Një test për demokracinë amerikane

Presidenca e Donald Trumpit është duke ofruar mësime të rëndësishme në politikë qytetare dhe testimin e fleksibilitetit të demokracisë amerikane.

Janusz Bugajski 
Analist i politikave 

Presidenca e Donald Trumpit është duke ofruar mësime të rëndësishme në politikë qytetare dhe në testimin e fleksibilitetit të demokracisë amerikane. Asnjë vend nuk mund të konsiderojë veten absolutisht të sigurt nga kërcënimi i anulimit të sistemit të vet demokratik nëpërmjet manovrave të zyrtarëve të zgjedhur. Trump ka tendenca autoritare të cilat ai tashmë i ka bërë pjesë të ndërmarrjeve të tij të biznesit. Ai është duke zbuluar se drejtimi i një biznesi dhe kryesimi me një vend demokratik nuk janë e njëjta gjë.
Trump është përpjekur të ushtrojë autoritetin presidencial, por ka hasur në rezistencë institucionale për shkak të strukturës së demokracisë amerikane. Parimi i ndarjes së pushteteve është bërë një faktor i rëndësishëm gjatë javëve të para të administratës. 
Të dy degët, gjyqësori dhe legjislativi, kanë kufizuar dhe madje bllokuar autoritetin ekzekutiv.
Kushtetutshmëria dhe sundimi i ligjit janë komponentët themelorë të sistemit amerikan. Si rezultat, disa gjyqtarë federalë kanë bllokuar urdhrat ekzekutiv të Trumpit, për të kufizuar apo edhe për të ndaluar emigracionin, nga vendet e zgjedhura, me shumicë myslimane. Me sa duket, dekretet presidenciale të Trumpit kanë shkelur kushtetutën duke diskriminuar kundër grupeve të caktuara fetare.
Mbikëqyrja e Kongresit gjithashtu është shfaqur në disa raste. Rasti më i theksuar ishte dështimi nga dhoma e përfaqësuesve për të kaluar një ligj të ri të kujdesit shëndetësor. Kjo dëshmon se vendimet e Shtëpisë së Bardhë mund të kundërshtohen dhe ligjërisht të anulohen.
Pamundësia për të çuar përpara një projektligj jopopullor të sigurimit shëndetësor tregoi gjithashtu se nuk ka vetëm ndarje mes demokratëve dhe republikanëve, por ka edhe dallime të thella të politikave mes fraksioneve të Partisë Republikane. Edhe pse republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit dhe kontrollin ekzekutiv, ata janë të kufizuar nga kontrolli i plotë politik dhe nga fraksionizmi, procedurat dhe opinioni publik.
Për shumë dekada, shumica e qytetarëve e kanë marrë, si të qenë, sistemin amerikan të qeverisjes ose kanë dështuar për të kuptuar se si funksionon. Presidenca e Trumpit është duke ndryshuar në mënyrë dramatike edhe interesin publik dhe përfshirjen publike.
Amerika gjithashtu mund të shërbejë si një mësim për ato shtete në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku partitë në pushtet kërkojnë të përdorin mandatin e tyre elektoral për të vazhduar sundimin e tyre përmes ndryshimeve kushtetuese dhe masave legjislative. 
Na duhet një shoqëri civile e gjallë, një media e lirë dhe opozitë efektive politike, në mënyrë që të sigurohemi që asnjë degë e qeverisë mos të ketë mundësi që mos ta respektojë sundimin e ligjit.
Si rezultat i veprave të Trumpit, SHBA-ja ka gjasa që të zhvillohet në një demokraci edhe më të fortë. Në të vërtetë, mund të thuhet se ajo që po ndodh nuk është vetëm riprodhim i demokracisë, në të cilën një numër i madh i qytetarëve bëhen të vetëdijshëm mbi sistemin e tyre të qeverisë, por edhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në të.