Pamje të rralla nga Prishtina e vitit 1930

Pamje të rralla nga Prishtina e vitit 1930

Këto pamje që prezenton janë fotografuar në vitin 1930.

Ato janë siguruar nga arkivi personal i familjes Kasneci në Prishtinë, të cilët kanë prejardhje nga Kraja e Ulqinit në Mal të Zi. Pamjet e rralla, ju përcjellim të shoqëruara me disa fakte të shkurta historike, shkruan gazetametro.

sahat-kulla

1. Sahat Kulla

Sahat Kulla gjendet në bërthamën e zonës kulturo-historike të Prishtinës. Është ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore e ndërtuar në shekullin XIX. Sahat Kulla gjendet në pjesën qendrore të pjesës së vjetër të Prishtinës në afërsi të Xhamisë së Mbretit dhe gjendet në oborr të ndërtesës së gjimnazit ‘Sami Frashëri’.

hammami

2. Hamami i Madh

Hamami i Madh në Prishtinë është monument i rëndësishëm dhe gjendet në një ansambël po aq të rëndësishëm urban në qendër të Prishtinës. Afërsia me tri xhamitë historike, Sahat Kullën, me disa shtëpi nën mbrojtje dhe me një pazar, duke pasur edhe qasje në një ndër rrugët kryesore të qytetit, paraqet mundësi të zhvillimit dhe të ringjalljes së kësaj zone të rëndësishme për qytetin. Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por në bazë të shënimeve që ekzistojnë duhet të jetë ndërtuar në shekullin XIV-XV, dhe është shfrytëzuar nga qytetarët e Prishtinës me gjenerata të tëra.

gjimnazi

3. Gjimnazi i Vjetër

Gjimnazi “Sami Frashëri” është shkolla e parë e mesme në gjuhën shqipe në Kosovë. Nga viti 1913 në këtë ndërtesë mësohej në gjuhën serbe dhe vazhdoi puna me disa ndërprerje, deri në vitin 1941. Gjatë kësaj periudhe personeli mësimor ishte serb, kurse nxënësit nga etni të përziera. Me gjithë këto kushte të rënda, një numër i nxënësve ishte shqiptarë që arritën ta kryejnë këtë gjimnaz dhe më vonë i përfunduan edhe studimet në Beograd, Zagreb, dhe në raste më të ralla në Sarajevë.

muzeu

4. Prishtina Austro – Hungareze

Kjo është një nga ndërtesat e ralla me arkitekturë austro-hungareze, që daton që nga viti 1886. Dikur ka shërbyer si ndërtesë qeveritare dhe administrative, ndërsa sot, si Muze i Kosovës, ku ruhet një pjesë e madhe të trashigimisë kulturore e hiostorike të Kosovës.

kisha-e-shen-ndout

5. Kisha e Shën Ndout

Kisha e Shën Ndout u ndërtua në vitin 1927, konfirmon gazetametro.net

Vendi ku qëndronte kjo kishë, ishte në hapsirën ku sot gjendet Shtatorja e Zahir Pajazitit, përballë Hotelit Grand. Ajo u rrënua nga serbët më 1957, me arsyetime kinse nuk përputhet me planet urbanistike. Siç mëson gazetametro.net, kjo kishë ishte e njohur si ‘Kisha e Stakajve’, përshkak se  familja e vjetër prishtinase Staka e besimit katolik, me prejardhje nga Mirdita kishte finacuar një pjesë të madhe të ndërtimit.

Përkatësisht, Stak Mirdita i njohur në Prishtinë si Stak Marku nisi të ndërtonte kishën, atëherë Shyqri Beg Ramadani dhe disa familje të tjera të besimit islam e ndihmuan financiarisht ndërtimin e saj. /gazetametro