Fuqia e politikës së jashtme të re të Trump-it

Fuqia e politikës së jashtme të re të Trump-it

Sulmi i presidentit Trump me raketa të telekomanduara subsonike mbi forcat ajrore të Sirisë ka dërguar tre mesazhe të forta: diktatorëve, aleatëve dhe Rusisë.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Ndonëse të kufizuar në fushveprim, veprimet e Trump-it në Siri ishin në kontrast të plotë me ato të administratës së Obamës, të cilat paralajmëruan për pasojat e krimeve të luftës, por dështuan për t’i ndëshkuar keqbërësit dhe për pasojë e humbën kredibilitetin ndërkombëtar. Diplomacia efektive duhet të mbështetet në një element të detyrimit për të bindur kundërshtarin. Megjithatë, shtrohet pyetja nëse Trump do ti arrijë objektivat e tij afatgjata për ta larguar Asadin nga pushteti në Siri.

Bombardimet e SHBA-së mbi Sirinë po ashtu perçojnë një mesazh të qartë ndaj aleatëve të saj, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Nëse Uashingtoni është i gatshëm ti mbroj civilët në Siri, atëherë me siguri nuk do të qëndroj duarkryq nëse kërcënohen civilët në territorin e ndonjë shteti anëtar të NATO-s që ndodhet në vijën frontale.

Gjatë mandatit të Obamas, disa aleatë të SHBA-së shprehën shqetësimin e tyre nëse Uashingtoni ishte i gatshëm të aplikoj nenin pesë të NATO-s për vetmbrojtje reciproke. Kur u zgjodh Trump u rrit frika e tërheqjes së SHBA-së, pasi ai kishte favorizuar mosndërhyrjen jashtë vendit. Në kontrast të plotë, një politikë e jashtme më e fuqishme e Trump-it duket se po rikthen besimin në mesin e aleatëve të SHBA-së.

Mesazhi i Trump-it ndaj Rusisë është i pagabueshëm. Disa anëtarë të kabinetit të Trump-it e kanë shprehur qartë mospëlqimin e tyre me përfshirijen e Moskës në krimet e luftës në Siri, neglizhencën e saj ndaj traktateve ndërkombëtare për përdorimin e armëve kimike dhe bashkëpunimin e saj me një regjim mashtrues i cili i vret civilët e vet.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë i dha Kremlinit një joshje për të bashkëpunuar në zëvendësimin e Asadit dhe ndërtimin e një armëpushimi të qëndrueshëm. Presidenti Putin nuk ka gjasa të mirëpres një ofertë të tillë, pasi kjo do të thotë braktisje e aleatit të tij më të besueshëm në rajon. Për më tepër, nëse Moska tërhiqet nga Asadi, Rusisë do ti bie besueshmëria në të gjithë Lindjen e Mesme si një partner jo i besueshëm që i dorëzohet presionit të SHBA-së.

Të qënit i ashpër me Moskën është një bonus shtesë për Trump-in, pasi kjo shërben për të larguar dyshimet se ai ka bashkëpunuar me Kremlinin gjatë fushatës zgjedhore. Rezultati më i mirë për presidentin nga hetimet e kongresit do të jetë prova se Rusia ka kërkuar të destabilizojë demokracinë e SHBA-së, por pa e ndihmuar direkt Trump-in.

Sa më shumë që Trump e sfidon Moskën aq më pak do të shihet si një kukull, i cili ka qenë i korruptuar apo shantazhuar nga shërbimet e inteligjencës ruse. Megjithatë, në shenjë hakmarrjeje për poshtërimin e Rusisë në Siri, Kremlini mund të vendosë për nxjerrjen në publik të e-mailave të hakuar nga fushata e Trump-it. Moska me siguri do të mirëpriste një proces të padisë ndaj presidentit, me qëllim të paralizimit të administratës më të sertë të SHBA-së.