardet deri te modeli digjital nga lartësitë.

Pas ofrimit të këtyre informacioneve në këta tre kapituj, në të katërtin autorët nisin ta shfaqin dhe zbatojnë një model të të dhënave në praktikë, duke dhënë mundësinë për njohje dhe zhvillim të databazës në SQL, në PostgreSQL etj.

Së këndejmi, në secilin kapitull të këtij libri, krahas studimit, analizës dhe interpretimit, ka edhe figura të shumta, me të cilat mundësohet që pjesa teorike të përcillet dhe të kapet më lehtë nëpërmjet pamjeve të fotografive dhe të faksimileve e që ishte qëllimi kryesor i këtyre dy autorëve, të cilin e ngrehin në krye të librit: “Objektivi ynë kryesor me këtë material mësimor është që të sjellim tek studentët njohuritë rreth të dhënave hapësinore në përgjithësi, për metodat e përfitimit të tyre, për aspektet kryesore të modelimit të tyre, si dhe për mënyrat e dizajnimit dhe të krijimit të bazave për të dhënat hapësinore”.

 

Nga jetëshkrimi i autorëve

Përparim Ameti

Është nga Smira e Komunës së Vitisë. Në vitin 1991 ka mbaruar Shkollën e Mesme të Gjeodezisë në Gjakovë, ndërsa më 1997 Fakultetin e Gjeodezisë në Zagreb. Studimet pasdiplomike për gjeoinformatikë i ka vijuar në vitet 1999-2000 në Mainz të Gjermanisë. Në qershor të vitit 2000 është punësuar si bashkëpunëtor shkencor në GeoForschungsZentrum Potsdam, në të cilin ka punuar deri në qershor 2004. Po në qershor të një viti më vonë ka mbrojtur tezën e doktoraturës në Universitetin Teknik të Darmstadtit në fushën e gjeodezisë fizikale. Në tetor të vitit 2005 angazhohet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, në Drejtimin e Gjeodezisë, si profesor i asocuar, ndërkohë merr detyrën e shefit të katedrës. Gjatë karrierës shkencore ka marrë pjesë në shumë projekte shkencore e profesionale. Ndër më të rëndësishmet janë: hulumtimet gjashtëmujore në Ohio State University, ShBA, në vitet 2011-2012 dhe në Universitetin e Karlsruhes, në shkurt-gusht 2015.

Besim Ajvazi

U lind në Gjilan. Në vitin 2004 ka mbaruar shkollën e mesme në Kamenicë, kurse në vitin 2009 ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gjeodezisë në Prishtinë. Studimet e nivelit Master për Gjeodezi në Universitetin Politeknik të Tiranës i ka mbaruar në vitin 2012. Aktualisht është duke i vijuar studimet e doktoratës në Sopron të Hungarisë. Nga tetori i vitit 2012 e deri më sot është angazhuar asistent në Drejtimin e Gjeodezisë, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës. Gjatë karrierës së tij të deritashme ka punuar në disa projekte profesionale dhe ka publikuar disa punime në revista shkencore.