Askush s`mund ta pengojë krijimin e ushtrisë deri në pafundësi

Kreu i Kosovës, Hashim Thaci, thotë se askush nuk do ti vëjë veto vendit të tij për krijimin e ushtrisë.

Kosova dëshiron të jetë në NATO dhe zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Shteti i tij, thotë Thaci nuk ka probleme me fqinjët.

TCH: Z. President i jeni futur një procesi të krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Edhe John McCain tha se do ta keni mbështetjen e SHBA për këtë. Përse i duhet Kosovës një ushtri?

Thaci: Kosova vend i pavarur dhe sovran. Çdo vend sovran ka ushtrinë dhe synimi jonë, vizioni është të jemi pjesë e NATO-s. Pa ushtri nuk ka partneritet për paqe dhe nuk ka NATO. Ne do të punojmë që ushtria e Kosovës të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve dhe një ushtri shumëetnike për ti shërbyer cdo qytetari, në cdo cep të vendit për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ne do të punojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse, në një koordinim të plotë me SHBA dhe NATO dhe do ti shterrojmë të gjitha mundësitë për të diskutuar edhe me serbët, por askush nuk mund ta pengojë deri në pafundësi dhe të vëjë veto.

TCH: A mund të thuhet se ju keni një afat tuajin se kur ose sa mund të prisni që serbët të ju kthejnë një përgjigje. Si do ti bindni serbët?

Thaci: Duke iu drejtuar kryesisë së kuvendit, duke mos lëvizur edhe për pak kohë për të futur në rend të ditës cështjen e transformimit të FSK në forcat e armatosura të Kosovës i kam dhënë edhe një mundësi për të diskutuar me serbët e Kosovës. Ndjehemi mirë që jemi në proces të integrimit edhe të 68 serbëve në FSK dhe ka edhe të tjerë. Ndjehen mirë dhe i shërbejnë vendit dhe qytetarëve. Tash procesi është më dinamik dhe më gjithëpërfshirës dhe vazhdojnë përpjekjet për të bindur serbët të marrin pjesë në votim në Kuvendit e Republikës së Kosovës. Por, mund të theksoj se procesi i themelimit të ushtrisë është i pandalshëm, i pakthyeshëm dhe do të ndodh në javët dhe muajt e ardhshëm.

TCH: Mund të thuhet se do të bëhet këtë vit patjetër?

Thaci: Përfundimisht do të ndodhë.

TCH: Një nga cështjet e rëndësishme dhe që është përmendur edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe akterët tjerë të rëndësishëm është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Aleksandar Vucic do të jetë president i ri i Serbisë. A do të kaloj dialogu në nivel presidentësh apo si e shihni vazhdimin e bisedimeve?

Thaci: Dialogu duhet të udhëhiqet prej njerëzve që kanë edhe mandat, përgjegjësi edhe legjitimitet edhe qytetar. Kemi rezolutën e Kuvendit të Kosovës që duhet ta respektojmë. Kosova do ti përgjigjet dialogut në bazë të ftesave të Bashkimit Evropian, zonjës Mogherini dhe do të kërkojmë një dinamizim të interesimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që SHBA jo vetëm të miratojnë dinamikën passive të Bashkimit Evropian, por ti japin energji dhe substancë këtij dialogu të mundshëm në të ardhmen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin ndërshtetëror Kosovë Serbi. Unë besoj tek ky pajtim dhe punoj në këtë drejtim.

TCH: Jeni të gatshëm të ketë një format tjetër, një konferencë paqeje apo si e shihni zgjidhjen e këtij problem?

Thaci: Unë i besoj përpjekjeve aktive dhe të gjtihanshem dhe në anën tjetër përpjekejve që për një periudhë më të shkurtër kohore të përmbyllen cështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura,. Nuk jam në favour të një procesi zvarritës dhe raskapitës deri në pafundësi. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë shumë dinamike me një agjendë shumë të qartë që do të ishte një marrëveshje më e madhe politike që do të nënkuptonte një lloj përpjekje për normalizimin e plotë, fqinjësi të mirë dhe pajtim ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Jam i bindur se gjërat që mund ti zgjdihim për tre muaj nuk kemi nevojë ti zvarrisim për tri apo pesë vite.


MË SHUME NGA Intervista