“Java e Modës”, provim për disenjatoret

“Java e Modës”, provim për disenjatoret

Në një nga emisionet e sotme të mëngjesit në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, në lidhje të drejtpërdrejtë me studion ishte gazetarja Brikenë Beqiri, e cila kishte të ftuar organizatorin e “Javës së Modës 2017”, producentin Ilir Geci nga “Gecjan Fashion Group”, në bashkëbisedë me të cilin ka folur për “Javën e Modës 2017” që nis sonte me fillim nga ora 19.00 në "Swiss Diamond".

Geci tha se ka dhjetë vjet që merret me organizmin e modës dhe gjatë këtyre dhjetë vjetëve janë përpjekur që kreatorët, disenjatoreve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare t’u krijojnë hapësira që të prezantohen në një javë mode, e cila tashmë është bërë ndërkombëtare.

“Përveç disenjatoreve të huaja, kemi edhe modele të huaja dhe shumë të huaj të ftuar”, ka treguar Geci, duke bërë me dije më pas se, për përgatitjen e kësaj jave u janë dashur kohë gjashtë muaj dhe një staf i madh.

“Për ta realizuar ‘Javën e Modës 2017’ përgatitjet i kemi filluar para gjashtë muajsh. Thënë të drejtën, kreatoret e ‘Gecjan Fashion Group’ kanë punuar gjatë tërë vitit për t’i prezantuar veshjet e tyre sonte në hapje të ‘Javës së Modës’ dhe gjatë netëve në vazhdim”, ka thënë Geci.

“Java e Modës 2017” do të zgjasë dy net me xhirime dhe pesë net të ndara me etapa. Ai ka bërë me dije se gjatë këtyre netëve të “Javës së Modës” do të prezantohen 17 disenjatore nga vendi dhe rajoni dhe se, e veçantë këtij viti është se çdo vit disenjatoret tona po përballen me disenjatore ndërkombëtare.

“Ju them pa asnjë drojë se tregu i Kosovës, disenjatoret tona, sot po konkurrojnë me tregun dhe disenjatoret botërore. Me një fjalë, për sa iu përket veshjeve dhe dizajnit të tyre, konkurrojmë me cilindo treg botëror”, është shprehur Geci, i cili ka bërë me dije se në të ardhmen synojnë që “Javën e Modës” ta organizojnë dy herë në vit siç organizohet në shumicën e vendeve të botës.

“Ne njihemi si popull me stil, sidomos vajzat tona. Dhe, ‘Java e Modës’ për këdo është adresë se ku dhe te cili disenjator ose disenjatore mund ta bëjnë përzgjedhjen e veshjeve të tyre”, ka thënë Geci, që edhe ka treguar se risi e këtij viti në “Javë të Modës” është koleksioni për meshkuj, pasi asnjëherë më parë nuk kanë prezantuar ndonjë koleksion për meshkuj.