Nga “Fitorja diplomatike”

Në pranverë të vitit 1989, në një bisedë të gjatë tematike në Divjakë të Malishevës, në shtëpinë e xha Nezës (Nezir Zogajt), me dy nga shokët e mi bashkëveprimtarë, Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën, po diskutonim në lidhje me rëndësinë e faktorit të brendshëm dhe atij të jashtëm në luftën tonë për Liri dhe Republikë.

Me Fadilin dhe Afrimin bashkëpunonim shumë ngushtë, duke e udhëhequr dhe riorganizuar së bashku Lëvizjen, duke i organizuar dhe udhëhequr së bashku dy mbledhjet konsultative të Lëvizjes në Obiliq (në shkurt 1989, gjatë kohës sa mbaheshin Grevat e Minatorëve) dhe Konferencën e Parë të Lëvizjes në nivel kombëtar në shtëpinë e xha Nezës në Divjakë (në prill 1989). Përpjekjet tona kishin rezultuar me sukses në organizimin e një numri të madh demonstratash anekënd Kosovës, në unifikimin e faktorit të gjithëmbarshëm shqiptar rreth idesë së Republikës, në rritjen e gatishmërisë për veprim përmes asaj që populli i dha emrin e bukur «Çeta e Llapit» dhe në vendosjen e bazave të mirëkuptimit dhe mbështetjes së faktorit ndërkombëtar për Kosovën (sidomos nga Kongresi i SHBA-së dhe Parlamenti Evropian).

Në ndërkohë gjatë Konferencës së Lëvizjes, të mbajtur në prill 1989 në Divjakë të Malishevës, ishte marrë vendim që unë duhej larguar nga Kosova, përkundër dëshirës sime. Kishin kaluar shtatë muaj që nga hedhja ime në ilegalitet. Më 27 shtator 1988 i isha shmangur me sukses tentimit të policisë titiste për të më arrestuar. Strehohesha, mbështetesha dhe ushqehesha nga shtëpitë e shumta të popullit. Tani gjykohej se detyra ime, në cilësinë e Sekretarit Organizativ të Lëvizjes, për riorganizimin e radhëve me Konferencën e Prillit ishte përmbushur. Detyrën e Sekretarit Organizativ do ta merrte përsipër pas Konferencës Afrim Zhitia. Nga komunikimi i muajve të fundit që kishim pasur me përfaqësuesit e Degës së Lëvizjes jashtë vendit kishim ardhur në konstatimin se Lëvizja kishte bërë punë të mirë në mobilizimin dhe organizimin e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër dhe Gjermani, por jo mjaftueshëm në studimin e luftërave të popujve të tjerë për liri dhe fare pak në sigurimin e mbështetjes së qeverive të Evropës Perëndimore në përpjekjet tona të drejta për Liri dhe Republikë.

Në kuadrin e një këndvështrimi politik, të krijuar e forcuar së bashku me shumë bashkëveprimtarë të Lëvizjes sonë për Republikë, kishim ardhur në përfundimin se faktori i jashtëm vihet në lëvizje vetëm përmes faktorit të brendshëm dhe se faktori i jashtëm luan rol ndihmës, kurse ai i brendshmi është vendimtar.

Këtë koncept politik e shndërruam edhe në program veprimi në Konferencën e Parë të Lëvizjes sonë për Republikë në prill të vitit 1989, me përfaqësues nga shumë vise shqiptare të pushtuara, që e mbajtëm në Divjakë të Malishevës. Faktori vendës u vendos të mbetej kryesori, por vëmendja jonë duhej drejtuar edhe ndaj faktorit të jashtëm.

Prandaj, morëm vendim që në demonstratën e 30 majit të vitit 1989 në Llap, përpos kërkesës «Kosova Republikë», të shtronim edhe kërkesën «Europe help!» Atë ditë në Kosovë po qëndronte një delegacion i Parlamentit Evropian për të monitoruar gjendjen pas demonstratave të marsit të vitit 1989. Përmes kësaj thirrjeje për mbështetje ne dëshironim t’i përcillnim një mesazh diplomatik Parlamentit Evropian: Populli shqiptar nuk kërkon asgjë tjetër pos liri, barazi, demokraci dhe Republikë, vlera politike këto që Evropa i çmon si të sajat.

Demonstrata u shtyp me gjak! Bashkëveprimtari ynë, heroi i kombit, Ali Ajeti, ra trimërisht në ballë të demonstratës. Isha pranë tij në momentet e fundit të jetës së tij. Ky moment e ka përshkuar dhe do ta përshkojë jetën time si njeri, si qytetar, si veprimtar, si studiues dhe madje edhe si diplomat. Ky moment, jam i bindur, është ngulitur thellë në kujtesën e qytetarëve të Llapit dhe gjithë Kosovës. Parlamenti Evropian e gjykoi dhunën e policisë pushtuese. Bota perëndimore filloi të marrë në konsideratë kërkesën tonë për mbështetje. Të na kuptojë dhe të na mbështesë!

Në dritën e këtyre ngjarjeve dramatike, pasi e kishim konsoliduar mirë në rrafshin organizativ Lëvizjen, Afrimi dhe Fadili insistuan që unë të shkoja jashtë vendit, të vendosesha në Gjermani, ku gjykohej se Lëvizja ishte më e dobët, të studioja luftërat e popujve të tjerë për liri dhe të punoja në drejtim të mbështetjes ndërkombëtare për të drejtën tonë për Liri dhe Republikë. Më 2 nëntor të vitit 1989 Afrimi do të binte heroikisht së bashku me Fahri Fazliun. Më 25 prill 1990 Fadili do të jepte frymën e fundit në Spitalin e Bazelit nga një sëmundje e rëndë, e fituar në burg. Por, te unë do të mbetej e ngulitur thellë në kujtesë si një mesazh profecie biseda me ta për detyrën time në të ardhmen.

Menjëherë pas arritjes në Gjermani do të filloja me një zell të madh për të njohur luftërat e popujve të tjerë për liri. Do të lexoja dhe analizoja me kujdes për luftërat e popujve baltikë (Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë) për liri dhe pavarësi kundër Federatës Sovjetike, për përpjekjen diplomatike të popullit gjerman për bashkim, luftën e popujve slloven, kroat dhe boshnjak për pavarësi dhe një numër të madh luftërash të popujve të tjerë nëpër botë.

Në të njëjtën kohë, në gjysmën e parë të viteve 90-a mësova gjuhën gjermane dhe i fillova studimet për filozofi, shkencë politike dhe sociologji, fillimisht në Universitetin e Ruhrit në Bochum dhe më pas në Universitetin Rheinische Friedrich-Wilhlem të Bonit. Ndoqa një kurs për diplomaci në Universitetin e Ruhrit në Bochum. Hulumtoja çdo mundësi, çdo kurs a seminar, që kishte të bënte me marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën e jashtme dhe diplomacinë. Kureshtja ime për më shumë dije në këtë fushë ishte e pakufi.

Me kërkesë të disa rretheve të Lëvizjes brenda vendit do të merrja pjesë në debatet programore e vendimmarrëse në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të Lëvizjes (në gusht të vitit 1993), në të cilën do të vendosnim dhe përcaktonim qartë domosdoshmërinë e organizimit të luftës sonë çlirimtare. Në këtë mbledhje do të përcaktonim bazat themelore teorike, politike dhe filozofike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe, kur filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte rrjedhim logjik marrja e përgjegjësisë së përfaqësimit të saj politik, duke akorduar përvojën time politike në kuadrin e përpjekjeve të Lëvizjes sonë për Liri dhe Republikë, me dijen teorike të marrë në universitetet gjermane.

Prandaj, këtë vepër duhet parë si libër kujtimesh dhe dokumentesh njëkohësisht. Në të përfshihet vetëm një periudhë fare e shkurtër dhe specifike e veprimtarisë sime, periudha e përfaqësimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë libër nuk janë të përfshira të gjitha intervistat e publikuara. Mungojnë një numër intervistash në mediumet elektronike në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, hungarisht, norvegjisht e kroatisht etj. Teknikisht ishte e pamundur sigurimi i tyre.

I falënderoj bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e shumtë, të cilët i konsideroj, nëpër periudha të ndryshme kohore, si bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e botëkuptimeve dhe koncepteve tona politike në kuadrin e përpjekjeve tona për liri. Numri i tyre është shumë i madh dhe çdo tentim për të filluar përmendjen me emër, do të mbetej ndonjëri anash, gjë që nuk e dëshiroj.

Kam pasur fatin dhe nderin që, si përfaqësues për marrëdhënie me jashtë i UÇK-së, të takoja qindra gazetarë, ushtarakë, diplomatë, ambasadorë, ministra, kryeministra e presidentë shtetesh në përpjekje për të çliruar Kosovën nga pushtimi i Serbisë. Shfrytëzoj rastin që, edhe në këtë formë, të falënderoj për korrektësinë dhe ndihmën që i dhanë Kosovës diplomatët, deputetët e parlamenteve të ndryshme, ministrat, kryeministrat dhe presidentët e shteteve, me të cilët kam pasur rastin të takohem. Shumica syresh kanë lënë mbresa të pashlyeshme tek unë. Kontaktet me ta kanë ndikuar në përfitimin e një përvoje të rëndësishme drejt mësimit të bazave të diplomacisë si praktikë.

I falënderoj përzemërsisht edhe dhjetëra gazetarë të mediumeve elektronike e të shkruara anekënd Evropës dhe SHBA-së, pa të cilët nuk do të mund ta kryeja me kompetencë detyrën e përfaqësuesit të UÇK-së për marrëdhënie me jashtë, të cilët përgjithësisht e kanë përcjellë në mënyrë korrekte fjalën time publike.

(Ky tekst është marrë nga libri “Fitorja diplomatike: kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, i cili ka dalë nga shtypi javën e kaluar)

Autor: Sabri Kiçmari