Romani i Anton Pashkut

Romani i Anton Pashkut

Romani “Oh” i Anton Pashkut është bërë një objekt i paragjykuar i analizës së formës, meqë vetë autori ka punuar shumë me format, ndërsa modeli letrar i kësaj vepre, në kërkimet që i janë bërë deri më sot, i ka mbizotëruar interpretimet e ideve.

Nga studimet e deri­tashme vërejmë se analiza e formës së kësaj vepre bën të mundur që të hapen shkallët e strukturimit të saj, tipat e diskursit, kodi tematik, stilistik etj. Mendojmë se kur këto rrafshe të tekstit analizohen së bashku, arrijmë te modeli letrar i veprës së Pashkut.

Në analizën e formës së një vepre si “Oh”, çështja e parë që duhet të diskutohet është ajo e zhanrit sepse, duke e trajtuar zhanrin, e vëmë “Oh”-in përballë veprave të traditës së po këtij zhanri dhe i veçojmë karakteris­tikat përdalluese të tij. Kjo fiton peshë edhe më shumë, meqë zhanri është një kategori e kontestuar nga moder­niteti, ndërsa Pashku është një nga autorët më të rën­dësishëm të modernitetit letrar shqiptar. Rrafshet e tjera formale të veprës nënkuptohen nga modeli zhanror dhe përshkruhen brenda tij ose të ndërlidhura ngushtë me të.

Është shumë e rëndësishme të theksojmë se edhe tema e kësaj vepre është një element përcaktues dhe përfaqësues i zhanrit, një fakt që “Oh”-in e bën një vepër strukturalisht tematike. Duke i parë studimet për këtë vepër, vërejmë se tema si element strukturor është bërë çelës edhe për interpretimin e veprës, sidomos te stu­diues si Mensur Raifi, Sabri Hamiti, Kujtim Rrahmani, Kujtim M. Shala, Nysret Krasniqi etj. Vetë organizimi tematik i veprës e bën thelbësore temën, sepse teksti është organizuar si një lidhje tematike e varianteve të një teme (K. M. Shala).

Këto elemente të veprës së Pashkut e përbëjnë for­mën e saj, e cila është jo vetëm konstrukti në të cilën thuhen idetë apo barten mesazhet, por edhe një thelb i veprës letrare.

Është pohuar tashmë se romani “Oh” ka strukturë tregimtare, edhe pse si shtrirje narrative rrok një kohë afër dy mijëvjeçare. Pra, organizimi i tërësishëm narra­tiv i veprës bëhet duke u bashkuar një numër tregi­mesh, të cilat i lidh tema letrare (K. M. Shala). Tre­gi­met mbështeten në logjikën e të rrëfyerit të një lënde, të një teme, dhe japin mesazhe të njëjta në disa variante të ndryshme. Strukturimi kalon nëpër disa faza dhe jep domethënien e njëjtë të fenomenit nëpër kohë të ndry­shme. Duke u nisur nga e sotmja, pro­blematizohet një jetë në të shkuarën, jepet një proje­ktim i saj utopik në të ardhmen, për t’u kthyer prapë në gjendjen aktuale të së sotmes, që është pasqyrë aktuale e dy të parave (S. Hamiti). Tregimet arrijnë të reali­zohen për­mes struk­turimit të kohës reale dhe ima­gji­native dhe strukturimit të personazheve të figur­shëm, të cilët ndry­shojnë në situatat, po ashtu të figurshme në funksion të mesazhit ideor. Kështu, pra, teksti struktu­rohet nga disa nivele narrative, të cilat mund të qën­drojnë edhe si tregime në vete, por edhe e shënjojnë fabulën e lidhur të romanit.

Duke e analizuar strukturën e tillë të romanit të përftuar nëpërmjet shtresimeve tregimtare, të struktu­rimit të personazheve, të strukturimit të kohëve, të gjitha në funksion të idesë dhe të gjitha të realizuara për­mes figurshmërisë artistike, shohim se kjo thurje kri­jon formën e romanit modern të Pashkut. Tri pjesët më të mëdha të romanit kanë një objekt - tradhtinë, prandaj edhe titulli del karakteristik dhe përfaqësues për atë që ndodh. Pra, del si një klithje, “Oh”, për një të keqe të madhe që përfshin rrëfimin në të gjitha anët.

Sa i përket planit të strukturimit, në këtë vepër arri­het mundësia e përthyerjes së zhanreve dhe formave, gjithnjë duke u bazuar në një “Libër”, të cilin njeriu që bëhet pre e mendimit, e shkruan në zonat më të thella, thuajse të humbura, të trurit të tij, në asociacionet e po këtij “Libri”, i cili, më në fund, si “dhembje” e hedh në dritë një copë të vetën si narracion (libër), si një pjellë imanente e natyrshme (N. Krasniqi). Por, zhanri i kësaj vepre lidhet edhe me lojën e madhe interteks­tuale të Pashkut, e cila është studiuar si një përftesë e rëndësishme e kësaj vepre (K. Rrahmani).

Mendojmë se “Oh”-i, kah ta kapësh, i ka elementet e romanit mo­dern. Shenjat e para i jep fabula e shprishur. Më saktësisht, Pashku e ndërton fabulën në më shumë se një kohë dhe nuk e ka një shtrirje klasike shkak-pasojë të ngjarjes.

Stili te romani i Pashkut e mban vlerën e tekstit dhe identitetin letrar të autorit, pasi e gjithë vepra e tij del si gjuhë e figurës, si gjuhë tejet e veçantë dhe, për më shumë, unike në letërsinë tonë. Ndërsa veçantinë dome­thënëse të stilit në rastin e Pashkut e bën gjuha që ndry­shon ashtu siç ndryshojnë rrafshet tregimtare. Diskursi i figurshëm i Pashkut e ka model oralitetin shqiptar, kulturën biblike (si intertekst i diskursit oral), mitike, historike dhe stilin e autorëve modernë në përgjithësi. Veçantitë e stilit dalin nga ndërlidhja e më shumë sti­leve dhe diskurseve. Kështu, përveç botës imagjinare që ndërton Pashku dhe stilit vetjak, kemi edhe kush­tëzimin e stilit nga ndërlidhja intertekstuale që ka me kulturat e përmendura. Pra, llojllojshmëria e teksteve ka prodhuar edhe larushinë e stileve, duke u realizuar si përkryeshmëri poetike, sidomos atëherë kur dialogu shkrihet në monolog, dhe proza në poezi.

Është e domosdoshme që në kontekstin e analizës së formave të romanit “Oh” ta analizojmë edhe temën si një element përcaktues të formës letrare dhe si ele­ment që e motivon krijimin dhe strukturën e veprës dhe kjo bëhet më së miri duke i interpretuar idetë.

Bartës të ideve dhe përfaqësues të veprimit dhe të temës janë personazhet: Ai, Ajo, Plaku, Batot, Babai, Djali, Genti, Platori etj., ndërsa rrëfimtari i zbulon kohët dhe personazhet, që dalin në pah tri kohët por, si në të gjithë romanet moderne, dominon koha subjektive, ajo e tashmja. Kjo realizohet përmes personazheve të emër­tuara me përemrat Ai dhe Ajo, të cilët dialogojnë dhe balla­fa­qojnë dy pikëpamje të kundërta: mashkulli pasiv e indi­ferent, dhe femra aktive, e cila do të ndër­tojë jetë. Edhe dialogu mes tyre ndërtohet si dialog i ideve, me ndërhyrje të ideve autoriale. Ai dhe Ajo kanë pikëpamje të ndry­shme për jetën dhe veprimin, prandaj rrugët e tyre ndahen.

Rrëfimi hyrës mund të shihet edhe si tregim në vete, por pas kësaj ndërthuret tregimi i dytë, i cili ndërtohet nëpërmjet rrëfimit mbi të shkuarën në një vijë ima­gjinare, që arrihet nëpërmjet bisedës me plakun e urtë. Tash mbizotëron rrëfimi që ka në qendër shpa­limin e të kaluarës historike dhe të mungesave të saj. Plaku është personazhi simbol i të kaluarës popullore e mitike dhe e rrëfen historinë e rënies së Ilirisë si pasojë e tradhtisë. “Shpesh e kemi humbë kryet për pasqyra me dy faqe dhe për seli ma të madhe”. Ai dhe Ajo pushojnë, ndërsa Plaku e shpalos idenë e autorit, të dëshmuar në të kaluarën historike, nëpër një vijë të jetës kombëtare.

Shtresa e tretë tregimtare, po ashtu, e tematizon tra­dhtinë, ndërsa rrëfimtari del në pozicion të dëshmitarit për ta radhitur një numër të madh të tradhtive që janë shkak i shkatërrimit të vlerave kulturore e njerëzore, shkurt shkatërrimin e identiteteve dhe zhdukjen e popujve. E gjithë pjesa jepet nëpërmjet ironisë së autorit për një kohë të ardhme dhe utopike, e cila i ka shenjat e rrë­fimit për tragjedinë shqiptare.

Analiza e formës së veprës së Anton Pashkut në përgjithësi dhe e romanit “Oh” në veçanti e hap kon­struktin strukturor apo modelin letrar pashkian, i cili është krejt ndryshe në letërsinë e re shqipe. Pashku, sa mund të nxirret përfundimi prej leximeve dhe shkrimeve të të tjerëve bërë për veprën e tij, është keqkuptuar pikërisht për shkak të formës së veprës, e cila edhe mesazhet më të hapura i ka bërë art poetik.

E dimë se në një rreth në të cilin kërkoheshin mësime ideologjike, vepra e Pashkut jepte udhëzime poetike. Insistimi për analiza të formës përligjet edhe nga kjo rrethanë, por më së shumti nga vetë modeli letrar, i cili është thelbësor dhe veti përcaktuese e veprës së Pashkut.

Autor: Dr. Albanë Mehmetaj