Parlament i popullit apo i shfytëzuesve të tij

Parlament i popullit apo i shfytëzuesve të tij

Jemi turrur pa menduar sa duhet e si duhet për turret! Jemi vonuar shumë, pamatshëm shumë në histori. Jemi vonuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore e të krijimtarisë shpirtërore.

Vonesat dhe turret

Nuk i kemi përjetuar kur duhet, si duhet dhe sa duhet as Rilindjen e Humanizmin Evropian, as Racionalizmin, as Iluminizmin, as Romantizmin, as Realizmin e as prirjet Moderne. Jemi vonuar të bëjmë shtetin kombëtar dhe jemi vonuar të bëjnë gjuhën e njësuar letrare kombëtare, gjuhën standarde. Jemi vonuar të urbanizohemi dhe jemi vonuar të emancipohemi.

 Prej feudalizmit oriental kemi kaluar në komunizmin pa e përjetuar kapitalizmin.

Pasoja më e rëndë, më tragjike e këtyre vonesave në histori është pushtimi i rreth së gjysmës së trojeve etnike shqiptare dhe i gjysmës së popullit shqiptar prej fqinjëve ballkanikë – Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Për të gjitha këto vonesa në histori janë paguar dhe po paguhen tagra, kur më të pakta e kur më të shumta.

Të vetëdijshëm – disa e të pavetëdijshëm – disa të tjerë se sa shumë jemi vonuar në histori, tani jemi turrur të gjithë: jemi turrur t’i kompensojmë ato vonesa në qoftë se jo në të gjitha së paku në disa fusha të jetës politike e shoqërore dhe të krijimtarisë shpirtërore. Dhe, fryt i këtyre turreve për kompensimin e atyre vonesave janë pak të mira dhe janë shumë të këqija. Për të mirat nuk është e nevojshme të them unë ndonjë fjalë sepse për to, për nevojat e veta, po flasin pa pushuar ditë as natë njerëzit e politikës që jetojnë për politikën dhe prej politikës. Po them dy-tri fjalë për të këqijat që po na sjell ky turr.

Punët e bëra turrshëm, me turre e me vrulle, zakonisht bëhen diqysh e më së shpeshti keq.

Jemi turrur të futemi në politikë, të kurorëzohemi politikisht i madh e i vogël, axhami e i mplakur jo vetëm me vjet, por edhe me dije, me mend e me përvojë! Për nga përqindja e turrësve në parti e në politikë partiake, u tha, ua shkojmë edhe mongolëve e disa aziatikëve të tjerë. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse politikën po e kuptojmë dhe po e zbatojmë si diletantë provincialë, jo vetëm si mjeshtëri të organizimit e të qeverisjes, por shumë më tepër si mjeshtëri të sundimit e të përfitimit. Sidomos ua shkojmë në punë të përfitimit vetjak. Në vend se në shërbim të të gjithëve, njeriu i politikës është vënë në radhë të parë në shërbim të vetes e të të vetëve.

Por jo vetëm kaq. Përmes politikës jemi turrur të shquhemi edhe me dëshmi të shkruara, me diploma, me magjistratura e me doktorata. Dhe, diplomat, magjistraturat e doktoratat kur e kur, ndonjëri, ndotjetri, janë turrur t’i fitojnë jo duke mësuar, jo duke ndjekur mësime e ligjërata, po duke i blerë, pra duke i paguar. Diploma e blerë, magjistratura e blerë dhe doktorata e blerë janë bërë metaforë e arsimit tonë siç u bë çadra metaforë e kaosit në demokracinë tonë!

Turret e zhvatjeve

Jemi turrur të zhvasim e të plaçkisim sa më shumë!

Jemi turrur, shumë jemi turrur, që arsimin, që përkushtimin ndaj arsimit, ta dëshmojmë jo me cilësinë e tij, por me sasinë e tij – me sasinë e numrit të universiteteve. Për këtë arsye për 1 milion e 800 mijë banorët e  Kosovës dhe 3 milionë e 800 mijë banorët e Shqipërisë shtetërore kem hapur dyfish më shumë universitete se Anglia dhe se Gjermania. Dhe gjithë këto universitete janë hapur jo pse në atë numër i duhen vërtet Kosovës dhe Shqipërisë, por pse në to duhet të punojnë, përpos në kabinetet partiake e shtetërore, edhe vetë pushtetarët; pse në to duhet të punësohen gratë e pushtetarëve, bijtë e bijat e pushtetarëve, vëllezërit e pushtetarëve, motrat e pushtetarëve, farefisi dhe miqtë e pushtetarëve dhe ndonjë pedagog i quajtur i pavarur, që atë pavarësi duhet ta mbrojë me nënshtrim ndaj pushtetarëve.

Jemi turrur të pasurohemi, të pasurohemi sa më shpejt dhe sa më lehtë. Jemi turrur të pasurohemi duke zhvatur, duke plaçkitur, duke u korrupsionuar, duke vjedhur, duke shfrytëzuar, duke shkelur, duke sakatuar, kur e kur dhe duke vrarë, duke gënjyer dhe duke mashtruar!

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse shoqëria shqiptare sot është e ndarë, e ndarë në dy anë: në njërën anë janë oligarkët politikë, shumë prej tyre të pasuruar poshtërsisht, kurse në anën tjetër janë viktimat e tyre të shfrytëzuara e të varfëruara! Në mes tyre, të këtyre që shkëlqejnë me gjithçka e jo vetëm me vetura dhe xhipa të shtrenjtë, dhe të atyre që atë shkëlqim e shikojnë mosdurueshëm apo, madje, urrejtshëm me sytë e varfërisë, gjendet e ashtuquajtura shtresa e mesme: intelektualët, krijues e jokrijues, të cilët me poltronizmin e tyre oriental kërkojnë ndihmën e djallit dhe të birit të tij që t’u futen nën bisht oligarkëve dhe prej tyre të nxjerrin çfarëdo qoftë leverdish për veten dhe të vetët!

Turret akuzuese

Jemi turrur të akuzojmë të madh e të vogël!

I dëgjoj shpesh, në mos jo çdo ditë, së paku çdo javë, sidomos çdo festë shtetërore dhe joshtetërore, duke folur zi e më zi për gjyshërit dhe etërit tanë! I dëgjoj duke folur zi e më zi, gojëshqyer a gojëplasur sidomos për gjyshërit dhe etërit e kohës së komunizmit. Ata, gjyshërit dhe etërit e asaj kohe, e quajtur diktaturë komuniste, janë fajtorë, thonë, fajtorë, fajtorë juridikë dhe historikë për shumë e shumëçka, fajtorë për të gjitha pësimet, për të gjitha të këqijat, për të gjitha mosdurimet e mosmarrëveshjet e ndërsjella politike, sociologjike, kulturore, reale e imagjinare në jetën tonë të sotme.

Thuajse ata ishin armiq të popullit e të shtetit më shumë se këta sot! Thuajse ata s’mendonin për asnjë të mirë politike, shoqërore, kulturore, kombëtare! Thuajse ata nuk bënë asnjë të mirë as për arsimin, as për shëndetësinë, as për kulturën, as për ekonominë, as për përmirësimin e jetës së popullit të vet. Thuajse ata zhvatën, plaçkitën, vodhën, u diplomuan, u doktoruan e u akademizuan si e sa këta sot.

Dhe, mendoj: pse këta njerëzit e sotëm, këta njerëz të politikës, të letërsisë, të krijimtarisë në përgjithësi aq shpesh e aq keq flasin për gjyshërit dhe etërit e kohës së komunizmit duke i lënë të qetë gjyshërit dhe etërit e feudalizmit e të fashizmit? Dhe, duke i lënë të qetë këta, pushtetarët e sotëm!

Pse njëri prej këtyre nxirësve të fytyrës së gjyshërve dhe të etërve të kohës së komunizmit thotë, thotë pa iu skuqur fytyra asnjë centimetër katror e asnjë çast, se ata donin ta urisnin, ta varfëronin popullin vetëm e vetëm që të mund ta sundonin sa më gjatë!

Pse as këtij nxirësi, e asnjërit prej nxirësve të tjerë të fytyrës së gjyshërve e të etërve të asaj kohe të shkuar nuk ua qet goja asnjë fjalë të keqe për oligarkët e sotëm politikë?

Dhe, i përgjigjem vetvetes: ustallarët e sotëm në politikë dhe në krijimtarinë letrare e shkencore bërtasin kaq të madh kundër gjyshërve e etërve të asaj kohe për disa arsye: e para, sepse ashtu, duke bërtitur aq zëshëm duan të  mohojnë shërbimet që jo vetëm me jetën po edhe me veprat e tyre u bënin gjyshërve dhe etërve të kohës së komunizmit; e dyta, sepse ashtu, duke bërtitur aq zëshëm, duan t’u servilizojnë sa më përulshëm sundimtarëve të sotëm, prej zhvatjeve, plaçkitjeve, përvetësimeve, vjedhjeve, shfrytëzimeve, milionave të të cilëve shpresojnë t’u qitet përpara, në sofër, në tepsi a në kusi, ndonjë kockë; e treta, sepse janë mësuar të qërojnë hesape me të vdekur e të lavdërojnë të gjallë!

Mendojnë të shkretët se me britma të shpeshta do të lahen e shpërlahen, por harrojnë se përlyhen më shumë.

Hundëzhagiturit

Jemi turrur të tërhiqemi për hunde!

Të shumëndryshme janë “sortet” e species së quajtur njeri. Janë të vegjël, janë të mesëm, janë të gjatë, janë të pashëm, janë të shëmtuar, janë gojëmbël, janë gojëthartë, janë gojëçartur, janë gojëtul, janë të matur, janë të pamatur, janë krenarë, janë të dinjitetshëm, janë të përkulshëm e të luajtshëm, janë të pastër e janë të përbaltur. Prej të gjitha këtyre “sorteve”, të species së quajtur njeri, më interesantja dhe, ndoshta, më e neveritshmja është “sorta” e quajtur njeri që dëshiron të tërhiqet zvarrë për hunde. Nuk jam as zoolog, as biolog, as mjek, as psikolog që ta di nëse dhemb pak a shumë hunda kur të tërheqim zvarrë përmes saj. Por, e marr me mend se edhe në qoftë se dhemb shumë hunda, ky soj njeriu i duron të gjitha ato dhembje për shkak të leverdive që ia sjell zvarritja. Ai, i zvarrituri, si çdo rrufjan e ka bërë llogarinë: duke qenë i hequr zvarrë për hunde, ai mund të bëhet drejtor, dekan, rektor, deputet, zëvendësministër, ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër, nënkryetar, kryetar.

Dhe, pashmangshëm pushtetar shumë i pasur! Dhe, le të bëhet krejt çka dëshiron të bëhet ai që dëshiron të tërhiqet zvarrë për hunde prej të vetëve e prej të huajve mbasi populli, sovrani i shtetit, ka harruar se hundët e atyre që dëshirojnë të tërhiqen zvarrë për hunde dhe arrijnë çka u pa se mund të arrijnë duhet të thyhen një ditë dhe të thyhen sa më herët aq më mirë për jetën e sovranit popull.

Pa sistem vlerash

Jemi turrur të rrënojmë vlerat!

Në shoqërinë shqiptare në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë janë rrënuar sistemet e vlerave. I ka rrënuar politika. I kanë rrënuar ata që flasin për barazimtari e demokraci, por që kanë ndërtuar despoti vetjake e partiake. Kush i ka sytë për t’i parë ato që janë, njëmendësinë, e jo iluzionet e veta do të mund të shohë se: e drejta është shuar prej të padrejtës, e vërteta prej gënjeshtrës, sinqeriteti prej mashtrimit, nderi prej të pandershmes, vlera prej kundërvlerës, besa prej të pabesës, e larta prej të ulëtës, njerzillëku prej të panjerëzishmes, humanizmi prej pamëshirës, barazia prej pabarazisë, solidarësia prej egoizmit, modestia prej mendjemadhësisë, e bukura prej shëmtisë, prej kiçit dhe shundit! Jo vetëm në kabinete po edhe në universitete, jo vetëm në mjekësi po edhe në pedagogji, jo vetë në pasuri po edhe në varfëri sikur janë harruar mësimet etike biblike e kuranore, mësimet aristoteliane dhe kantiane. Sikur është harruar përgjithmonë ajo lutja e shenjtorit të Poatjesë, të vdekur rreth vitit 366, i cili në atë lutjen e tij të njohur kishte thënë: Dhuromë, Zot, kuptim të fjalës, dritë të mendjes, dinjitet të gjuhës dhe saktësi të së vërtetës.

Të gjitha të këqijat e sipërthëna, për numrin më të madh të qytetarëve po e bëjnë jetën jo vetëm të padurueshme, por edhe të neveritshme!

Masakrimet e historisë

Jemi turrur të masakrojmë historinë!

Jetojmë në kohën në të cilën po masakrohet historia: po masakrohet historia e popullit e po rrëgjohet në histori politike e histori vullnetare dhe po masakrohet historia e letërsisë e po rrëgjohet në histori letërsie krahinore e klanore! Si njëra ashtu edhe tjetra masakrohen prej të pushtuarve nga përkatësitë politike, partiake, fetare, kur e kur dhe krahinore e klanore.

Ndodh që ngjarje të vogla apo të parëndësishme të shpallen historikisht të mëdha. Ndodh që persona politikë për jetëshkrimet, veprimet, mosveprimet, mendimet e çmendimet e të cilëve shumëçka ende s’dihet, prej partive të cilave u takojnë a u kanë takuar të shpallen figura të rëndësishme historike. Falsifikuesit e së vërtetës për ta janë aq agresivë saqë i heshtin, i “harrojnë”, i fshehin, i shpallin të paqena jo vetëm veprimet e tyre dëmsjellëse, por edhe dokumentet e nënshkruara prej tyre, që historiografia pashmangshëm do t’i shpallë tradhti kombëtare. Le të thuhet se me falsifikime të këtilla merren posaçërisht mjeshtrit partiakë dhe historianët e partishëm.

Ndodh që krijues letrarë apo shkencorë, krijimtaria e të cilëve, me pjesën e saj më të madhe, është zgjatim i ideologjisë dhe i politikës sunduese në Shqipëri dhe në Kosovë të shpallen jo vetëm kryekrijues, por edhe luftëtarë për demokracinë me jetën dhe me veprën e tyre! Falsifikuesit e të vërtetave historike letrare janë aq agresivë saqë i heshtin, i “harrojnë”, i fshehin, i shpallin të paqena shërbimet që idhujt e tyre letrarë kanë bërë e ua bëjnë totalitarizmave të djeshëm e të sotëm me veprat e veprimet e tyre e disa edhe me jetën e tyre.

Le të thuhet se me falsifikime të këtilla merren edhe studiues partiakë të letërsisë, por edhe të tjerë që për studimet letrare dinë sa Ziza dhe Kiza!

Siç shihet dhe siç dihet, shumica e këtyre falsifikuesve të historisë së letërsisë, vlerësimet sipërore dhe zhvlerësimet të shpeshtën e herëve i bëjnë nën ndikimin e dy-tre beniaminëve letrarë të byrove partiake të djeshme e të sotme.

Masakruesit e historisë, puna e tillë e të cilëve edhe sot në Evropë shënohet me togfjalëshin e Aleksis de Tokëvillit të lavdishëm poshtërsi e intelektualëve të papërgjegjshëm, nuk duan ta dinë një të vërtetë: në qytetërimin të cilit i takojmë ne sot, e ky është qytetërimi perëndimor, të vërtetat për të kaluarën, për ngjarjet dhe njerëzit e saj, i cakton historiografia. Të gjitha mënyrat e tjera, thotë një historian i njohur evropian, për të krijuar vetëdijen dhe bindjet për të shkuarën janë të paligjshme, dhe janë të paligjshme sepse janë joshkencore, sepse janë propagandistike, sepse janë partiake, sepse janë mashtruese.

Më herët a më vonë historia dhe historianët do ta thonë të vërtetën për të gjitha dhe për të gjithë. Dhe, pashmangshëm do t’i komprometojnë falsifikuesit e historisë së popullit dhe falsifikuesit e historisë së letërsisë.

Pa prijës të denjë

Jemi turrur të bëjmë prijës, madje të bëjmë prijës edhe nga ata që s’kanë treguar dhe s’tregojnë as mendje as karakter.

Sot popujve dhe shteteve, thotë filozofi i njohur Karl Poper, u mungojnë prijësit (liderët) e denjë. Mendimtarë dhe intelektualë më të dëshpëruar se ç’ishte ky filozof i njohur, e shquajnë edhe më tepër dëshpërimin e tyre politik: ata thonë se shumë popuj dhe shtete sot sundohen prej mafive politike dhe financiare!

Kemi menduar se zgjedhjet bëjnë përzgjedhjen, prandaj në pushtet vijnë njerëz të mirë dhe të ndershëm! E mësuam dhe e provuam se dhe zgjedhjet mund të kurdisen, të caktohen e të shpërdorohen siç e duan organizuesit e tyre dhe pjesëmarrësit në to. Nuk e kemi ditur se, siç thotë studiuesi i demokracisë amerikane, Aleksis de Tokëvill, në kryeveprën e tij Demokracia amerikane, në procesin e votimeve mund të ngadhënjejnë edhe figurat më banale të kohës! Dëshmi për këtë të vërtetë na kanë sjellë të gjitha zgjedhjet “demokratike” gjatë njëzet e shtatë vjetëve demokraci! Dhe, do të na sjellin edhe këto të sivjetmet në Shqipëri e në Kosovë.

Të vërtetat dhe gjuha në fushata

Jemi turrur të bëjmë fushatë zgjedhore duke folur siç s’duhet dhe duke gënjyer siç s’merret me mend!

Në Shqipëri dhe në Kosovë po bëhet fushatë zgjedhore. Në Shqipëri fushata shtrihet në më shumë ditë, kurse në Kosovë në gjithsej njëmbëdhjetë ditë. Por, meqenëse njëmbëdhjetë ditë u janë dukur shumë pak, politikanët e Kosovës kanë shpikur një risi zgjedhore: kanë shpikur parazgjedhjet, paravotimet për të promovuar paragënjeshtrat dhe paraspekulimet.

Dy janë viktimat më të mëdha në fushatën e sivjetme në Shqipëri dhe në Kosovë. Viktima e parë është gjuha. Duhet të dëgjohen gojëtarët e fushatave, kandidatët për prijës, për zëvendës të prijësve e për deputetë dhe do të dëgjojmë e do të shohim se sa vuajtjet po i sillen gjuhës: leksikut të saj, sintaksës së saj, gramatikës së saj, togfjalëshave e frazeologjizmave të saj, pasurisë, natyrshmërisë dhe bukurisë së saj në përgjithësi.

Viktima e dytë e fushatës së sivjetme zgjedhore është e vërteta. Duhet t’i dëgjojmë disa nga gojëtarët e fushatave e do të mësojmë, të gëzuar, se sa shumë, se sa shpejt e se sa lehtë ata do t’i kthejnë në parajsë Shqipërinë dhe Kosovën. Por, siç dihet e pritet, pjesa më e madhe e premtimeve të tyre parajsore do të mbeten të pasendërtuara dhe do të mbeten të pasendërtuara ose për shkak se janë shqiptuar si gënjeshtra të qëllimshme, ose për shkak se shqiptuesit e tyre nuk e dinë, nuk kanë ngritje sociologjike dhe politikologjike që do t’u bënte të mundshme të dinë se, si e thonë studiuesit e demokracisë, ekzistojnë përcaktues (determinues) sociopolitikë, kulturologjikë dhe historikë që përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat deputeti, ministri, kryeministri, kryetari. E të tjera.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq tregohet e vetëdijshme për këta përcaktues (determinues) sociopolitikë, kulturologjikë dhe historikë, prandaj programi i saj socialdemokrat në masë të madhe është objektiv, i realizueshëm dhe shumë i rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen e Kosovës.

Autoritarizmi

Jemi turrur që qeverisjen ta bëjnë sundim sulltanor!

Deshëm s’deshëm, u pajtuam a s’u pajtuam, kundërshtuam a s’kundërshtuam jo vetëm me fjalë po edhe me  protesta e demonstrata nuk mund të mos e pranojmë se në Shqipëri dhe në Kosovë, domethënë në jetën kombëtare shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej bazat sociologjike dhe psikologjike për ngadhënjim të autoritarizmit. Për këtë arsye edhe shumë e shumë kohë demokracinë tonë do ta shënojnë këto të këqija: despotizmi, nepotizmi, korrupsioni, populizmi dhe totalitarizmi, i kuptuar jo si trajtë po si sasi e fuqi e pushtetit, mediet e kolonizuara, gjyqësori i kolonizuar, pasiguria politike, shtetërore e jetësore e prodhuar prej dallimeve të mëdha midis të pasurve e të varfërve e të gjitha këto duan të thonë se shtetet tona janë shtete të kapura, të privatizuara prej oligarkisë politike, të shumtën e kohës, si po shihet, të ndërsalduar me një pjesë të oligarkisë ekonomike e financiare.

Kuvendi heshtë e keqbërësit bëjnë çka duan

Jemi turrur të bëjmë çka s’duhet të jenë as Kuvendi as shteti!

Në qoftë se Kuvendit të një shteti, 47 qytetarë – shkrimtarë, piktorë, studiues shkencorë e intelektualë të tjerë i dërgojnë shkresë për padrejtësitë, keqpërdorimet dhe korrupsionet partiake që kanë ndodhur e po ndodhin në një institucion të lartë siç është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të atij shteti e ai i shpërfill plotësisht (qoftë edhe pa një përgjigje pohuese, mohuese a mospërfillëse nga një komision i tij) si të mos ishin gjallë nënshkruesit e asaj ankese, atëherë ky s’është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve (eksploatuesve) të tij!

Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije me të dhëna të shkruara se në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të atij shteti, që ka 24 anëtarë, 12 prej tyre janë pranuar në të duke qenë funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë të djeshëm e të sotëm, në kundërshtim me çdo parim ligjor e demokratik, e ai bëhet i shurdhër për këto të dhëna, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve të tij të paskrupuj intelektualë dhe politikë!

Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije se në Akademinë e Shkencave e të Arteve të atij shteti po vazhdojnë të pranohen si anëtarë të saj funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, pa të arritura shkencore e profesionale, siç ka ndodhur në vitet e pas luftës dhe siç ndodhi para sa muajsh në Akademinë tonë, e ai bëhet i shurdhër për këtë të vërtetë, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i oligarkëve të pa koncept për drejtësi, për ligjësi e për demokraci.

Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije se disa funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, përpos rrogës si funksionarë, marrin rroga edhe si “pedagogë” në disa universitete, kurse shumë studiues shkencorë me vite presin punë e ai nuk bën asgjë për ndalimin e këtyre shpërdorimeve, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të tij të pa ndërgjegje e të paskrupuj!

Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije prej organizatave qytetare dhe medieve se një funksionar i lartë partiak e shtetëror, përpos rrogës së funksionarit merr rrogë edhe për mësimdhënie jo të një po të katër lëndëve në universitet duke marrë 49 mijë euro në vit, kurse intelektualë të shquar me doktorata e vepra shkencore bredhin rrugëve pa punë dhe ai Kuvend nuk bën asgjë për ta ndalur turrin shfrytëzues të këtij arrivisti e të shumë arrivistëve të pangopshëm, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të tij të pa ndërgjegje elementare profesionale e sociale!

Në qoftë se Kuvendi i një shteti e di dhe pajtohet që zyrtarëve të niveleve të ndryshme u lejohet të marrin pagesa për pjesëmarrje edhe në mbledhje të bordeve, këshillave, komisioneve, jurive të ndryshme të mbajtura në kohën e orarit zyrtar atëherë ky nuk është Kuvend i popullit po i eksploatuesve të tij të pandërgjegje e të pa etikë elementare.  

Në qoftë se ky kuvend mbyll sytë para fakteve se përfaqësues të qeverisë e të ministrive, të institucioneve të ndryshme shtetërore, madje edhe të presidencës, në forma komisionesh, grupesh e ekipesh zëvendësojnë zyrat e sallat e institucioneve shtetërore me vende turistike malore e bregdetare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, përgjatë gjithë vitit, me shpenzime të stërmëdha akomodimi e mëditjesh, të paarsyeshme, të paarsyetueshme e të kundërshtueshme nga çdo logjikë normale, atëherë ky nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të pashpirt të pasurisë e të jetës së qytetarëve të Kosovës. E të tjera.

A do të jenë të këtillë edhe Kuvendet që do të krijojnë zgjedhjet e 11 e 25 qershorit të këtij viti? Do të shohim, do të shohim.

Dobësimi i lidhjeve shpirtërore

Jemi turrur të shpërfillim përbashkësinë tonë!

Është një e keqe më e madhe se të gjitha të këqijat politike e administrative, që e sundojnë jetën tonë të sotme politike. Në të vërtetë në këtë të keqe të madhe janë përmbledhur, janë bashkuar dëshpërueshëm dhe pikëllueshëm, pasojat e të gjitha atyre të këqijave që i quajmë politike, partiake. Dhe, kjo e keqe e madhe mund të quhet ndërprerja e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve, që duket e nuk duket, që fshihet e tregohet, që mbulohet e zbulohet, që shpjegohet e s’shpjegohet.

Dallimet e mëdha, gjithnjë e më të mëdha midis të varfërve dhe të pasurve, të pasurve të pasuruar shpejt e lehtë, në të vërtetë paligjshëm, duke qenë në pozita politike e shtetërore, trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve qoftë prej individëve pushtetarë qoftë prej institucioneve politike e shtetërore, gjasat e pabarabarta për punësim dhe gjasat e pabarabarta për trajtim me kohë e drejt nga gjyqësori, padrejtësitë e shumëllojshme në të gjitha fushat e jetës, nepotizmi i përshtrirë dhe i përthelluar aq sa as në shoqëritë më patriarkale nuk shquhet me aq përmasa, privilegjet që aq lehtë dhe pameritueshëm u dhurohen disave dhe shpërfilljet që aq pamëshirshëm u bëhen disa të tjerëve, shkëlqimet pseudoborgjeze në njërën anë dhe pezmatimet e nxitura prej atyre shkëlqimeve në anën tjetër – të gjitha këto bëjnë që lidhjet shpirtërore midis njerëzve të varfërohem, të tëhollohen, të dobësohen, të këputen.

Fryti më i zi i dobësimit, të mos them i këputjes së këtyre lidhjeve shpirtërore, janë përpjekjet për ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: në kombin shqiptar dhe në kombin kosovar! Kontribut posaçërisht i zi këtyre përpjekjeve po u jepet sot prej disa gjuhëtarëve të Akademisë sw Shkencave e të Arteve të Kosovës e disa bashkëmendimtarëve të tyre!

E një popull, e një komb, gjatë historisë, e kanë mbajtur pikërisht ato lidhje të quajtura shpirtërore, të frymëzuara, të ushqyera, të krijuara prej së mirës madhështore që i themi Vlera të përbashkëta, të përmbajtura në Sistemin e vlerave. Por, pikërisht këto vlera të përbashkëta, pikërisht ky Sistem i vlerave është rrënuar e po rrënohen nën trysnitë e shumëllojshme politike e partiake.

Pa lidhje shpirtërore midis njerëzve nuk ka Përbashkësi të vërtetë.

Këputjet e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve e kjo domethënë dobësimet e Përbashkësisë sonë mund të prodhojnë të papritura të ndryshme që kur e kur mund të shprehen tragjikisht.

Është koha të mendohet për parandalimin e tyre. Është koha të mendohet për parandalimin e të gjitha atyre që u thanë më lart.