Kokëdhima: "Zgjidhja" do të kthehet në parti politike

Kokëdhima: "Zgjidhja" do të kthehet në parti politike

“Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Duke folur përpara anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të lëvizjes ‘Zgjidhja” në Lushnjë, drejtuesi i lëvizjes Koço Kokëdhima, u shpreh se Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të lëvizjes “Zgjidhja”.

“Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. 

Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë”-u shpreh Kokëdhima, i cili nisi në nëntorin e kaluar lëvizjen brenda PS-së për demokratizimin, shumimin dhe modernizimin e saj.

Kokëdhima u shpreh se lëvizja “Zgjidhja” i ofroi Ramës bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialiste dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje, por të gjitha ftesave, ai ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç ndodhi me shkarkimin e Sadrit Danajt dhe të dhjetëra mbështetësve të tjerë të lëvizjes “Zgjidhja”.

Fjala e plote e Koço Kokedhima ne Lushnje
Të gjithë e kemi ndjekur shkarkimin e Kryetarit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. Ajo është një ngjarje e shëmtuar, e paligjëshme dhe plot manipulime. Opinioni publik do t’i mbajë mend sjelljet e Gjiknurit që përdori edhe badigardët për të dhunuar e mposhtur qëndresën e Sadritit ndaj një procesi të falsifikuar zgjedhor. Feruz Bashon e panë të gjithë me zë e me figurë kur e fshehu në kanotieren e tij votën e pavlefshme për ta zëvendësuar më pas me një votë tjetër të vlefshme.
Për ta bërë këtë maskaradë, Rama e emëroi Feruz Bashon drejtor të OSHEE-së. Ky emërim ishte në vazhdën e emërimeve skandaloze të Ramës në administratë. Unë si deputet punova 3 vite me Feruzin. Ai mbante detyrën e kryetarit të PS-së për qytetin e Sarandës. Meqenëse për shkak të reformës ai do ikte nga drejtimi i PS-së, ne e përfshimë në listën e këshilltarëve të bashkisë së Sarandës në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Në kohën e qeverisë “Nano”, Feruz Basho kishte punuar drejtor i Pyjores. Në Sarandë qarkullonin shumë legjenda për bëmat e Feruzit me keca e qengja. Unë i konsiderova këto legjenda dhe nuk lejova që Feruzi të emërohej drejtor. Negociova me një kompani private dhe rregullova një punë të mirëpaguar për Feruzin. Bashkëshortja e Feruzit punon përgjegjëse në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Sarandë, ndërkohë që vajza e tij u punësua në vitin 2015 në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.
Feruzi nuk duhej vendosur në shtet ku punonin edhe dy pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, aq më shumë të vendosej drejtor OSHEE-je kur në gjithë jetën e tij ishtë marrë vetëm me kullota, me pyje, me dhi e me dhen.
Saranda nuk është një vend i humbur, është një vend ku ka specialistë e menaxherë të përgatitur edhe nga fusha e energjitikës. Por Ramës i duhej sjellja kamikaze e Feruzit për të falsifikuar procesin e votimit në Këshillin e Qarkut Vlorë dhe prandaj e vendosi drejtor në shtet. I bëj thirje prokurorisë së Vlorës të marrë të pandehur personat përgjegjës që manipuluan votimin për shkarkimin e Sadrit Danajt.
Sadrit Danaj u soll si shqiponjë. Ai, i vetëm, u përball për mbi 4 orë me një bandë pushtetarësh të skllavëruar dhe agresivë, servilë të kapur, frikacakë e pa personalitet. Sadriti tregoi një shembull frymëzues guximi e qytetarie për të gjithë popullin tonë të nëpërkëmbur. Të tillë janë anëtarët e Zgjidhjes. Ata nuk tremben, e marrin në sy rrezikun, nuk intimidohen, nuk thyhen dhe nuk tërhiqen përpara këtyre burracakëve të turpshëm të tiranisë së skamjes dhe korrupsionit. Zgjidhja është e vendosur për t’u ndeshur dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë së popullit tonë, për të fituar mbi ata që kanë bërë e bëjnë gjithë këto vepra të rënda në dëm të interesave të popullit dhe të njerëzve tanë.
Unë dua ta siguroj Edi Ramën se nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe për asnjë çast arrogancën, brutalitetin dhe arbitraritetin që ushtroi paturpësisht mbi drejtuesit e “Zgjidhjes”, mbi Nertilën, Jolën, Irenën, Silvanën, Tedin, Arditin, Gjergjin, Brigelsin, Thomain, Klementinën, Marinelën, Eltonin, Sadritin e sa e sa të tjerë, të cilët i kërcënoi, i shantazhoi, i shpalli armiq të partisë, i shkarkoi nga funksionet dhe i pushoi nga puna. Këta janë luftëtarë të demokracisë. Këta kanë respekt për lirinë e tyre dhe për lirinë e popullit. Më kot përpiqen ta izolojnë “Zgjidhjen”. Ajo nuk izolohet. Mbështetësit e “Zgjidhjes” shtohen çdo ditë me qindra e me mijëra. Më kot përpiqen të na trembin. Ata e kanë lepurin në bark! Ata tremben nga idetë e “Zgjidhjes”! Dhe nuk e kanë gabim! Bëjnë mirë që tremben dhe tmerrohen nga platforma dhe shqiponjat e “Zgjidhjes”.
Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Shqipëria nuk është një vend demokratik. Në këto 26 vite këtu është në fuqi partitokracia ose sundimi i kryetarëve. “Zgjidhja” do e shembë regjimin e partitokracisë! Do e shembë pushtetin e kryetarëve. Do të vendosë demokracinë dhe sundimin e popullit. “Zgjidhja” do të luftojë deri në fund për pastrimin e zgjedhjeve. Në këtë vend kryetarët nuk do të munden më të vjedhin, trafikojnë apo blejnë votat tona! Nuk do të jetë më si tani kur populli voton dhe kryetarët numërojnë votat. “Zgjidhja” do t’i reformojë partitë politike. Edhe Partinë Socialiste. Nuk do jetë më si tani që populli voton, kryetari zgjedh! Do t’ia marrim pushtetin abuziv kryetarit dhe do t’ua kthejmë socialistëve të bazës. Zgjidhja do ta rindërtojë të majtën në Shqipëri.  
Janë këto motive të ndritura që i bëjnë anëtarët e “Zgjidhjes” që të jenë shqiponja! Shqiponjat e “Zgjidhjes” për lirinë e Shqipërisë. Shkurt, “Shqiponjat e Zgjidhjes”! Në solidaritet të thellë e të plotë me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë goditur e persekutuar nga kjo qeveri, ju ftoj të bëjmë me duar simbolin e shqiponjës. Nderim e mirënjohje për Shqiponjat e Zgjidhjes! Shëmbulli i tyre na frymëzon, na trimëron dhe është një apel i fuqishëm për të gjithë të majtët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, që të mos frikësohen nga brutaliteti dhe represioni i qeverisë.
Zgjidhja nuk do të ndalet. Bashkohuni me “Zgjidhjen”! I ftoj të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi, të rinjtë e të rejat e universiteteve, shkollave, qyteteve dhe fshatrave që të bashkohen me ‘Zgjidhjen” dhe ta përmbysim rregjimin dhe klasën politike të korruptuar të Shqipërisë, të pastrojmë përçudnimin dhe kalbëzimin e sistemit tonë politik dhe të vendosim një demokraci kushtetuese të denjë për popullin tonë. Këta që drejtojnë prej 25 vitesh, të majtët e të djathtët, janë kusarë dhe rrënjëdalë. Ne nuk trembemi nga askush dhe nga asgjë. Ta ngrejmë popullin në këmbë. Të bashkuar si një trup i vetëm me popullin tonë, me nevojat dhe idealet e tij do ta thyejmë në mes kastën sunduese të këtij tranzicioni!
Është shumë e qartë se lidershipi i PS-së ka likuiduar dhe eleminuar çdo liri mendimi, shprehjeje dhe demokracie të brendshme në parti. Ky lidership, mori nën kontroll dhe drejtim një parti politike të mirëfilltë, të organizuar dhe me hapësira për mendimin ndryshe dhe debatin. Mori partinë më të mirë në vend dhe e ktheu në një bashkësi parapolitike, në një parti ku mendon, flet dhe vendos vetëm kryetari, pa asgjë të përbashkët me partitë e majta europiane, përveç dorës që shtërngon trëndafilin te simboli i PS-së, e ktheu PS-në në një parti antidemokratike. Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar. Asnjë armik i të majtës shqiptare nuk do ta bënte më mirë se Rama një plan për shkatërrimin e partisë më të rëndësishme politike në vend, Partisë Socialiste.
Lidershipi i Partisë Socialiste përjashtoi nga funksionet, si të gjithë drejtuesit e tjerë të “Zgjidhjes”, edhe mua, sepse nuk dëshiron që të lejojë asnjë liri për mendimin ndryshe dhe debatin në parti. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe Partia Socialiste.
Në emrin tuaj dhe të të gjithë anëtarëve të “Zgjidhjes”, në çdo fjalim u kam kujtuar drejtuesve të Partisë Socialiste se dora ime e bashkëpunimit qëndron e shtrirë. Këtë nuk e kemi bërë nga pozitat e të dobëtit. Nuk e kemi bërë as me hipokrizi. E kemi bërë me urtësi dhe sinqeritet për të ndihmuar përmirësimin e qeverisjes dhe Partinë Socialiste që të reformohej dhe të kapërcente situatën e rëndë në të cilën ndodhet.   
Lidershipi i PS-së gjithmonë ka bërë të paditurin dhe ka thënë se nuk e di kush është apo ku është “Zgjidhja”. Nuk i ka parë akoma lidershipi i PS-së mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë që mbushin sallat e mitingjet tona. Ai na përjashtoi pa asnjë procedurë, pa asnjë letër, duke na mbyllur dyert e forumeve të partisë brutalisht e forcërisht, me badigardët dhe të fortët e qeverisë.
Ne i ofruam atij bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialistë dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje. Në fund të marsit i propozuam një platformë për asamblenë dhe kongresin e jashtëzakonshëm që do t’i hapte rrugën demokratizimit dhe kohezionit të brendshëm të Partisë Socialiste. Edhe gjatë këtij muaji i kërkuam të pranojë “Zgjidhjen” dhe të diskutojmë në një kongres pune një plan të jashtëzakonshëm reagimi mbi situatën e brendshme, krizën politike dhe përmirësimit rrënjësor të qeverisjes së vendit.
Të gjitha ftesave tona, Edi Rama ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç e patë edhe në shkarkimin e Sadrit Danajt, me motivacionin se: “ti Sadrit nuk i pëlqen kryetarit të partisë”!
Përgjigjia e fundit refuzuese e Ramës për “Zgjidhjen” vjen me vendimin e tij që kongresi i Partisë Socialiste i 29 prillit nuk do jetë një kongres pune, por një spektakël për sukseset e qeverisë! Ai i shkoi deri në fund planit të tij për të na likuiduar politikisht, për të na larguar nga PS-ja dhe për të mos na llogaritur se jemi gjallë. Por ne jemi këtu! Jemi në këmbë! Jemi të fortë e të vendosur, më të fortë se kurrë! Jemi në krah të socialistëve dhe qytetatëve të thjeshtë të Shqipërisë.
E ftoj për herë të fundit Edi Ramën të mos e përçajë edhe një herë Partinë Socialiste. Ai duhet ta dijë se kjo çarje do të jetë me pasoja për zgjedhjet e ardhshme. Me “Zgjidhjen” po bashkohen çdo ditë të gjithë socialistët e vërtetë, qytetarët e vendit që duan një Shqipëri normale dhe një qeverisje për popullin, ata që duan ministra dhe kryeministra të pjekur, të zotë, të aftë e me kontribute, me integritet, të përgjegjshëm, të ndershëm dhe punëtorë.
Me “Zgjidhjen” do bashkohen ata që duan që në këtë vend të marrë fund manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve. Ata që duan që kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, president apo kryeministra t’i zgjedhë populli dhe baza e partive përmes primareve mikse. Ata që duan që në Partinë Socialiste të mos ketë vend vetëm për kryetarin dhe servilët e tij, që në këtë parti përfaqësuesit të mos i emërojë kryetari, por t’i zgjedhë baza. Ata që duan që në këtë vend të respektohen e të jenë të shenjta liria e opinioneve dhe e shprehjes, liria e konkurencës në ekonomi dhe në politikë, liria e mediave, liritë politike e njerëzore.   
Duke e përçarë Partinë Socialiste, Edi Rama do të jetë i humburi më i madh. Me “Zgjidhjen” po vjen baza e partisë, po vijnë ata që janë krenarë për trashëgiminë e ndritur të së majtës shqiptare, ata që kanë respekt e nderim për luftën Nacional-Çlirimtare, për heronjtë, dëshmorët, familjet e dëshmorëve dhe veteranët e kësaj lufte, ata që janë krenarë për veteranët e rindërtimit të vendit të dalë nga lufta, për ish-ushtarakët dhe mbrojtësit e atdheut tonë në dekadat e shkuara.
Me Partinë Socialiste të Udhëheqjes do të mbeten vetëm klientët e pushtetit, të paaftët që kanë zënë vende e poste me lekë, me tarafe e pa meritë, të punësuarit e kryeministrit dhe ata që janë katapultuar në PS, por që nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, të korruptuarit dhe bosët e hashashit. Ndërkohë është e qartë për të gjithë se “Zgjidhja” bëri gjithçka kishte në dorë për të mos u shkëputur nga PS-ja. Rama nuk na la asnjë shteg tjetër veçse të shkëputemi nga PS-ja. Çdo shqiptar dhe çdo i majtë e di shumë mirë se Edi Rama po e përçan Partinë Socialiste dhe po e detyron “Zgjidhjen” të shkëputet nga Partia Socialiste.
Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë. Për shumicën e plagëve të rënda të popullit tonë, të ekonomisë dhe të sistemit politik në Shqipëri. Çdo socialist dhe qytetar në Shqipëri do ja faturojë Ramës këtë përçarje të Partisë Socialiste, jo mua.
Deri sot Zgjidhja ka regjistruar në bazat e saj të të dhënave 15 mijë anëtarë. Në fund të muajit prill presim të kemi 20-25 mijë anëtarë. Në pak javë “Zgjidhja” do të jetë formacioni i katërt politik i vendit. Çdo anëtar I zgjidhjes do punojë për të rekrutuar një anëtar të ri jashtë lidhjeve të tij të gjakut. Ne nuk duam rekrutime formale. Anëtarët e Zgjidhjes janë misjonarë. Ata do zgjidhin situatën e vështirë që ka populli ynë. Ata do të ndryshojnë sistemin politik në Shqipëri, do thyajnë në mes partitokracinë dhe do vendosin Demokracinë kushtetuese, sundimin e ligjit, lirinë e konkurencës në ekonomi, politikë e kudo dhe do begatojnë vendin. Anëtarët e Zgjidhjes do I kthejnë popullit pushtetin e grabitur nga kryetarët!
Një antar i “Zgjidhjes” nuk është një numur, nuk është një vegël që e përdorin kryetarët dhe servilët e kryetarëve për pushtetin e tyre, nuk është as “një përdorimësh”, dhe as “shumë përdorimësh”! Një antar i zgjidhjes është një luftëtar i ndërgjegjshëm për ta shkulur nga rrënjët varfërinë, maskarallëkun dhe korrupsionin e pushtetarëve, arrogancën, paaftësinë dhe tutkunët e qeverisë, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen ndaj njerëzve të thjeshtë.
Një anëtar i Zgjidhjes është vetë Zgjidhja. Ja pse ti je Zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ne jemi Zgjidhja! I ftoj të gjithë anëtarët e Zgjidhjes kudo që janë të zhvillojë një rekrutim cilësor, të rekrutaojë në 10 ditët e ardhëshme një anëtar të ri të Zgjidhjes, një luftëtar të vendosur për kauzat tona të lirisë e përparimit! Kjo është fushata më e rëndësishme e Zgjidhjes për 10 ditët e fundit të prillit. Shtoi shqiponjat e Zgjidhjes me një shqiponjë të re.
Zgjidhja është platform politike më demokratike, është alternativa dhe programi politik që i duhet Shqipërisë për të dalë nga tranzicioni dhe për të përmbysur e përtërirë këtë klasë politike që vetëm na vjedh e na mashtron pa fund. I keni dëgjuar politikanët në këto vite se çfarë thonë? Çdo vit thonë se ekonomia u rit 3 për qind, 4 për qind, dy për qind etj. Këta janë vetëm mashtresa të paskrupullt. Në 10 vitet e fundit, nga viti 2006 e deri në sot në ballkanin përëndimor janë ritur vetëm 300 mijë vende pune. Vetëm dy shtete nuk kanë përfituar asnjë vend pune nga kjo ritje, vetëm Shqipëria dhe Bosnja.
Qeveritë tona na kanë dëndur me mashtrime. Të marrim edhe treguesin tjetër atë të ritjes ekonomike. Në këto vite ekonomia jonë është ritur vetëm në mashtrimet e qeverisë. Në vitin 2006 Shqipëria bëri 4203 dollarë të ardhura për frymë. Në vitin 2016 të ardhurat tona për frymë janë 4200 dollarë amerikanë. Qeveritë tona vetëm na manipulojnë. Këta pseftër janë të pandreqshëm. Populli ynë varfërohet, oligarkët e qeverisë pasurohen. Të fuqizojmë Zgjidhjen që ta përmbysim tiraninë e skamjes dhe korrupsionit. Çdo shqiponjë e Zgjidhjes të rekrutojë një anëtar të ri, të shtojë ushtrinë tonë të shqiponjave me një shqiponjë të re. Kam besim të palëkundur se ju do e plotësoni këtë detyrë të shenjtë që do e bëjë Zgjidhjen në pak kohë ndër forcën politike që do i japë tonin transformimeve të mëdha politike të muajve dhe viteve të ardhëshme në vend. Përpara se të mbushni formularin e anëtarit të ri, shpjegojini me durim 5 kushtet që duhet të plotësojë një anëtar i Zgjidhjes, 5 kushtet se si mund të bëhesh një shqiponjë e re e Zgjidhjes. Ky është vendimi më i rëndësishëm që po marrim sot për të gjithë anëtarët e Zgjidhjes në Shqipëri. Drejtuesit e strukturave tona në çdo nivel të planifikojnë këtë superaksion të këtyre 10 ditëve. Rroftë Zgjidhja! Rrofshin shqiponjat e Zgjidhjes!
Të dashur pjesëmarrës!
Kriza është tani e qartë dhe e plotë. Nuk e di se çdo të thonë drejtuesit e qeverisë tani. Për javë të tëra ata thoshin se Shqipëria s’ka krizë, PD ka krizë, Kriza e PD-së nuk është dhe nuk do kthehet në krizë politike për vendin. Pas kaq javësh këto deklarata është pak të thuhet se duken qesharake. Tani nuk ka dyshim askush se kemi një krizë të rëndësishme, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë përfundimisht. Rama thoshte se në 18 qershor do bëhen zgjedhjet. Tani vetëm bufi e beson se zgjedhjet mund të bëhen përpara vjeshtës. Siç duken gjasat do të ndodhin të gjitha parashikimet dhe konkluzionet e përcaktimet që ka bërë “Zgjidhja”. 
Të gjitha deklaratat e Ramës duket se kanë rënë në ujë dhe nuk rezistuan dot asnjë ditë. Ai e ka lënë në errësirë PS-në, pa vizion, pa strategji, pa plan. E transferoi iniciativën dhe kauzën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në duart e PD-së, duke e vënë në një pozitë shumë të ulët e të pamerituar morale e politike PS-në. Tani do të pranojë me siguri Reformën Zgjedhore, votimin elektronik dhe një paketë tjetër masash ligjore.
Ajo që nuk po e dëgjojmë akoma nga opozita është artikulimi i vullnetit që administrata zgjedhore të mos jetë më partiake. Të jesh komisioner apo numërues i PS-së apo PD-së është diçka me shumë rëndësi për personat në fjalë. Numëruesit dhe komisionerët kanë privilegje të veçanta në punësime dhe në përfitime të tjera nga pushteti përveç faktit se shumë përtej tyre tradicionalisht kanë nxjerrë edhe shumë përfitime të paligjshme duke bërë pazare me votat e pambrojtura të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur.
Në zgjedhjet e vitit 2013 Feruz Basho kishte përfshirë në listat e komisionerëve të PS-së disa të fortë. Kur e kontrollova listën unë i hoqa këta persona të cilët ishin në fakt militantë socialistë prej vitesh. Pasi unë i zëvendësova, në mbrëmje vonë erdhën në grup dhe, pasi rrëzuan me shkelma derën e jashtme të selisë të PS-së, protestuan gjatë për t’u rivendosur në lista. Sigurisht që unë nuk bëra asnjë tërheqje. Komisionerët dhe numëruesit janë një barrë e rëndë për partitë politike, procesin zgjedhor dhe popullin shqiptar.
Në asnjë vend demokratik në botë nuk ndodh që dy apo 4 partitë e mëdha të numërojnë votat e partive të tjera. Komisionet e votimit duhet të jenë shtetërore dhe të ngrihen me gjykatës, prokurorë, noterë, avokatë, pedagogë të universiteteve, studentë të ekselencës të fakulteteve juridike etj. Votimi dhe numurimi elektronik krijon kushte që departizimi i administratës zgjedhore të bëhet me reformën zgjedhore të këtij viti. Kjo reformë do të kursejë edhe gjithë atë energji të pashembullt njerëzore që harxhohet me ditë e netë të tëra në qendrat e numërimit dhe ato skena të shëmtuara kur numëruesit ja shtrojnë me pula e me raki në tavolinat e numërimit!  
Na duhet ta zgjidhim një herë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjeve. Shqipëria meriton zgjedhje të lira e të ndershme me standarde si në çdo vend tjetër europian. Nuk duhet të dëgjohet më kënga e OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet e radhës ishin me probleme, por të pranueshme. OSBE/ODIHR-i nuk e ka ndihmuar Shqipërinë ta zgjidhë këtë problem madhor të demokracisë që nuk e lë Shqipërinë të ngrejë kokë prej 20 vitesh. Data 18 qershor nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe. Vendimtare është të bëjmë zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme dhe të pakontestuara edhe po qe se na duhet t’i shtyjmë për në vjeshtë.
Dhe së fundi, dëshiroj t’ju drejtohem edhe një herë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës që të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite Partia Demoktratike dhe Partia Socialiste, të cilat, të dyja vjedhin, manipulojnë, blejnë dhe trafikojnë vota.
Në qershor të vitin 2013 i thirra në takim drejtuesit e Partisë Socialiste në Sarandë dhe ju kërkova që të përgatiteshin për të mbrojtur çdo votë nga vjedhja, manipulimi apo trafikimi. Feruzi më thotë aty për aty: Shef, mos u shqetëso për votat këtej. Mendoni për andej lart, nga Shqipëria e mesme dhe nga veriu ju se këtej poshtë nuk na i vjedhin dot ata të PD-së, këtej ju a vjedhim ne atyre. I mblodha gjithë drejtuesit, komisionerët dhe numëruesit dhe ju deklarova se po u prek një votë e aleatëve të koalicioni tonë, kjo është tradhëti ndaj koalicionit dhe ndaj Partisë Socialiste. Po u prek një votë e opozitës kjo do të konsiderohet si tradhëti ndaj Atdheut! Ja dolëm me shumë sforco të bënim një proces të ndershëm. Nuk dinim nga të ruheshim më parë.
Kriza aktuale nuk është thjeshtë krizë e Partisë Demokratike, është krizë e shkaktuar nga fakti se në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Prandaj kjo është krizë politike dhe institucionale e mirëfilltë me pasoja të rënda në jetën e vendit. Nga mënyra se si do zgjidhet kjo krizë do të varet paqja dhe stabiliteti afatgjatë e Shqipërisë. Duhet bërë ç’është e mundur që të zgjidhet një herë e përgjithmonë problemi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, me standarde të njëjta si në demokracitë më të zhvilluara.
Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën politike të vendit se sa reforma zgjedhore, pastrimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e krizës. PS-ja është duke e humbur shansin që të udhëhiqte procesin e reformës zgjedhore dhe ta çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.
Asnjë manovër nuk e zgjidh këtë krizë. Asnjë artificë nuk bën punë. Duhet konsensus me opozitën. Të bëhet reforma zgjedhore, të vendoset votimi dhe numërimi elektronik, të departizohet administrata zgjedhore, të përmirësohet legjislacioni për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit të zgjedhjeve, të caktohet një datë e re e zgjedhjeve për në tetor dhe të vendoset një qeveri e të majtës së bashkuar që i jep besim opozitës. Me këtë kompromis opozita të kthehet në parlament dhe të vazhdojë puna për zgjedhjen e presidentit dhe për reformat e tjera.
Këto nuk duhen bërë për vetëm për dakordësi me Partinë Demokratike, as thjesht për të kapërcyer krizën e rëndësishme. Kjo formulë është artikuluar për herë të parë nga “Zgjidhja” si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund qeverisjes nga rregjimet e urryera hibride antidemokratike, antipopullore dhe antikombëtare që kanë sunduar vendin këto 26 vite dhe për t’i hapur popullit tonë rrugën e demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe mirëqenies, për të ndërtuar përfundimisht shtetin modern në shqipëri.
Socialistët dhe qytetarët e thjeshtë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e bëjmë këtë luftë për këta socialistë e qytetarë të thjeshtë dhe për faktin se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk do ketë as shtet modern shqiptar dhe as zhvillim. Por unë këtu dua të deklaroj se këtë luftë do e bëjmë me të njëjtën vendosmëri edhe në mbështetje të kërkesave të drejta të vëllezërve dhe motrave tona, anëtarë e simpatizantë të thjeshtë të Partisë Demokratike sepse jemi të sigurtë se ashtu si socialistët e ndershëm të bazës ata as nuk kanë përgjegjësi dhe as nuk kanë përfituar nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në të shkuarën. Kërkesat e anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme janë të drejta dhe gëzojnë mbështetjen e socialistëve dhe të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë, gëzojnë mbështetjen e anëtarëve të “Zgjidhjes”. “Zgjidhja” qëndron në pararojë të të gjitha formacioneve politike shqiptare që luftojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mos u shqetësoni. Mos u manipuloni. Mos u turbulloni. Ka ardhur ora e ndryshimeve të mëdha. Po vjen koha e përmbysjeve të mëdha. Pas instalimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do shembim partitokracinë. Do i rrëzojmë dhe shembim pa mëshirë kryetarët që na përdorën, na mashtruan, na vodhën, na përbuzën, na shkelën, na prenë në besë e na rraskapitën në mjerim.