Kujtime me rëndësi historike

Kujtime me rëndësi historike

Kujtimet dhe ditarët janë lloj letrar, në të vërtetë letrar shkencor i rrallë në letërsinë e traditës sonë.

Si kujtimet, ashtu edhe ditarët në letërsinë shqipe më shpesh kanë filluar të shkruhen pas Luftës së Dytë Botërore, kurse dukshëm më shpesh pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë. Ky është një lloj letrar-shkencor që nxitet, që frymëzohet prej ngjarjeve, prej veprimtarive, prej të bërave e bëmave, prej politikave dhe ideologjive, prej të arriturave a dështimeve, prej fitoreve a disfatave, që luajnë rol të veçantë në jetën shoqërore, politike, të përgjithshme të popujve dhe shteteve. Është e kuptueshme, prandaj, pse kujtimet dhe ditarët janë lloj i shkruar shpesh, i shkruar dhe i çmuar shumë në letërsitë e mëdha kombëtare evropiane.

Libri i diplomatit dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin e qëlluar dhe shumë domethënës, Fitorja diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit. Dhe, bashkimi i këtyre dy veçantive e bën veprën e tij, të shkruar me dhunti, me dije, me kulturë krijuese e gjuhësore, më interesante në pikëpamje letrare artistike dhe më të bindshme në pikëpamje shkencore. Mund të thuhet kështu, sepse një pjesë e madhe e kujtimeve të tij në librin në fjalë jepen me datën e ngjarjeve, të veprimtarive, të takimeve, të bisedave, të reagimeve, të vizitave politike e të tjera, me ç’rast të gjitha ato trajtohen siç trajtohen zakonisht në ditarë.

Fitorja diplomatike është vepër me rëndësi të veçantë, pra të veçantë historike shkencore. Dhe, është vepër me rëndësi të tillë, të veçantë, historike shkencore për dy arsye: e para, për arsye se në të autori Sabri Kiçmari trajton veprimtarinë e vet atdhetare, politike, kulturore dhe diplomatike dhe të bashkatdhetarëve tanë kryesisht në shtetet evropiane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe, e dyta, për arsye se ngjarjet, veprimtaritë, takimet, bisedat, reagimet, vizitat politike e të tjera aty të trajtuara janë të një kohe vendimtare - janë të viteve 1997, 1998, 1999, në të cilat ishte vendosur fati i përtashëm dhe historik i Kosovës, prandaj edhe i popullit shqiptar që në Kosovë jeton. Duke qenë në Evropë, domethënë duke qenë pak a shumë larg Kosovës, autori Sabri Kiçmari nuk ka pasur mundësi që në veprën e tij të përfshijë edhe më shumë data, më shumë ditë, prandaj as më shumë ngjarje, veprime, veprimtari, sjellje politike a të tjera, t’i quaj kosovare, të cilat më pak a më shumë i kanë shënuar ato tre vjet, ata muaj, ato javë e ato ditë; por, megjithatë, në librin e tij ai i ka përfshirë ngjarjet, veprimet, veprimtaritë, sjelljet politike e të tjera pothuaj më të rëndësishme, më të paharruara, qofshin disa prej tyre edhe të papranueshme për historianët e ardhshëm. Dhe, i ka përfshirë përmes jehonës së tyre në mendjet dhe në zemrat e bashkatdhetarëve tanë në Evropë e në botë; dhe, i ka përfshirë përmes jehonës së tyre në mendjen dhe në zemrën e vet - të intelektualit Sabri Kiçmari; dhe, i ka përfshirë përmes jehonës së tyre, pra, të atyre ngjarjeve, veprimeve, veprimtarive, sjelljeve politike e të tjera kosovare në politikën e faktorëve politikë e diplomatikë evropianë e amerikanë ndaj Kosovës.

Ne, këtu, në Kosovë, kush si pjesëmarrës i lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kush si veprimtar kulturor e kush si vëzhgues i gjithë asaj që po ndodhte e po bëhej në Kosovë kemi ditur se çka po ndodhte, çka po bëhej në Kosovë e në Jugosllavi në përgjithësi, por nuk kemi ditur sa do të duhej e sa do të ishte mirë të dinim se çka krejt po ndodhte e po bëhej në Evropë për Kosovën e ndaj Kosovës.

Në librin e tij Fitorja diplomatike Sabri Kiçmari na i tregon, në mos jo të gjitha, atëherë më të rëndësishmet e të gjitha atyre që po ndodhnin e po bëheshin në Evropë për Kosovën e në lidhje me Kosovën, në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në lidhje me politikën e partive tona për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai na tregon për manifestimet e ndryshme, të shumta, qofshin ato protesta, qofshin ato kremtime, qofshin ato shënime përvjetorësh historikë, qofshin ato reagime të përbashkëta të bashkatdhetarëve tanë në Evropë ndaj dhunës e terrorit të regjimit të Slobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve në Kosovë.

Si autor dhe personazh kryesor, domethënë si protagonist i librit Fitorja diplomatike Sabri Kiçmari na tregon për veprimtarinë e tij e të bashkëveprimtarëve të tij, para së gjithash politike e diplomatike, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Evropë. Janë të shumta e janë të ndryshme gjithë ato që bën ai me ata bashkëveprimtarë për Kosovën në Evropë. Dhe, ato janë: takime me zyrtarë të ndryshëm evropianë: me ministra, ministra të Jashtëm, zëvendësministra, diplomatë, ambasadorë e drejtorë të sektorëve të ndryshëm politikë e shtetërorë; takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian; takime me zyrtarë e diplomatë amerikanë; vizita në kancelaritë e shteteve të ndryshme evropiane; pranime në Parlamentin Evropian e në Komisionin Evropian; pranim në Parlamentin e Belgjikës; reagime ndaj shkrimeve të papranueshme të ndonjë gazetari a publicisti evropian; konferenca me gazetarët në të cilat, natyrisht, shpjegohet gjendja në Kosovë dhe lufta për lirinë dhe pavarësinë e saj; intervista dhënë gazetave e medieve të tjera të ndryshme të një vargu vendesh evropiane; kumtesa të ndryshme për ngjarje të ndryshme në Kosovë e për veprime e reagime të institucioneve të ndryshme politike a shtetërore, të vendeve të ndryshme evropiane ndaj Kosovës dhe për Kosovën; qëndrimi i tij, i autorit Sabri Kiçmari dhe qëndrimi i shumë bashkatdhetarëve në Paris gjatë mbajtjes së Konferencës për Kosovën në Rambuje. E të tjera. E të tjera.

Anëtarët e delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë nuk mund të dinin, dhe nuk mund të dinin sepse ishin pothuaj të veçuar në Kështjellën e Rambujesë, se çka po bënin e si po reagonin bashkatdhetarët tanë të mbledhur në Rambuje ndaj Konferencës në fjalë. Prej kujtimeve të Sabri Kiçmarit do të mësojmë, gjerë e gjatë, hollësisht, se me çfarë urtësie politike, me çfarë organizimi, me çfarë manifestimesh shumë përshtypjebërëse do të paraqiten bashkatdhetarët tanë në Rambuje dhe do të përkrahin kërkesat e Delegacionit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nuk ka dyshim se e gjithë veprimtaria politike e diplomatike e Sabri Kiçmarit si përfaqësues për marrëdhënie me jashtë i UÇK-së, e sendërtuar përmes takimeve, bisedave, pajtimeve e mospajtimeve me bashkëbiseduesit, me zyrtarët evropianë, përmes vizitave në institucione të ndryshme të shteteve të ndryshme evropiane, përmes shkrimeve, reagimeve, intervistave, deklaratave, kumtesave, nuk ka dyshim, pra, se e gjithë kjo veprimtari e shumëllojshme e Sabri Kiçmarit me bashkëveprimtarët e tij përmban gjykime, vlerësime, lëndë e dokumente shumë të çmuara për historinë e përpjekjeve intelektuale, politike e diplomatike dhe të luftës ushtarake të popullit shqiptar të Kosovës e të popullit shqiptar në përgjithësi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitorja diplomatike është, prandaj, vepër letrare shkencore me rëndësi të veçantë për shkrimin e historisë më të re të Kosovës.

E vështruar, e shpjeguar dhe e vlerësuar në perspektivën historike, kjo veprimtari intelektuale, politike e diplomatike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është njëkohësisht luftë mendore, politike, kombëtare për zgjidhjen e drejtë, përfundimtare, të çështjes shqiptare.

Vepra Fitorja diplomatike nuk është vepra e parë e, jam i sigurt, as e fundit që studiuesi shkencor, Sabri Kiçmari, i dhuron strategjisë për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje të madhe kombëtare dhe ballkanike, e kjo do të thotë, më në fund, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Autor: Rexhep Qosja