Edhe një deputet i pozitës e dëshiron rrëzimin e Qeverisë së Mustafës

Edhe një deputet i pozitës e dëshiron rrëzimin e Qeverisë së Mustafës

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim (LB), Raif Qela, që është pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, ka vlerësuar se gjendja aktuale në vend është mjaft e rëndë, dhe sipas tij nuk ka shpresë se në të ardhmen e afërt mund të përmirësohet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qela ka thënë se ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë.

“Përderisa kjo qeveri nuk po mund t’i plotësojë detyrat themelore të veta, ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë. Aq më parë kur edhe ligjet me shumë vështirësi po shqyrtohen e po miratohen. 

Kurse disa prej tyre nuk po kalojnë për shkak të kundërshtive brenda partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar ai. Qela ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse pajtohet ndonjëra prej partive kryesore të koalicionit, qoftë PDK-ja, qoftë LDK-ja sepse sipas tij, vetëm opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë. Megjithatë Qela nuk ka treguar nëse do të nënshkruaj apo jo këtë mocion. “Unë dhe Lëvizja për Bashkim, së cilës i përkas, nuk e kemi parë tekstin e mocionit, prandaj nuk kemi përgjigje paraprakisht. Se a do ta nënshkruaj apo jo mocionin e mosbesimit, varet prej arsyeve që janë theksuar në tekstin e mocionit”, është shprehur Qela. Ai ka folur edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke paralajmëruar se do të votojë kundër këtij versioni të demarkacionit. “Lidhur me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të votoj kundër. Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar”, ka theksuar Qela.

Pyetje: Z. Qela si e vlerësoni gjendjen aktuale në skenën politike të Kosovës?

Qela: Gjendja aktuale është mjaft e rëndë, pa shpresë se në të ardhmen e afërt mund të përmirësohet. Gjendja karakterizohet me pafuqinë e qeverisë për t’i çuar përpara proceset e fuqizimit të sovranitetit, me mungesë të ngritjes së theksuar të zhvillimit ekonomik, aq të nevojshme për vendin, me mungesë të krijimit të perspektivës për një të ardhme më të mirë, nga njëra anë, dhe me qëndrimet shterpe të opozitës, paqartësi politike se si të detyrohet kjo qeveri e papërgjegjshme dhe frikacake që të veprojë më me përgjegjësi dhe më me vendosmëri, e kombinuar me veprimet shkatërrimtare të opozitës, të cilat vetëm sa ia zgjasin jetën një qeverie të keqe.


Pyetje: Partitë opozitare kanë iniciuar mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës? Cili do të jetë epilogu i këtij mocioni dhe ju personalisht a do të votoni pro apo kundër tij?

Qela: Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse pajtohet ndonjëra prej partive kryesore të koalicionit, qoftë PDK-ja, qoftë LDK-ja. Natyrisht, nëse për këtë ka edhe pajtim të faktorëve kryesorë ndërkombëtarë që ndikojnë në zhvillimet në Kosovë. Sepse pa ta nuk do të bëhet as ky zhvillim. Pa pajtimin e ndonjërës prej tyre nuk ka sukses mocioni i mosbesimit. Vetëm opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë. Unë dhe Lëvizja për Bashkim, së cilës i përkas, nuk e kemi parë tekstin e mocionit, prandaj nuk kemi përgjigje paraprakisht. Se a do ta nënshkruaj apo jo mocionin e mosbesimit, varet prej arsyeve që janë theksuar në tekstin e mocionit.
 
Pyetje: Në opinion po përfolët shumë mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se është e nevojshme që të ketë zgjedhje të parakohshme?

Qela: Përderisa kjo qeveri nuk po mund t’i plotësojë detyrat themelore të veta, ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë. Aq më parë kur edhe ligjet me shumë vështirësi po shqyrtohen e po miratohen. Kurse disa prej tyre nuk po kalojnë për shkak të kundërshtive brenda partnerëve të koalicionit. Por as zgjedhjet e reja nuk do ta japin ndonjë produkt që do të dallojë cilësisht nga ky. Për fat të keq.
 
Pyetje: Një prej çështjeve aktuale është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, ndonëse ju jeni deklaruar me herët lidhur më këtë çështje, megjithatë a keni ndryshuar mendim lidhur me demarkacionin? Do të votoni pro apo kundër këtij versioni të demarkacionit?

Qela: Lidhur me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të votoj kundër. Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar.