Eksporti i mallrave bie me 4.8 përqind

Eksporti i mallrave bie me 4.8 përqind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se deficiti në tregtinë e mallrave u karakterizua me një rritje vjetore prej 7.4 përqind në vitin 2016, si pasojë e rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve.

“Eksporti i mallrave arriti vlerën prej 309.7 milionë euro, që përkon me një rënie vjetore prej 4.8 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.

Sipas BQK-së, gjatë vitit 2016, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale ka shënuar vlerën prej 534.6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 471.4 milionë euro sa ishte në vitin paraprak.

“Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale i atribuohet rritjes së deficitit në llogarinë e mallrave dhe rënies së shënuar në bilancin pozitiv të llogarisë së të ardhurave parësore. Në anën tjetër, bilancet pozitive të shërbimeve dhe llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.


Rënia e vlerës së gjithsej eksporteve të metaleve bazë u zvogëlua kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të nikelit në ekonominë e vendit, si dhe rënies së çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe.

“Me rënie u karakterizuan edhe eksportet e tekstilit dhe artikujve të tekstilit, si dhe eksportet e makinerive dhe pajisjeve elektrike. Në anën tjetër, eksportet e produkteve minerale shënuan rritje, kryesisht si rezultat i rritjes së vlerës së eksportit të energjisë elektrike. Gjithashtu, eksportet e produkteve të plastikës dhe gomës, si dhe eksportet e pijeve dhe duhanit shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së.

Vlera e gjithsej mallrave të importuara arriti në 2.8 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.9 përqind.


“Në kuadër të importit të mallrave, me rritje u karakterizua importi i mjeteve të transportit, makinerive dhe pajisjeve mekanike, produkteve të plastikës dhe gomës, ushqimeve të përgatitura, etj”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.

Autor: RTKlive