Viets: Marrëveshja për demarkacionin forcon statusin e Kosovës

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angelika Viets, ka thënë se debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është polarizuar së tepërmi.

Ajo, në intervistën dhënë RTKlive, ka deklaruar se definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Republikës së Kosovës. Sipas saj, çdo ndryshim për transformimin FSK-së në ushtri, do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët. Kurse sa i përket zgjedhjeve të reja, Viets ka thënë se koalicioni qeverisës e ka një shumicë stabile dhe me një konsensus të gjerë mund, apo do të mund të kryente detyrat e mëdha, të cilat Kosova duhet t’i kryej.  Ajo ka deklaruar se Gjermania është zotuar për ta mbështetur Kosovën me rreth 46 milionë euro për vitet 2016 dhe 2017 në zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

RTKlive: Si i vlerësoni  zhvillimet politike në Kosovë në këtë fillim vit?

Viets: Në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor prej ca kohësh kemi vërejtur zhvillime krizash, të cilat e rrezikojnë stabilitetin dhe transformimin e rajonit. Potenciali për konflikt brenda dhe pjesërisht edhe në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor edhe më tej është i madh dhe i pengon proceset reformuese dhe afrimin me BE-në. Pasiguria, si shkak i zhvillimeve në nivel global, vetëm sa kontribuon më shumë në këtë. Për tejkalimin e këtyre krizave tani kërkohet angazhim më i shtuar nga të gjithë, në mënyrë që bashkëpunimi rajonal, reformat dhe afrimi me BE-në të mos kthehen vite prapa. Në këto rrethana nuk guxon të ketë regres në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit. I rëndësishëm është bashkëpunimi më i theksuar rajonal dhe kjo është arsyeja pse ne mbështetemi në Procesin e Berlinit dhe takimin e radhës që do të mbahet në korrik të këtij viti në Trieste. Sa i përket Kosovës, fakt është që raportet e saj me Serbinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Pavarësisht provokimeve, në kuadër të dialogut për normalizim tani prioritet është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qytetarëve u duhen shpjeguar përfitimet, të cilat dalin për Kosovën nga procesi i normalizimit.

RTKlive: Megjithëse që nga fillimi keni qenë kritik ndaj atyre që kundërshtonin Marrëveshjen e Demarkacionin, ekziston mundësia që të kemi lëvizje pozitive në këtë drejtim dhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Zonën Schengen?

Viets: Debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit është polarizuar së tepërmi. Shumë vëzhgues pajtohen se arsyeja nuk qëndron aq shumë tek përmbajtja e marrëveshjes, por që në sfond të kësaj ka shoshitje që ndërlidhen me pushtetin politik. Marrëveshja për demarkimin e kufirit, e arritur pas plot tre vjet pune është shqyrtuar disa herë. Kjo ndër tjerash është bërë edhe nga grupi e ekspertëve ndërkombëtarë, të angazhuar nga Presidentja e mëparshme Jahjaga, në mesin e të cilëve ka marrë pjesë edhe një ekspert gjerman me renome, Dr. Wilmes. Një shqyrtim tjetër ka pasuar rishtazi nga një komision i ngritur nga qeveria, në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe Përfaqësuesja Speciale BE-së për Kosovën, e po ashtu edhe Ambasadori i SHBA-së. Përfundimi i qartë i të gjitha shqyrtimeve ka qenë që Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit, e cila tashmë është ratifikuar nga ana e Malit të Zi, ka qenë korrekte. Veç kësaj Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit është një marrëveshje ndërkombëtare që e forcon statusin e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Do të dëshironim shumë për qytetarët e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejtë dhe që me këtë të eliminohej pengesa kryesore në rrugën drejt liberalizimit të vizave.

RTKlive: Znj. Ambasadorja së fundi ka një kërkesë nga ana e presidentit Thaçi  dhe të akterëve të tjerë që FSK-ja të shndërrohet në Ushtri, si e vlerësoni këtë veprim?

Viets: Definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Kosovës. Megjithatë çdo ndryshim do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët. Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, sipas të cilës NATO-s do t’i duhej ta rishikonte nivelin e angazhimit, në veçanti për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së, në qoftë se miratohet draftligji i propozuar.  Ne jemi të brengosur që ky propozim e pengon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe e ngadalëson procesin e normalizimit.

RTKlive: Nëse ka ndonjë pajtim politik, a duhet të mbahet zgjedhjet nacionale në këtë vit dhe a mund të jetë këto zgjedhje një zgjidhje politike?

Viets: Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja unë konkretisht jam shprehur pothuajse çdo muaj, që nga formimi i qeverisë në vitin 2014. Për këtë arsye, mendoj se e dini vlerësimin tim, që kjo çështje nuk do të duhej të bëhej qëllim në vetvete. Koalicioni qeverisës e ka një shumicë stabile dhe me një konsens të gjerë mund, apo do të mund të kryente detyrat e mëdha, të cilat Kosova duhet t’i kryej. Para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme, Kosova do të duhej të dëshmojë suksese të arritura. Rreziku i madh që paraqitet në rast të zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një vendnumëro për Kosovën për një periudhë deri një-vjeçare. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gjë. Gjithsesi unë i dëshiroj Kosovës që votuesit, kur të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, të mendojnë rreth asaj se kush dhe si i ka përfaqësuar ata. 

RTKLive: Sa jeni të kënaqur me politikat e qeverisë karshi bizneseve dhe investitorëve gjerman që janë të interesuar që të sjellin kapitalin e tyre në Kosovë?

Viets: Në dokumentet strategjike të qeverisë në fushën e politikës ekonomike janë përfshirë prioritetet e duhura në mënyrë që Kosova të jetë një vend atraktiv për investitorë. Agjenda Evropiane e Kosovës, të cilën e ka prezantuar qeveria e Kosovës më 15 nëntor 2016, bashkë me Komisionerin e BE-së, Hahn, i thekson edhe një herë temat, të cilat janë të rëndësishme për investitorët: sundimi i ligjit, ambienti investiv, kualifikimi. Jo agjendë po ashtu parasheh edhe masa, siq janë për shembull themelimi i një „mekanizmi për parashtresa të investitorëve“, të cilat masa do t’i ndihmonin investitorët potencialë. Sikurse në rastet e shpeshta, edhe këtu tani me rëndësi është zbatimi i prioriteteve të vetë caktuara. Gjatë takimit të shefave të qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (ËEB-6) në Sarajevë, më 16.3.2017 Komisioneri i BE-së, Hahn e ka prezantuar idenë për një integrim më të theksuar ekonomik të  këtyre shteteve. Një bashkëpunim i tillë rajonal do të sillte shumë  i favorshëm pikërisht për Kosovën që si shtet me një treg të vogël e ka vështirë të tërheq investitorë dhe që sipas Bankës Botërore i nevojiten së paku 45 vjet të zhvillimit ekonomik për të arritur mesataren e zhvillimit të vendeve të BE-së.

RTKLive: Qeveria gjermane ka përkrahur shumë projekte qoftë të nivelit qendror apo lokal, do të vazhdoni edhe në të ardhmen që të mbështetni projektet të tjera? Cilat janë disa nga projektet që do të mbështeten këtë vit dhe në vitin 2018?

Viets: Gjatë bisedimeve ndërqeveritare në mes Gjermanisë dhe Kosovës, të cilat u zhvilluan në vjeshtë të vitit të kaluar, Gjermania është zotuar për ta mbështetur Kosovën me rreth 46 milion euro për vitet 2016 dhe 2017. Kjo dëshmon që Gjermania do ta mbështes Kosovën edhe më tej dhe fuqishëm në zhvillimin e saj, veçanërisht në fushat e qeverisjes së mirë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe në sektorin e energjisë. Vetëm sa për të dhënë një shembull, me ndihmën gjermane është zgjeruar rrjeti i ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe është përmirësuar infrastruktura e menaxhimit të ujërave të zeza në Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Veç kësaj, projektet gjermane kontribuojnë në përmirësimin e arsimit fillor dhe atij profesional. Vetëm nëse rinia kosovare është e arsimuar, ajo mund ta çojë Kosovën drejt një të ardhmeje prosperuese.

 

 

 

Autor: Afet Bela