Hoti:Veseli si kryeministër do ta nxjerrë Kosovën nga moçali ku është

Hoti:Veseli si kryeministër do ta nxjerrë Kosovën nga moçali ku është

`Bujqësia dhe degët përcjellëse do të kenë kushte për treg, për të prodhuar, për finalizimin e prodhimeve vendore. Strategji e veçantë do të jetë prodhimi ekologjik. Një kombinim i politikave të bujqësisë në nivel kombëtar do të thoshte gërshetim, bashkërendim i të katër stinëve që ka hapësira shqiptare në të njëjtën kohë. Ekonomia e bujqësisë si dhe prodhimet e konsumit ushqimore duhet të plotësohen prej prodhimeve vendore. Jo më ‘eksport prej Kosovës në Serbi’, rreth një miliard euro"

Zv/ministri i Kulturës Rexhep Hoti, në një intervistë që ka dhënë për Epoka e Re, ka treguar për të gjitha planet dhe detajet që pretendohet të arrihen në mandatin e Kryeministrit Kadri Veseli, i cili sipas Hotit në mënyrë të padiskutueshme do ti fitojë zgjedhjet dhe do ta nxjerrë Kosovën nga ky moçal

Jeni njëra prej figurave kryesore që PDK e hedh në media në ditët e saj të vështira. A mund të na thoni çfarë do të thotë ‘ditë të vështira’ për PDK?!

‘Ditë të ndjeshme’në politikë ka çdo skenë politike, çdo subjekt politik. Krejt puna është si menaxhohet ‘ajo ndjeshmëri’. Te ne ato ekzistojnë sepse: a) projekti i Republikës është me vetëm 9 vite ekzistencë reale juridike e politike; b) projekti i Republikës është i ndërthurur më shumë faktorë të ndërvarur e të ndërlidhur të brendshëm e të jashtëm; c) republika është sovrane, është edhe përgjegjësi e përbashkët me SHBA-në; ç) Republika edhe me Kushtetutë është e ndërlidhur dhe e detyruar të konsultohet me shtetet si: SHBA-ja, BE-ja, NATO-n; d) Republika vazhdon ta ketë drejtësinë autonome të BE-së përbrenda, me fuqi ekzekutive e vendimmarrëse; dh) ardhja e Gjykatës Speciale do të jetë një drejtësia speciale, e cila, thënë figurativisht, i përgjigjet akuzave të mbetjeve nga neokolonializmi, ish-shtetit pushtues dhe faktorëve tjerë, çka do të thotë se shteti ynë është i aftë për të marrë vendime të mëdha, të dhimbshme dhe sado të padrejta që mund të jenë; e) ndarja e gjeneratave, ajo e kohës së autonomistëve, e pushtimit, e tranzicionit, e kohës së luftës, e tranzicionit UNMIK-as, - mendësia e sistemeve politike: komunizmi, tranzicioni, demokracia dhe e kohës së pushtimit, janë ndryshime epokale që kanë ndodhur; ë) koha e re e formimit të partive dhe e klasës politike dëshmon për ndjeshmërinë politike të vendit.

Përjashto PDK, të gjitha partitë tjera, ose janë parti familjare, ose janë parti të dhunshme e paatdhe, ku agjendën e bashkimit kombëtar e ka «uzurpuar» kryesisht militantizmi stalinist dhe shkolla jugosllave,- një vijë kjo mbi 100 vjeçare e vjetër në politikën e shqiptarëve. Të gjithë këta faktorë mbi të cilën qëndron Republika, sjellin stuhi politike jo rrallëherë.

Po cila është PDK? Çfarë mund të thuhet se ka bërë e çfarë do të bëjë PDK, në cilësinë e partisë më të madhe?

Brenda këtij kosntelacioni politik, mund të themi se PDK është e vetme në skenën politike të vendit që ka projektuar ardhmëri, ndërtim, perspektivë demokratike për Republikën dhe qytetarin, me sistem e filozofi të organizuar politike.

Është partia e vetme që koncepton vizione mbi të nesërmen e fëmijëve tanë në linja të trasha të orientimit të identitetit tonë shqiptar europian. Është partia e vetme që projekton agjendë e zhvillimit ekonomik për qytetarin, për biznese, për fermerë, për pensionistë, për sigurime shëndetësore e sigurime tjera, për planifikime hapësinore e ambient ekologjik, për vende pune e për punë të mirë, për shkollim cilësore e mbrojtje profesionale. Ajo e solli dhe e jetësoi agjendën e infrastrukturës së shoqërisë dhe shtetit në shërbim të qytetarit.

Me PDK filluan projektet madhore të shtetformimit, të ndërtimit dhe të zhvillimit. U kuptimësuan dhe morën rrugë proceset integruese euroatlantike. Shoqëria civile dhe media u funksionalizua si fundament boshtor autonom brenda proceseve të shoqërisë dhe të shtetit demokratik.

Sundimi i ligjit ishte së paku më i suksesshëm sesa i drejtësisë që erdhi nga OKB (UNMIK) dhe të këtij që është edhe aktualisht, pra i BE-s (EULEX). U fuqizua stabiliteti i Republikës dhe perspektiva e saj për të qenë lider e mbrojtjes dhe kultivimit të vlerave të civilizimit Perëndimor. U jetësua filozofia e dialogimit fqinjësor e rajonal në kuadër të Ballkanit Perëndimor.

U ngrit cilësia e komunikimit, e bashkëpunimit dhe e bashkërendimit brenda faktorit shqiptar në Ballkan dhe më gjerë. Me PDK nisi edhe hapi i parë i normalizimit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me ish-pushtuesin e saj.

Kur njeriu ju dëgjoni sesi flisni fitohet përshtypja sikur është bërë mrekullia në Kosovë dhe ajo ka ardhur prej PDK-së?

Fjala mrekulli është e tepruar. Por kështu është! Të gjitha ato që i themi janë të kapshme, të prekshme, reale. Kosova ka ndryshuar pamjen nëpërmjet PDK dhe pas ardhjes së saj në pushtet. Jo më parë. Para kësaj periudhe ajo ishte e ndryshkur, ishte korrozion i një koha që i përdhosi shqiptarët e të tjerët në të gjitha drejtimet.

Kjo nuk do të thotë se PDK nuk ka gabime. Por askush më shumë sesa PDK, madje, as te ndonjë parti politike te fqinjët dhe as në rajon, nuk është flijuar për ta ndarë fitoren e vet demokratike me të tjerët. PDK e ka shpëtuar Republikën që të tjerët të mos i vënë flakën.

E ka shpëtuar këtë vend kur të tjerët, për interesa krejt individuale, deshën ta rrënonin rendin demokratik, rendin publik, rendin kushtetues, rendin politik. Emëruesi i këtij shpëtimi është PDK në krye me ish-Kryetarin e saj Hashim Thaçi e tash me Kryetarin KadriVeseli.

Me PDK liria e Kosovës u jetësua, mori formë, hodhi shtat amanet i të rënëve, i dëshmorëve dhe heronjve. Mori kuptim gjaku i derdhur dhe gjithë ai flijim me luftë e më paqe, me dije e me kapital. Fal PDK u fuqizuan edhe subjektet e tjera politike...

Çfarë do të ndryshojë me ardhjen e Kadri Veselit në Krye të partisë, si dhe në krye të qeverisë së ardhshme, po qe se do t’i fitonit zgjedhjet e ardhshme?

Sa i përket ndryshimeve të mundshme në krye të PDK, kjo varet prej Kryetarit të saj. Në vazhdimin e pyetjes se çka me Kryetarin KadriVeseli Kryeministër mund të përgjigjem gjerësisht.

Me z. Veseli Kryeministër PDK është duke e dëshmuar së pari agjendën më të madhe që mund të ketë një parti politike, e ajo agjendë është qytetari i vendit. Agjenda e Kryetarit Veseli për ta dëgjuar qytetarin nuk është vetëm risi formale konceptuale. Ajo është një vizion në rrjedhë të bërjes së shtetit për shtetasit e vet, për ta dhe në shërbim të tyre. Jashtë kësaj logjike nuk ka kuptim as nocioni «atdhe», «komb», «shtet», «pavarësi», «sovranitet», «liri», «demokraci» etj.

Që nga pranvera e vitit 1981 qytetari ka dëgjuar e duruar lloj-lloj politike, për të cilën folëm më lart. Qytetari i Republikës së Kosovës e ka lanë gjithmonë veten keq, në emër të idealit për lirinë e Kosovës. Ka flijuar vazhdimisht.

Me epokën e Veselit Kryeministër, po merr fund njëherë e përgjithmonë harresa, injorimi dhe bërja politik larg qytetarit. Me të po fillon epoka që politika në vetvete të funksionalizohet për qytetarin, në shërbim të tij.

Ajo është shpikur për t’i shërbyer atij e jo për t’i shërbyer ‘vetvetes’. Filozofia e dëgjimit politik me qytetarin, me grupe të ndryshme të shoqërisë, me ekspertë, fermerë, biznese, pensionistë, të papunë, ekonomistë, studentë e më kategori tjera, nënkupton strategjinë fundamentale të Kryetarit të PDK-së, për të ndërtuar vizion, koncept, projekte e program konkret për qytetarin, për grupet e ndryshme të shoqërisë. Dëshmon praktikisht mundësinë për të gjithë. Fillimi i Ri me Qytetarin! Për Qytetarin!

A do të thotë kjo se mandatet e mëparshme qeverisës ku bënte pjesë PDK, sidomos dy mandate e kaluara ishin të dështuara?

Jo! Për dy mandate që i drejtoi PDK kishim trefishin, katërfishim të buxhetit të shtetit, mbarimin e projekteve në vlera miliardësh. Për këto dy mandate ndryshoi pamje e Kosovës. U përmbyll pavarësia, shtetndërtimi dhe agjendat e nevojshme që i kërkon një shtet i sapoformuar. Me z. Veseli do të përmbyllet një epokë e gjatë, e cila kërkonte vazhdimisht diçka prej qytetarit.

Qytetari është strumbullari i të gjitha proceseve politike, demokratike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, sociale. E kur them me qytetarin, e nënkuptoj edhe qytetarin e diasporës së Republikës së Kosovës. Qytetari do ta ketë mundësi për punën, për punë të mirë, me të ardhura e me kontribute.

Bizneset e vogla, të mesme do të kenë trajtim të favorshëm ku politikat fiskale do t’ju nënshtrohen interesave të punëdhënësit dhe të punëmarrësit në radhë të parën e jo shtetit. Fermeri, bujku, biznesmeni do të ketë perspektiv tjetër dhe investimet në ekonomi, në bujqësi do të shumëfishohen. Veçmas në këtë drejtim do të aplikohen format e tilla të investimeve ku edhe fermerët me më pak tokë, do të kenë perspektivë. Do të investohet aty ku punohet.

Bujqësia dhe degët përcjellëse do të kenë kushte për treg, për të prodhuar, për finalizimin e prodhimeve vendore. Strategji e veçantë do të jetë prodhimi ekologjik. Një kombinim i politikave të bujqësisë në nivel kombëtar do të thoshte gërshetim, bashkërendim i të katër stinëve që ka hapësira shqiptare në të njëjtën kohë. Ekonomia e bujqësisë si dhe prodhimet e konsumit ushqimore duhet të plotësohen prej prodhimeve vendore. Jo më ‘eksport prej Kosovës në Serbi’, rreth një miliard euro kesh në vit.

Në këtë drejtim mund të flasim për mineralet, për energjinë, për ekonominë e teknologjisë së butë, për shkollimin profesional, për kulturën, për politikat sociale kreative, për riorganizimin edhe reformimin e tregut të punës, për strategjinë e investimeve të «Hambarit të Diasporës», i cili duhet të jetë i kompletuar me ligje dhe me perspektivë të qartë të politikave investuese.

Mjaft më me eksportimin e të rinjve nga Kosova dhe mjaft më me fjalinë bajate për të thënë se Kosova e ka rininë? Kosova po mbetet me pleq për shkak se politika nuk është duke i kryer përgjegjësit e veta në kohën e fundit. Ajo ka mbetur shterpe, pa vizion.

Mjaft më me trajtimin e Kosovës si të ishte ky një vend i botës së tretë me probleme të shekullit të XVII. Mjaft më me qeverisjen e Kosovës prej ‘ushejzave politike të monizmit që i ka lënë si relikte të gjalla e infektuese pushtuesi i Kosovës.

Me z. Veseli Kryeministër këto realitet do të ndryshojnë brenda një mandati qeverisë. Opozita do ta ketë gjithmonë respektin e vet në institucione, në politikat publike, në konsensusin nacional. Mjaft më me denoncimin e Republikës së Kosovës prej gjithë atyre që duan të pasurohen, apo të sigurojnë buke për fëmijët e tyre, duke e shitur atdheun, duke e denoncuar atdheun, duke ju gëzuar shkatërrimit të atdheut! Mjaft më me politika të atilla që duan shtetin ta çojnë në shtëpi për ta shndërruar në kapital privat.

Me z. Veseli Kryeministër qytetari i Republikës do të ketë të holla në xhep, jo vetëm për vete, por edhe për familje. Në të vërtetë kjo edhe është njëra prej prioriteteve të një shteti modern demokratik. Që njerëzit të kenë mundësi prej punës së tyre për të shijuar jetën, për të shkuar në pushime, për të pasur fundjavë të begatë në shoqëri, në familje a gjetiu. Nxënësi, studenti, arsimi në përgjithësi do ta ketë cilësinë dhe zënien e dijës në nivel me shembujt më të mirë të shteteve të rajonit dhe atyre të BE-së. Shëndetësia nuk e ka problem vetëm mungesën e të hollave, por edhe me standardin e funksionimit të këtij institucioni në pajtim me profesionalizmin, përgjegjësisë dhe etikën.

Me z. Veseli Kryeministër, qytetari do ta ketë sigurimin shëndetësor bazik të garantuar. Do të futet gjithkund ku është e mundshme filozofia e garës, e konkurrencës, e transparencës. Brezi i ri do ta ketë shansin për ta shijuar teatrin, muzikën, garën sportive si dhe garën e konkurrencën në përgjithësi. Transparenca, sundimi i ligjit, mundësia për të gjithë, do të jetë parimi në çdo institucion!

Çfarë do të ndodh me krimin, korrupsionin, me dukurit tjera negative, me vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovës?

Funksionalizimi i sundimit të ligjit nuk do t’i lë hapësirë dukurive që ju përmendet. Drejtësia në Kosovë ka sukseset e saj. Ajo duhet të avancohet shumë më shumë. Me z. Veseli Kryeministër vrasjet politike do të trajtohen prej organeve të drejtësisë. S’do të kenë shanse për t’u lënë hapësirë manipulimeve më të vrarët për agjenda politike, siç po ndodh tash e sa vite.

Kjo dëshmon pikën më të ligë të atyre që e bëjnë këtë veprim me të vrarët e veçmas me ndjenjat e familjarëve që kanë humbur më të dashurit, e kurrë nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve. Si mund të aktualizohet çështja e vrasjeve politike vetëm në kohë fushatash politike. Mendoj se këta hipokritë e meritojnë ndëshkimin me votën demokratike që njëherë e përgjithmonë të mos i manipulojnë as familjarët e as të vrarët.

Sa i përket korrupsionit, me lejo të them një qasje me ndryshe. Duke mos e mohuar korrupsionin e pranishëm që është gjithandej, mund të ju them se korrupsioni më i madh në Kosovë është korrupsioni brenda njeriut të Kosovës, por brenda asaj mendjeje, e konceptuar në këtë rast, si vlerë apo jo vlerë. Prej viteve të ’90, Kosova ka një elitë, e cila nuk iu ka nënshtruar kurrë një sistemi të mirëfilltë të vlerave, të garës a të konkurrencës.

Njerëzit që prej asaj koha, i kanë dhënë njeri-tjetrit tituj e grada të ndryshme, pozita të rëndësishme në shoqëri, pa iu nënshtrua një verifikimi të mirëfilltë e sistematik. Të tillët ka shumë që nga Akademia e Kosovës e deri te mësuesi, politikani, deputeti ,mistri profesori... Të tillët nuk dallojnë shumë nga komandantët e pasluftës... Kanë shkruar vepra për njeri-tjetrin edhe pse në kuadër të atyre librave është e mundur të mos i kanë përdorur të gjitha shkronjat e alfabetit.

Nuk mund të mos ju pyesim për zgjedhjet, demarkacionin, asociacioni, ushtrinë?

Të gjitha pikat që i përmendet janë në tryezë të koalicionit. Për zgjedhje do të merret shpejt një vendim me partnerët e koalicionit. Nuk është në interes të PDK të vazhdohet qeverisja pa pasur mundësi më të marrë vendime të mëdha e të vështira, as në qeveri e as në kuvend. Vendi duhet të ecë përpara e nuk mund të mbetet peng i askujt.

Por as përfaqësuesit politikë të komunitetit jo shumicë serb, nuk mund pa kufi të hanë bukën në Prishtinë e të kenë mendjen në Beograd. Ata edhe mund të veprojnë kështu, por jo në dem të Republikës, në dem të shumicës, jo në dem të orientimit dhe identiteti europian perëndimor. Me Serbinë nuk na ndan vetëm një shtet fqinje me kufij shtetëror. Me Serbinë na ndan edhe kufiri i Perëndimit me Lindjen.

E kuptojmë çfarë do të thotë të bëhen manovrat ruse-serbe pranë kufirit tonë. Formimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës nuk ka alternativë. Është e turpshme që përfaqësuesit e «Listës serbe» deklarohen kundër ushtrisë. Por, më lejoni në këtë drejtim të përmend qëndrimin e ambasadori amerikan, Gregory Delawie: «Askush nuk e ka të drejtën e vetos për FSK-në».

Do të shtoja: askush nuk mund të themeloj asociacion jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Demarkacioni është çështje që mazhoranca, rrjedhimisht partia e kryeministrit Mustafa ka dështuar ta drejtojë, qoftë drejt konsensusit, (për çka nuk e kam kuptuar përse nuk është bërë kjo), qoftë drejt votimit në Kuvend, kur dihet se afro 30 për qind e deputetëve/eve të LDK-së nuk e mbështet Kryeministrin e tyre. Zgjedhjet?! Ato janë në trend, nuk e shihni, ato janë të pashmangshme, ato janë duke ndodhur?! Por këtë e vendosin vetëm partnerët e koalicionit!


MË SHUME NGA Intervista