Gjurmët e tragjedisë çame

Gjurmët e tragjedisë çame

Vickers: Gjenocidi kundër çamëve i frymëzuar nga shefi anglez në Greqi. Përdhunimet, vrasjet dhe tortuarat mbi çamët. Ja shkaku i vërtetë i dëbimit të tyre nga trojet e të parëve

Miranda Vickers njihet si analiste e komentatore e shquar e ngjarjeve bashkëkohore për Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Ajo është shumë e njohur si komentatore e ngjarjeve të botës shqiptare në CNN, radio Londra dhe shumë media të tjera të njohura. Në Shqipëri është bërë e famshme për një sërë veprash ndër të cilat mund të përmendim : “Midis serbëve dhe shqiptarëve-Një histori e Kosovës”, “Shqiptarët-Një histori moderne”, “Shqipëria-Nga anarkia te një identitet ballkanik”, “Çështja shqiptare-Riformësimi i Ballkanit” etj. Duke qenë një analiste e përkryer e çështjeve shqiptare në këtë dosier mbi çështjen çame i jemi referuar pikërisht kësaj analisteje që njeh mirë politikën botërore dhe ballkanase. Ja të vërtetat e saj historike:cameri-560x420

Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore solli bashkimin e përkohshëm (1941-1943) të Kosovës me Shqipërinë, si dhe mundësinë e bashkimit në një entitet të vetëm të trevave të banuara me shqiptarë në Ballkan. Në gusht të vitit 1940 Italia pushtoi Greqinë. Në përpjekje për ta tërhequr popullin shqiptar pas kauzës së saj, Italia u premtoi shqiptarëve bashkimin e tyre kombëtar. Marrëveshja gjermano-italiane e vitit 1941 përcaktoi formimin e “Shqipërisë së Madhe”, që do të përfshinte territore të gjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi dhe të një sipërfaqeje më të vogël të Greqisë. Italianët ishin në gjendje kështu të shfrytëzonin ndjenjat irredentiste të shqiptarëve duke i mëshuar tezës se bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishte i kushtëzuar me fitoren e Boshtit.

Çamët për pasojë u armatosën nga italianët dhe bashkëpunuan me ta kundër fshatrave grekë që ishin të kontrolluar nga luftëtarë të rezistencës. Gjatë kësaj kohe, u kryen akte dhune nga disa çamë kundër banorëve grekë, shumë nga të cilët u detyruan të linin vendbanimet e tyre. Shumica e çamëve, megjithatë, ishin thjesht bashkëpunëtorë pasivë, duke mos u besuar italianëve po aq sa forcave guerile mbretërore të Napoleon Zervës. Në pak më shumë se një vit, forcat greke qenë në gjendje të zmbrapsnin italianët përtej kufirit shqiptar. Një alarm i madh u përhap mes çamëve kur fitorja e shpresuar e Boshtit u kthye në disfatë. Pranë fshatit të Vrinës në Shqipërinë e Jugut, në qershor 1940, u gjet trupi pa kokë i udhëheqësit çam Daut Hoxha. Qeveria pro-italiane e Tiranës pretendoi se ai ishte vrarë nga agjentë të fshehtë grekë. Hoxha ishte një komandant ushtarak i çamëve në periudhën midis luftërave. Qeveria greke thoshte se ai ishte thjesht një bandit. Në tetor 1944 kur gjermanët filluan të tërhiqeshin nga Greqia, disa qindra çamë ikën me ta në Shqipëri. Paskëtaj, shqiptarët myslimanë që mbetën në Greqi do të shiheshin si armiq nga grekët.

Në një përpjekje për të krijuar një krahinë kufitare etnikisht të pastër, çamët u dëbuan prej Greqisë veriore nga forcat guerrile të komanduara nga gjenerali Napoleon Zerva, që vepronin sipas udhëzimeve të oficerëve aleatë. Nën dritën e kërkimeve të fundit, dokumentet e kohës së luftës tregojnë se sulmet greke kundër çamëve janë mbeshtetur dhe autorizuar nga britanikët. Këto sulme bënë që rreth 35 mijë çamë të arratiseshin për në Shqipëri, ndërsa të tjerët në Turqi. Kolonel Kris Udhauz, shef i Misionit Ushtarak Britanik në Greqi njoftonte se: “I inkurajuar nga Misioni Aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre më 1944. Shumica shkuan të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre nga Greqia më të shumtën e herës u bë duke derdhur shumë gjak. Kjo vepër e Zervës u pasua në mars 1945 me një masakër të madhe dhe të pafalshme të çamëve të Filatit. Si përfundim kjo çoi në dëbimin e popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga trojet e tyre. “

Masakra më famëkeqe kundër shqiptarëve nga grekët ndodhi më 27 qershor 1944 në qarkun e Pasramithisë, kur forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) të general Zervës hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë, burra, gra dhe fëmijë, shumë nga të cilët u përdhunuan dhe u torturuan para se të vdisnin. Sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një tjetër batalion i forcave zerviste (EDES) u sul në Pargë dhe vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, u grabit qyteti i Spatarit dhe 157 njerëz vdiqën. Gratë e reja dhe vajzat u përdhunuan dhe burrat që ishin ende gjallë u grumbulluan dhe u internuan në ishujt e Egjeut. Sipas statistikave të përpiluara nga Shoqata Çamëria në Tiranë, gjatë sulmeve mbi fshatrat e tyre në vitet 1944-1945 u vranë gjithsej 2771 shqiptarë. Nga këto, 1286 ishin nga Filati dhe rrethinat e tij, 192 nga Igumenica dhe periferitë, nga Paramithia 673 dhe Parga 620, 68 fshatra me 5800 shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën. Një listë e detajuar e dëmeve të shkaktuar tregon për 110 mijë kokë dele, 2400 gjedhë, 21 mijë kv grurë dhe 80 mijë kv vaj ushqimor, më shumë se 11 milion drithëra.

Si rezultat i këtyre akteve barbare llogaritet se 28 mijë çamë ikën në Shqipëri ku u vendosën në rrethinat e Vlorës, Durrësit dhe Tiranës dhe në disa krahina të tjera.

Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke theksuar bashkëpunimin e tyre me forcat pushtuese si arsyen kryesore të vendimit në fjalë.

Për çamët e besimit ortodoks që mbetën në Greqi pas vitit 1945, identiteti i tyre shqiptar u zhduk si rezultat i një politike thellësisht shtypëse dhe asimiluese, dhe si para Luftës së Dytë Botërore, gjuha shqipe nuk u lejua të flitej në publik, as të mësohej në shkolla. Struktura demografike e Greqisë Veri Perëndimore u ndryshua me sjelljen e kolonëve nga pjesë të tjera të Greqisë. Vllehtë u nxitën të vendoseshin në fshatrat çame të braktisura pa të drejtën ligjore të pronësisë.

Kjo është e vërteta historike e zonjës Vickers, ku denoncohet roli i anglezëve në tragjedinë e ndodhur. Autorja bashkëkohore angleze ka kurajon të denoncojë krimin, domethënë gjenocidin kundër çamëve që del se ka qenë i frymëzuar dhe i nxitur nga shefi i misionit anglez në Greqi.