Etemaj boton ditarin poetik

Etemaj boton ditarin poetik

“Fletë të albumit tim” titullohet libri më i ri i poetit, publicistit dhe opinionistit Lulëzim Etemaj i cili, nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi këtë javë.

Ky libër është një përmbledhje e poezive me temë sociale, politike, filozofike, familjare, përkushtuese për figura atdhetare, përkushtuese për figura kombëtare, përkushtuese për babanë dhe për tema dhe figura të tjera që, dashur-padashur, së paku që nja dy dekada, kanë qenë pjesë e diskutimit në shoqërinë tonë në Kosovë dhe në mërgatën tonë në Evropë dhe në Amerikë.

Edhe pse autori i këtij libri jeton në Zvicër, pjesën më të madhe të këtyre poezive i ka shkruar gjatë kohës sa ishte në Kosovë, fillimisht në vitin 1997, pastaj pas vizitave të përvitshme në vendlindje, në Istog, menjëherë pas luftës në Kosovë, por edhe në qytete të ndryshme të Kosovës në dy-tre vjetët e fundit.

Titulli “Fletë të albumit tim”, edhe pse ta sjellë nëpër mend ditarin si formë e shkrimit letrar, është njëfarë lloj ditari poetik, njëfarë lloj albumi i mbushur jo me fotografi e faksimile, por me metafora, me krahasime, me epitete, me antiteza, me paradokse, me ironi e satirë e me figura të tjera të kuptimit, por jo edhe të bukurtingëllimit. Sepse Etemaj nuk ka shkruar poezi melodike dhe për t’u bërë këngë. Ka shkruar poezi kritike, me të cilat sikur dëshiron të na kujtojë të kaluarën dhe të tashmen, me vrojtim historik dhe realist.

Malli për Kosovën nuk është i pranishëm në cilëndo poezi të tij, por është në ato ku temë është Kosova, të cilën poeti e vëzhgon me sy kritik, por i qaset me shpirt lirik dhe me sy e mendje kritike.

“Fletë të albumit tim” ka këta shtatë cikle: “Lot të rrokullisur, Plaga në gjoks theri, Ninullat kurrë mos të shterojnë, Në Kosovë më gjelbëron ashti, Tani rrugën s’ta presin xhelatët, Fletë të albumit tim, Porta e kujtimit që rrinë gjithmonë hapur (nekrolog për tim atë)”. Në këta shtatë cikle janë përmbledhur 116 poezi, në të cilat Etemaj tregon talentin për shkrim të poezisë lirike dhe për përkushtim për Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, për Kadri Zekën, për Skënder Çekun, për Ardian Krasniqin, për Adem Demaçin, për Nait Hasanin, për Xhevahir Spahiun, për Haki Morinën, për Adem G., për Jasharët, për UÇK-në, për Prekazin, për Gllogjanin, për dëshmorët, për martirët, për Dritëro Agollin e për figura të tjera të ndritshme kombëtare, historike, letrare.

Ndër të tjera, përpos poezi kritike për ngjarje dhe për fenomene të panatyrshme në Kosovë, Etemaj poezitë e veta i mbush edhe me ndjenja prindërore, veçan kur shkruan për të bijat e veta, për motrën, për vëllanë, për ëmën dhe për babanë, për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, për masakrat e serbëve ndaj popullatës shqiptare, për bonjakët e Kosovës dhe për ata që, për lirinë që gëzojmë sot, dhanë jetën.