Përmbysja në Ballkan

Përmbysja në Ballkan

Retë e stuhive po mblidhen mbi Ballkan përsëri. Nëse ankesat në rritje dhe mosmarrëveshjet nacionale nuk zgjidhen, regjioni përsëri do të mund të mbulohet me konflikt i cili mund të eskaloj në dhunë.

Janusz Bugajski 
Analist i politikakve 

Ekonomikisht, edhe pse në vitet e fundit është shënuar rritje e BPV-së, ndikimi në standardin e jetës është i pabarabartë dhe pritjet e publikut mbesin të paplotësuara, papunësia e rinisë mbetet e lartë, ndërsa frustrimi publik me qeveritë e korruptuara është në ngritje. Përleshjet e militantëve partiakë janë aq intensive në disa vende sa që partitë e opozitës bojkotojnë parlamentin, bllokojnë legjislacionin dhe refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ky është rasti në Shqipëri, ku do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në qershor, por Partia Demokratike pohon se votat do të manipulohen. 

Autoritarizmi është në rritje. Serbia dhe Maqedonia janë në ballë të akuzave që partitë në pushtet janë duke e përvetësuar shtetin dhe eliminuar çfarëdo opozite të mirëfilltë. Pas zgjedhjes për kryetar, Partia Përparimtare e Aleksandër Vuçiqit tashmë kontrollon ekzekutivin dhe legjislativin e Serbisë. 
Kapja e tentuar e shtetit është edhe më e dukshme në Maqedoni, ku qeveria në përfundim të mandatit, e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, është zënë duke e keqpërdorur pushtetin në raste të ndryshme.

Protestat publike janë në rritje. Serbia është duke u ballafaquar me protesta të gjëra kundër zgjedhjes së Vuçiqit për president. Përmes rrjeteve shoqërore janë mobilizuar me mijëra të rinj, të cilët kërkojnë largimin e qeverisë. Protestat janë rezultat i frustrimeve disavjeçare me korrupsionin zyrtar, medie të kontrolluara dhe manipulim politik. Aty ku ndasitë politike ngjyrosen me etnicitet, prospekti i konfliktit rritet. Ky është rasti i Maqedonisë, ku është bllokuar krijimi i një qeverie bi-etnike me shqiptarë, me pohime se liderët shqiptar po mundohen të thyejnë shtetin. 

Separatizmin e shfrytëzojnë edhe liderët e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë në kuadër të frustrimeve të mëdha me institucionet politike dhe ngecjen ekonomike. Vazhdojnë konfliktet për kufijtë dhe mospranimi i shtetësisë për disa vende në regjion. Tensionet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë rriten kohë pas kohë, derisa nacionalistët serb nuk po e pranojnë pavarësinë e përhershme të Malit të Zi. Në raste të tjera, largimi i kufijve shihet si kërcënim, siç është rasti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama para pak kohësh ka ngritur çështjen e bashkimit, duke e rritur friken e pan-shqiptarizmit që do të mund të ndante disa vende në regjion. Anëtarësimi në BE shihet si ambicie e vazhdueshme në shumicën e vendeve në regjion. Edhe pse disa vende janë kandidate për anëtarësim në BE, progresi ka ngecur për shkak të BE-se e cila është preokupuar me probleme të brendshme dhe me opinionin publik i cili kundërshton zgjerimin. Gjithashtu, ka ndodh zgjimi nga iluzioni në mesin e qytetarëve në Ballkan që BE-ja është bashkëfajtore në mbështetjen e qeverive të korruptuar në shkëmbim për masa të stabilitetit. Në këtë rreth vicioz, dështimi në reformimin e shtetit do të pengojë anëtarësimin në BE. Ndërsa dështimi në integrim do të zgjeroj edhe më shumë konfliktet regjionale.