Çamëria- plaga shekullore e shqiptarëve

Çamëria- plaga shekullore e shqiptarëve

Vepra e studiuesit të pasionuar, Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, shqyrton, analizon, trajton dhe nxjerrë përfundime interesante për problemin e Çamërisë nga lashtësia deri në ditët tona.

Qasja e këtillë i ka dhënë dorë autorit, jo vetëm të shfrytëzojë një literaturë të gjerë nga Fjalorët enciklopedikë e deri te vepra monografike autorësh të ndryshëm, por edhe të mbaj qëndrim kritik në punë të shqyrtimit shkencor të Çamërisë, si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Vepra studimore e Prof.dr.Selman Shemes, mjaft e vëllimshme, është shtrirë në dymbëdhjetë (XII) kapituj dhe përmbyllet me një përfundim prej 26 faqesh, në gjuhën angleze, mjaft dëshmues në aspektin e informacionit shkencor. Vepra ka 372 faqe brenda të cilave merr frymë jeta historike e një pjesë të madhe të popullit shqiptar, i cili duke u përballuar padrejtësive historike ka dëshmuar jo vetëm identitetin e tij kombëtar, por edhe lashtësinë e ekzistencës së tij. Duke u mbështetur  në  dëshmi arkeologjike, studiuesi zë fillin e të dhënave që nga parahistoria e deri te prania e dëshmive të  Kulturës së Komanit,  në trevën e Çamërisë, të cilat i ka sistemuar në kapitullin e parë.

Lashtësia historike e jetës së Çamërisë

Kur lexon veprën madhore të studiuesit Prof.dr.Selman Sheme, nuk mund të kapërcesh pa marrë me vete atë barrën e ankthit të njeriut me vetëdije kombëtare, se si është e mundur, të zhbëhet një krahinë e tërë, si është e mundur të zhvendosen një numër aq i madh i fshatarve me popullatë shqiptare, nëpër tronditjet historike të kohëve të ndryshme, në njërën anë, por edhe të marrësh me vete dhembjen e humbjeve njerëzore që shkakton kjo vetëdije për asimilimin e një pjese shumë gjallnore të popullit shqiptar, në anën tjetër. Vetëm lista e fshatrave që autori i ka sistemuar në kapitullin e dytë nuk të lë indiferent për humbjen e madhe që i ka shkaktuar historia popullit shqiptar nëpër tronditjet e shekujve, siç do të shprehej akademik Rexhep Qosja. Një humbje po kaq e madhe popullit tonë i është shkaktuar gjatë viteve 1877/1878, siç  na është e njohur të gjithëve,  edhe me gjenocidin serb mbi shqiptarët në Toplicën shqiptare dhe, zhbërjen e 714 fshatrave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, këtë krahinë shqiptare të cilën kurrë  askush nuk e zë në gojë, as pushtetarët e as opozita e Republikës së Kosovës.

Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, kapitullin e parë e ka mbështetur kryesisht në dëshmitë arkeologjike, jo vetëm për të risjellë në kujtesën tonë dhe të kohëve ekzistencën dhe praninë në këto hapësira të elementit iliro-arbëror, siç thotë ai, por edhe përkatësinë e identitetit të këtyre dëshmive.

Do të thotë, një kronologji e mirëfilltë e pranisë së elementit arbëror që nga lashtësia e këndej, por një prani që është zhbërë nga ideologji fashiste të pushtuesve grekë, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ku prania çame vjen e zbehet deri në mosqenie.

Dilema e parë që ngacmon vetëdijën e lexuesit, në raste të këtilla, është ajo e pamundësisë për ta kuptuar përmasën e këtij gjenocidi dhe heshtjen e madhe të botës demokratike, sidomos kur është fjala për shqiptarët, apo për drejtësinë historike që u është mohuar shqiptarëve në vazhdimësi. Bëhet fjalë për 620 fshatra, pra 620 vendbanime, që nuk janë më pjesë e realitetit historik në jetën e shqiptarëve, por janë e do të jenë pjesë e dhembjes së përjetshme për humbjen e tyre, siç janë edhe pjesë e kujtimit të përjetshëm të brezave të tërë të shqiptarëve. Prania e këtyre vendbanimeve, nuk ishte në kohën e para Krishtit, pra para epokës së re, po ishin dëshmi të shekujve XIV-XV, siç i ka sistemuar të dhënat autori në Kapitullin e dytë.

 Fakte që flasin për përkatësinë shqiptare të Çamërisë

 Autori i veprës Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi i nderuar Prof.dr.Selman Sheme, ka qëmtuar me durim dhe me kujdes, thuajse shumicën e burimeve shkencore për të dëshmuar përkatësinë tjetër, të ndryshme nga ajo greke të popullatës çame, ose, siç thotë autori dhe studiues të tjerë të banorëve të Epirit.

Duke mbështetur  mendimet e albanologëve të shquar gjermanë, studiues, që i kanë bërë nder jo vetëm shkencës albanologjike, por dijes evropiane në përgjithësi, sidomos për shqiptarët dhe Shqipërinë, siç janë Johan Tunman, i cili që më 1774 ka konstatuar se maqedonët e lashtë, epirotët  dhe ilirët janë popuj të një trungu dhe flasin të njëjtën gjuhë.

Më tutje, këto dëshmi i çon më tej albanologu më i njohur gjerman, Johan Han, faktet e të cilit, studiuesi  Prof.dr.Selman Sheme, i konsideron të arriturën  më të bindshme shkencore, jo vetëm për lashtësinë, por edhe për origjinën e përkatësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.

Studiuesi i tretë gjerman, Jakob Fallmerayer, i cili që në vitin 1857 deri më 1861 tri herë e boton veprën e tij shumë të veçantë, e sidomos të rëndësishme për studimin e çështjes së pranisë së popullatës çame në ato vise, Elementi shqiptar në Greqi, i kanë dhënë dorë autorit që të trajtojë bindshëm problemin e madh historik të Çamërisë.

Numri i autorëve të huaj dhe shqiptarë, arbëreshë dhe të tjerë që janë marrë me çështjen shqiptare, rrjedhimisht edhe me problemin çam, është i madh, që zë fill nga albanologët gjermanë të cilët i zumë në gojë e deri te Sami Frashëri ynë, që ishte edhe hartues i Programit të ideologjisë kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, janë dëshmi e mjaftueshme për të hetuar karakterin hulumtues të studiuesit Selman Sheme, si dhe të dhënat e shumta që ka sjellë në këtë vepër.

Këtu janë interesante të dhënat që ka marrë në shqyrtim nga folkloristi dhe entografi i njohur arbëresh, Antonio Bellushi, i cili studimin e tij për kulturën dhe venbanimet çame e ka botuar më 1994 në Kozencë të Italisë.

Autori i këtij studimi ka shkruar edhe vepra të tjera, që në taban kanë padrejtësitë historike që i janë bërë popullatës çame, siç është vepra e tij e botuar në Tiranë më 2005, Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike, (monografi), apo vepra tjetër, Hyrje në gjeografinë regjionale, botuar në Tiranë, më 2012, e kështu me radhë.

Struktura e veprës dhe ndërtimi i jetës çame

 Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, siç është theksuar më sipër, veprën e tij e ka ndërtuar në 12 kapituj. Çështjet që janë trajtuar janë të shumta, për të mos thënë se kapin të gjithë përbërësit e ndërtimit të jetës së Çamërisë, që nga lashtësia deri në ditët tona. Duke ndërtuar strukturën e studimit të tij, autori ka pasur kujdes që të ndjek, siç thuhet, kronologjinë e rrjedhës historike të pranisë së Çamërisë në jetën shqiptare.

Mund të thuhet prandaj, në shtrirjen e saj, studimi i autorit Selman Sheme, ka përthekuar të gjitha periudhat kohore, duke e vënë theksin në përbërësit që janë dëshmi e mjaftueshme, historike, kronologjike, arkivore, shkrimore për praninë e Çamërisë në jetën historike të popullit shqiptar.

Kur thuhet në jetën historke, është marrë parasysh faktori  i tërësisë gjeografike, gjuha dhe doket, trashëgimia e tërë nëpër periudha të caktuara kohore, nëpër kapërcylle shekujsh, që janë të përbashkët me ato çame.

Në secilin prej kapitujve, autori ka shtruar, ka analizuar dhe e ka mbështetur me fakte të burimeve të shumta të informacionit shkencor, çështje të caktuara të jetës së Çamërisë, duke filluar nga lashtësia e deri në ditët tona, por ato duke i shqyrtuar edhe me kritere të mirëfillta shkencore, pa ato animet folklorizuese, që aq shpesh e dëmtojnë mendimin e mirfilltë shkencor, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësitë e mëdha historike që i janë bërë popullit shqiptar nëpër shekuj.

Në të vërtetë, shumë çështje që ka trajtuar autori i këtij studimi të mirëfilltë, Selman Sheme, nuk e durojnë as anën folklorizuese të çështjeve, por as indiferencën që mëtojnë një dorë historianësh, gjoja në emër të paanësisë dhe të modernitetit.

Përfundim

Në veprën e tij të vëllimshme Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi Prof.dr.Selman Sheme ka shqyrtuar bindshëm edhe një aspekt të jetës së çamëve, doemos si të të gjithë popujve të tjerë që kanë pasur fatin e tyre. Aspekti që ka shqyrtuar autori, është mundësia e integrimeve rajonale, e cila ka vënë para dilemës së madhe shtetet kombëtare, për mënyrën e ruajtjes së përkatësisë së tyre. Por, kjo mundësi, siç është dhënë në kapitullin e njëmbëdhjetë të këtij studimi, ruan edhe kujtimet për vendin e të parëve, për vendin ku kanë qenë autoktonë, andaj kërkesat e tyre, sot (për fat të mirë) të përfillshme ndërkombëtarisht, përkufizojnë edhe mundësinë e shtrimit për zgjidhje të problemit të Çamërisë, sidomos në planin e integrimeve globale.

Duke vërejur me kujdes burimet e shumta që i kanë hyrë në punë autorit, Prof.dr.Selman Sheme, lexuesi bindet edhe për një fakt tjetër të madh, që është e kundërta e asaj që quhet veprim politik të shteteve që historia u ka bërë padrejtësi të këtilla, duke u dhënë të tjerëve pjesë të gjeografisë kombëtare të një populli, vetëm për të krijuar qetësinë e lëkurës së tyre, për të cilën askush nuk e di saktë se sa do të duhej të ishte e tillë. Përmbysjen e kësaj mendësie, të Evropës së djeshme e ka dëshmuar edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përmbysi robërinë dhe kolonializimin e fundit në Evropë, edhe Lufta Çlirimtare në Kosovën Lindore, e cila i dëshmoi botës se ato pjesë të gjeografisë sonë kombëtare janë të pushtuara, edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninën e sotme, e cila dëshmoi praninën e shqiptarëve në ato hapësira  që nga lashtësia e këndej.

Si do të jetë e nesërmja e Çamërisë?

Sa kam kuptuar  unë, nuk është  shumë  qartë, siç nuk është qartësuar edhe në të gjitha ato studime, historike, gjuhësore, etnografike, folklorike, gjeografike, gjeopolitike e të tjera, të cilat i ka shfrytëzuar për burime në veprën e tij, edhe autori i këtij studimi që po e përurojmë sot, studiuesi i mirënjohur Prof.dr.Selman Sheme.

Por, derisa gjumi i rrit fëmijët, siç ka thënë Plaku i Urtë i Pavarësisë sonë, Ismail Qemali, gjumi për popujt është vdekjeprurës. Shqiptarët, nëse u besohet veprimeve historike, në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzet e një, më në fund e kanë mësuar këtë shkollë të madhe të historisë –  mosharresën e kujtesës historike!

 ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE

(Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor)