Haliti: Prishja e koalicionit mund të bëhet me marrëveshje

Haliti: Prishja e koalicionit mund të bëhet me marrëveshje

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i cili është edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se prishja e koalicionit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të bëhet me marrëveshje.

Haliti në një intervistë për lajmi.net ka thënë se PDK-ja me shumicë absolute e mbështet ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ai poashtu ka thënë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë aktualisht mbështet nga opozita dhe pak deputetë të shumicë. Megjithatë, Haliti ka thënë se koalicioni mund të prishet përmes një marrëveshjeje.

Si i komentoni zhvillimet e fundit në koalicion?

Haliti: Tani janë këto dy çështje të cilat po diskutohen. E vërtetat është që çështja e Demarkacionit është mediatizu  me muaj të tërë dhe ka qenë pengesë edhe për zhvillimet tjera pozitive do të thoja. Mocioni për rrëzimin e Qeverisë është një çështje në vete të cilën e ka ngritur opozita dhe që është mbështetë nga dy apo tre deputetë të shumicës, të cilët e kanë nënshkruar, e që dihet se kush janë. Të tjerët janë në pritje të vendimeve të partisë, në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin këto dy ditë. Ne e kemi si obligim që ta ratifikojmë demarkacionin.

Grupi Parlamentar i PDK-së dhe Këshilli Drejtues i PDK-së ka kohë që e ka miratuar me shumicë votash çështjen e demarkacionit dhe po besoj që si Grup Parlamentar do të jemi me ndonjë pengesë të vogël. Por, me Statut të partisë e kemi obligim që vendimet e partisë t’i zbatojmë të gjithë, në të kundërtën mund të merren masa ndaj deputetëve që nuk i zbatojnë vendimet që i merr grupi Parlamentar dhe Këshilli Drejtues.

Sa i përket LDK-së, nuk e kam të qartë se janë të gatshëm të gjithë deputetët për ta votuar. Informata ka se edhe atje ka deputetë që nuk do ta votojnë.

Por ekziston edhe një problem tjetër sa i përket koalicionit, në bazë të të dhënave disa çështje nuk akne funksionuar dhe nuk po funksionojnë dhe këto mund të jenë shtytje për të pas ndonjë rezervë siç po deklarohen herë pas here ndaj Qeverisë.

Në rast se Mocioni i Mosbesimit ndaj Qeverisë nuk votohet, por pastaj nuk ratifikohet as Demarkacioni, a mund të ketë prishje të koalicioni?

Haliti: Prishja e koalicionit mund të bëhet me marrëveshje në mes të partnerëve të koalicionit, rrugë tjetër nuk ka. Nuk mund të them që ka bisedime për t’u marrë vesh. Nga lëvizjet që po i shoh është një kundërshtim i niveleve të partnerëve tonë strategjikë të cilët refuzojnë pretendimet për të shkuar në zgjedhje pa i kryer disa çështje tjera dhe është refuzimi i Lidhjes Demokratike, e cila thotë se nuk duhet të shkohet në zgjedhje dhe se duhet të respektohet marrëveshja për ta quar deri në fund mandatin. Se a do të funksionoj kjo apo jo është krejt çështje tjetër, por argumentet për këtë ne besoj se do t’i shqyrtojmë në parti nj për një, duke u bazuar në të dhënat që i kemi dhe do t’i marrim nga ministrat e Partisë Demokratike dhe të shohim se si do të marrim vendime në Këshillin Drejtues të Partisë.

A mund të ketë prishje të njëanshme të koalicionit, pra që PDK-ja të del nga koalicioni?

Haliti: Nuk e besoj që mund të ketë diçka të tillë por, varet nga vendimi i Këshillit Drejtues. Nuk mund të them që PDK-ja do të merr një vendim të tillë nëse nuk vendoset në organet e partisë. Ne do t’i shqyrtojmë fillimisht pakënaqësitë ose problemet që janë në koalicion, t;i shqyrtojmë propozimet e njërit dhe tjetrit dhe pastaj të shohim se si i marrim vendimet.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie nesër do të takohet me Grupin Parlamentar të LDK-së, a do të ketë takim të tillë edhe me Grupin Parlamentar të PDK-së?

Haliti: Nuk kam ndonjë ftesë për të marrë pjesë në mbledhje të tillë të Grupit Parlamentar, por nëse Delawie kërkon ndonjë mbledhje të tillë, besoj se grupi do të jetë i kompletuar dhe do të diskutojnë bashkë.