Vinca, nostalgji për kohën e rrezikshme

“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” është libri më i ri me poezi i poetit Agim Vinca dhe botimi më i ri i Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.

Në këtë libër janë përmbledhur 64 poezi lirike, të cilat, po përkrah titullit, kanë edhe nëntitullin “poezi dhe antipoezi”, me të cilat autori bart poetikisht, nëpërmjet figurave kuptimore, bukurtingëllueshëm jetëshkrimin jo vetëm të jetës dhe të familjes së vet, por edhe të shoqërisë shqiptare, duke trajtuar në poezi fort ndjeshëm dhe fort këndshëm dhe shumë seriozisht temën filozofike, temën për jetën dhe për vdekjen, për rininë dhe për pleqërinë, për të ëmën dhe të atin, për gruan, për trashëgimtarët (të nipin, Martinin), për motrat e ndjera, për vendlindjen, për lisin e Vojncës, për miqtë që për çdo vit, për shkak të vdekjes, i hiqen nga notesi që mban në xhep, por jo edhe nga mendja dhe nga e përmendura.

“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” është një përmbledhje e poezive të shkruara tash për ngjarje të ndodhura, pra për ngjarje të kaluara, të cilat, meqë kanë qenë të rrezikshme, e kanë shqetësuar autorin dhe ia kanë hapur gojën dhe mendjen që, përpos me ndonjë opinion shkruar për gazetë dhe dhënë ndonjë deklaratë për ndonjë medie elektronike, t’i trajtojë edhe poetikisht dhe t’i bëjë vepra arti të gjitha ato që i gjenden pranë: familja, njerëzit, miqtë; të gjitha atyre që u gjendet pranë: vendlindjes, lumenjve, maleve; të gjitha atyre që u gjendet nën: qiellit, reve, shirave; të gjithave atyre që u gjendet mbi dhe në to: tokës, atdheut dhe historisë shqiptare.

“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” s’është vetëm “curriculum vitae”. As vetëm një përmbledhje dhe përzgjedhje nga jetëshkrimi i gjatë, i kushtueshëm, i ndjeshëm dhe i përmallshëm familjar. “Nostalgji...” është më shumë se kaq. Është, sikurse kanë thënë në raste të tjera për poezinë e Vincës, drama e popullit shqiptar; është fati dhe fatkeqësia e tij. Është tragjedia, përkujtimi dhe ndjeshmëria për të rënët dhe për lirinë e fëlliqtë që e gëzojmë sot në njëfarë mënyre. Së këndejmi, me këtë libër, me këto 64 poezi, me disa referenca të shfaqura dhe me disa të tjera të fshehta dhe me këtë nostalgji për kohërat e rrezikshme, Vinca na bën ftesë të bëhemi më të ndjeshëm për çfarëdo njerëzore dhe, po ashtu, për çfarëdo jonjerëzore, edhe të pajisemi me sensorë po sikurse makinat e reja dhe të shtrenjta, të cilat reagojnë kur gabojmë dhe kur, për qëllime të këqija e mësymje, pishllojmë sa te një njeri, sa te një tjetër.

Në “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, sa gjejmë histori shqiptare ashtu siç e kishim dhe kështu siç e kemi, gjejmë edhe teori të letërsisë, gjejmë metrikë, gjejmë semanto, sintakso e leksikostilistikë. Me këtë përmbledhje dhe përzgjedhje, Vinca, duke qenë edhe studiues i letërsisë dhe njohës i jashtëzakonshëm i poezisë, na jep në dorë një libër të rrallë dhe një shembull të mirë për ta manovruar, ashtu sikurse ai poezinë dhe llojet e saj, edhe ne dijen teorike mbi figurat stilistike të manovruara nga ai në akëcilën poezi dhe, po ashtu, në akëcilin varg dhe, po ashtu, në akëcilën fjalë.

Ndër të tjera, gjejmë, në “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, pak Migjen, pak Dritëro, pak Lasgush, pak Zhozef, pak Volter e diku, disa të tjerë. Por, nuk janë këta ata që, teksa i përmend dhe teksa i kujton, e ngrefosin Vincën para nesh. Janë 16 këtu dhe janë 160 të tjerë tjetërkund që na ngrefosin, para gjithë të tjerëve, teksa i japin merita të veçanta e lëvdata të mëdha për poezi fenomenale dhe na e quajnë “mbret të poezisë”. Janë gjashtëmbëdhjetë veta në këtë përmbledhje që poezinë e Vincës e çmojnë, e që disa prej tyre janë poetë, disa janë studiues, disa janë prozatorë. Pra, janë: Luc Vidali, Alexandre Zoto, Gertruda Ejntrej, Kostas Valetas, Robert Elsie, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Nasho Jorgaqi, Adem Gashi, Beatriçe Balliçi, Sabit Idrizi, Feride Papleka, Jolanda Malame, Besnik Mustafaj, Ismail Syla që thonë dhe që pajtohen me Dritëroin se “Vinca është një poet i vërtetë, me identitet të palëkundur”.

Vlerësime për poezinë e Agim Vincës

«Poezia e tij është e ndritshme, vëllazërore dhe e afërt me popullin e tij. Metaforat e tij janë goditëse dhe tërheqëse. Lirizmi tij dritëdhënës. Si një Robert Desnos, një Guillaume Apollinaire a një Max Jacob, Agim Vinca është një njeri dhe një poet i lirë».

Luc Vidal, poet dhe botues francez

«Me poezinë e tij goditëse e plot sulme të papritura, herë përqeshëse e ironike e herë delikate e të padjallëzi, spontane e të përmbajtur njëkohësisht, Agim Vinca e pasuron poezinë shqipe të Kosovës».

Alexandre Zotos, studiues dhe përkthyes francez me origjinë shqiptare

«Agim Vinca është një poet i prirur drejt vargut të lirë dhe rimave të fuqishme... Duke e ndjerë veten qytetar i botës dhe duke i përjetuar thellë problemet e saj, ai është njëkohësisht shumë kombëtar, krenar për rrënjët e lashta të kombit të vet dhe historisë së tij».

Gertruda Ejntrej, albanologe ruse

«Bëhet fjalë për një shkrimtar që shkruan me sinqeritet, ndjeshmëri dhe finesë. Vlera e veprës së tij është e njohur në të gjithë Ballkanin dhe i ka kaluar me kohë kufijtë e vendit të vet».

Kostas Valetas, shkrimtar i njohur grek, president i revistës Αιολικά γράμματα

«Agim Vinca - kritik i shquar i poezisë, vargu i të cilit është ankoruar fuqimisht në tokën e vendlindjes dhe në fëmijërinë e tij».

Robert Elsie, albanolog kanadez

«Si për nga temat, idetë dhe erudicioni i përmbajtur në të, poezia e Agim Vincës është dukshëm e dallueshme në poezinë tonë në përgjithësi. Ajo është poezi jo rrallë jetëshkrimore, por ajo është shpesh poezi universale. Ajo është poezi në të cilën përemrat Unë, Ne dhe Ata janë në komunikim të vazhdueshëm, pajtues e kundërshtues, duke i dhënë të veçantës kuptim të përgjithshëm e të përgjithshmes edhe kuptim të veçantë».

Rexhep Qosja

«Poezia e Agim Vincës, që në librin e parë, shkrin ndjeshmërisht dashurinë për vendlindjen, me të dashurën, me lumenjtë, me malet, me qiellin, me retë, me njerëzit, me historinë dhe me gjithçka që përbën mëmëdhenë. Kjo poezi herë është meditative dhe herë shpërthyese, me metafora dhe epitete që krijojnë një botë shpirtërore të efektshme... Vinca është një poet i vërtetë, me identitet të palëkundur».

Dritëro Agolli

«... poet i pjekur, i larmishëm, plot nerv e frymëmarrje sa shqiptare aq edhe universale. Vjersha për Nënë Terezën për mua është në mos më e bukura, ndër më të bukurat. Po të isha unë redaktor i librit, do ta vendosja qysh në hapje të librit».

Bardhyl Londo

«Një prozë poetike e mrekullueshme, plot jetë e bukuri të gjallë (…) kushtuar dyrrotakut që i parapriu makinës, revolucionares së lëvizjes së njeriut. E denjë për çdo antologji».

Nasho Jorgaqi

«Mjafton të lexojmë cilëndo poezi të tij dhe në çast do ta ndiejmë regjistrin e zërave të kantilenës nga sazet e gërneta, tek fyelli e lahuta... Ai vjen në odat e Drenicës, si strugan, po në Korçë shfaqet si shkodran, në Ulqin si llapjan e në Gollak si vlonjat. Ai di të na miklojë me shirat lirikë të Preverit, siç di të egërsohet në çast dhe të akuzojë e protestojë me nervin e Zolasë».

Adem Gashi

«Poezia e Agim Vincës e ka krijuar qysh herët fizionominë e saj origjinale e të patjetërsueshme. Ajo është në ashtin e vet thellësisht kombëtare, ndonëse shpesh shfaqet nën një dritë rrëzëlluese moderniteti».

Beatriçe Balliçi

«Kambanë në qafë është një nga poezitë më të mira që kam lexuar në jetë. Një perlë e vërtetë! Një krijim letrar, që sintezon dhembjen, revoltën dhe rebelimin, me një gjuhë kaq poetike e ironi kaq të përsosur».

Sabit Idrizi

«Fjala e tij poetike vjen si një dritë e aftë për të zhbërë errësirën dhe vuajtjen. Ajo krijon imazhe të tejdukshme e të guximshme, duke i qëndruar larg automatizmit që vihet re në poezinë e sotme, shpesh e shkruar pa frymëzim dhe pa dashuri për gjuhën».

Feride Papleka

«Është poezia e një intelektuali që vetëzbulohet çast pas çasti… Agim Vinca është vëzhgues i hollë e i rafinuar, që, duke e përdorur me mjeshtëri gjuhën, i jep poezisë vërtetësinë e një akti shkrimor me forcë dhe ndjeshmëri të madhe».

Jolanda Malamen, kritike rumune

«Agim Vinca është poet që e ka jetuar dramën e popullit të vet dhe ka gjetur gjuhën universale për ta shprehur atë. Kjo është gjuha e metaforës, e cila tek ai nuk është një varg i vetëm a një togfjalësh, por buron nga tërësia e poezisë… E kjo nuk arrihet lehtë, por është një sfidë e vërtetë».

Besnik Mustafaj

«Libri më i ri me poezi i Agim Vincës, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, tregon katërçipërisht se liriku Vinca e zotëron me hollësi milimetrike poetikën e poezisë shqipe... Nuk ka strukturë ekzistuese në poezinë shqipe, qoftë të kultivuar, qoftë popullore, që nuk ka gjetur përdorim dhe risemantizim te Agim Vinca».

Ismail Syla

AGIM VINCA

Nostalgji për kohërat e rrezikshme

Çdo ditë në mëngjes posa hapi sytë

Te dera e shtëpisë sime në katin e dytë

dhe poshtë në parking te makina

Gjej reklama shumëngjyrëshe me siglën «Top oferta».

Ne kujdesemi për ju! - thonë plot finesë firma turlifare.

Më ofrojnë artikuj ushqimorë: mish, supë, kos, banane

Veshmbathje për dimër e për verë, enë kuzhine, mobilie

Atlete për burra, këmisha nate për gra,

bluza, dekolte dhe mbathje të holla fare

(tanga më duket se u thonë)

Çdo ditë në mëngjes te dera e shtëpisë

Pije alkoolike afrodiziakë kontraceptivë

Kompjuterë laptopë celularë

Lojëra shpërblyese…

Të gjitha me çmime speciale

Në Kosovën tonë të lirë

Ku jetojnë europianë të rinj të papunë,

Pleq pa pension

Amvisa pa shportë

Tregtarë, hajdutë, lypës, lavire…

Dhe njerëz misteriozë që enden me xhipa të zinj

Si të ardhur nga ndonjë planet tjetër…

Gjithçka 1 euro!

Të gjitha me zbritje.

Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!

Eci rrugës fillikat

Mjekërbardhë si Babadimri

Dhe befas më merr malli për kohërat e rrezikshme

Kur në mëngjes te dera e shtëpisë

Gjeja fletushkën ilegale «Çlirimi»!