Partitë drejtë finalizimit të listave zgjedhore për deputetë

Partitë drejtë finalizimit të listave zgjedhore për deputetë

Partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit, po bëjnë përgatitjet e fundit për t`i hartuar listat me kandidatë. Por janë PDK-ja, LDK-ja, Nisma e AKR-ja, të cilat deri pasditen e së premtes, nuk i kanë bërë të ditur zyrtarisht emrat e kandidatëve për deputetë.

Ndryshe prej tyre, ato që i kanë përfunduar listat me emra janë Vetëvendosje, AAK, Alternativa dhe Lista Serbe.

Nga Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se ai së bashku me Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Atdhe Arifin, janë kandidatë për deputetë të kësaj partie.

Ai nuk ka bërë të ditur emra të tjerë, por megjithatë pritet që në listë të jenë edhe Albin Kurti, Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani e të tjerë.

Nga AAK-ja e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj, lista përmban emra që ishin edhe më parë si deputetë dhe disa të tjerë, në mesin e të cilëve edhe të sapo-aderuarit në këtë parti.

Përveç emrave që pritej të ishin në listë si Ramush Haradinajt, Ahmet Isufi, Pal Lekaj, apo Blerim Kuçi, janë edhe Halil Matoshi, Elmaze Nura, Muharrem Nitaj e Xhyljeta Kuçi.

Nga ana tjetër, Alternativa ka hartuar listën me 10 emra të dorëzuar partnerit të koalicionit LDK-AKR. Në mesin e tyre, ashtu siç pritej, janë Mimoza Kusari Lila, Ilir Deda e Hasan Preteni.

Punë me emra në listë për zgjedhjet e 11 qershorit, ka kryer edhe Lista Serbe, e drejtuar nga Sllavko Simic.

Por në këtë parti nuk ka shumë befasi, pasi kandidatët janë gati të gjithë të njëjtët, sikurse herën e kaluar. Në mesin e tyre janë Branimir Stojanovic, Igor Simic e Sasha Milosavlevic. Vërehet se në këtë listë, shumica janë serbë nga veriu i Kosovës.

Autor: Nebih Maxhuni