"Jeniçeri i fundit" i Jusuf Buxhovit

"Jeniçeri i fundit" i Jusuf Buxhovit

Romani "Jeniçeri i fundit" është padyshim një prej romaneve shumë të njohura në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në këtë roman, janë të paraqitura sfidat, nëpër të cilat kalon jeta e një jeniçeri, në një periudhë tepër të vështirë, në të cilën Perandoria Osmane ndodhej buzë greminës. Mbajtja e pushtetit në Perandori, synohej të realizohej nëpërmjet forcës mbi besimin dhe nëpërmjet ushtrimit të dhunës.

      Çfarë nënkupton në të vërtetë jeta e jeniçerit? Një gjë e tillë nënkupton një lirim të përhershëm nga lëkura e gjarprit, e cila si rrjedhojë aludon në një besim të shenjtë në të, e që lidhet me krijimin dhe kujtesën, për arsye se jeta e jeniçerit do të thoshte edhe harrim i të kaluarës dhe emrave të mëhershëm. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një tendencë të shmangies nga identiteti dhe qenësia e individit.
      Çështja e tjetrit, kërkimi i librave të vjetër, tema e tradhtisë, rendi i ri, shembja e Perandorisë, kthimi në njerëz të thjeshtë, në mëkatarë të rëndomtë, si dhe përdorimi dhe shfrytëzimi i besimit për qëllime të caktuara, janë disa nga pikat kyçe të romanit "Jeniçeri i fundit".
      Rrëfimi në romanin në fjalë të Buxhovit, realizohet në vetën e parë dhe në vetën e tretë njëjës. Po ashtu, është i pranishëm edhe zëri i brendshëm, pra i tjetrit që ndodhet brenda rrëfimtarit (nëna, babai, motra, vëllai, Sheh Bani dhe Baba Bektashi i ndritur).
      Ndërrimi i Rendit të Jeniçerëve nga Rendi i Ri Ushtarak, u përcoll me një varg masash të rrepta, që u shoqëruan edhe me vrasje të shumta të bektashinjve e të jeniçerëve prej Rendit të Ri Ushtarak, për arsye se nuk i nënshtroheshin ligjeve të tij.
      Në romanin "Jeniçeri i fundit", e kemi të paraqitur raportin ndërmjet besimit dhe pushtetit, si dhe atë ndërmjet individit dhe pushtetit, i cili është i theksuar edhe në veprën "Herezia e Dervish Mallutës" të Teki Dervishit. Një gjë e tillë natyrisht që kishte ndikuar edhe në përçarjen e brendshme të Perandorisë Osmane, pasi që besimtarët konsideroheshin armiq të pushtetit.
      Në kuadër të Perandorisë Osmane, bënin pjesë edhe shqiptarët, të cilët luanin rol mjaft të rëndësishëm dhe pothuajse vendimtar në shpëtimin e Perandorisë nga shuarja e tërësishme.
      Ky roman thekson në masë tepër të madhe detyrën e një lajmëtari dhe misionari, i cili kishte filluar udhëtimin e tij natën dhe, i cili kishte për qëllim gjetjen e dijeve të vjetra, dijeve botërore, gjegjësisht të origjinës, zanafillës së tij.
      Jeta në Perandorinë Osmane ishte bërë shumë sfiduese, e vështirë dhe pothuajse e padurueshme. Kjo kishte ndodhur për shkak se i ashtuquajturi "Urdhri ynë" ishte rrënuar, pasi ishte shpallur heretik, që si rrjedhojë nënkuptonte se njerëzit do të duhej të jetonin pa besim, e që në të vërtetë mbrojtja e Perandorisë do të thoshte edhe mbrojtje e besimit.
      Në bazë të këtij realiteti, do ta krijonim bindjen se kemi të bëjmë me një shkatërrim dhe mohim total të historisë, i cili nënkuptonte edhe një rrënim total të së ardhmes.
      Gjendja e pushtimit, në asnjë mënyrë nuk mund ta privojë individin nga vlerat e brendshme shpirtërore (natyrisht në qoftë se përcillen nga ndjenjat e lirisë), ndonëse gjendja e tillë e pushtimit, fatkeqësisht e kthen njeriun në rob. Pra, kjo do të thotë se nocionet e lirisë dhe robërisë janë relative. Në këtë rast vihet në pah pozita e palakmueshme e individit, pra, pasiguria e tij se cilën anë duhej të zgjedhte, ose shërbëtor ose kryeneç. As shërbëtor e as kryeneç janë vetëm ata që s'ekzistojnë më, ndërsa, mosbërja shërbëtor konsiderohej flijimi (sakrifica) më i madh.
      Në Perandori, durimi cilësohej tradhti, ndërsa, kryeneçësia e kurdisur cilësohej heroizëm.
      Lufta për mbrojtjen e besimit dhe lufta për mbrojtjen e Perandorisë, kishin qenë shkaqet kryesore që kishin ndikuar në paraqitjen e një ndjenjeje të fuqishme të vetmisë, më saktësisht kishte ndikuar në krijimin e një lufte të brendshme, ku pushteti nuk kërkonte frymëzues shpirtërorë (siç ishte Urdhri për Rendin e Jeniçerëve), por, kërkonte vetëm shërbëtorë. Kjo gjë më pas kishte ndikuar që fuqia pa besim të kthehet në një tirani, e cila bie gradualisht.
      Shumica e krerëve të Urdhrit ishin masakruar. Ata që kishin mbetur gjallë, shprehën dëshirën dhe vullnetin e tyre që të bashkëpunonin me pushtetin, ndonëse pushteti në njëfarë mënyre, nuk i dëshironte njerëzit as për shërbëtorë. Kjo ide e bashkëpunimit me pushtetin, cilësohej si një formulë mbijetimi dhe rikthimi, ndërsa, besimi duhej të kthehej në forcë. Shkatërrimi i Perandorisë ishte dëshirë e armikut, ndërsa, lufta pa luftë paraqet njëfarë shërimi të brendshëm.
      Shqiptarët, që bënin pjesë në kuadër të Perandorisë Osmane, ishin në rrezik permanent që të asimiloheshin ose të zhdukeshin si popull dhe komb. Për këtë arsye, autori përmend pellazgjinë, e cila ishte një perandori botërore dhe një qendër e dijeve të vjetra, prej të cilëve e kanë origjinën edhe dardanët dhe ilirët, ku nga Mbretëria Dardane rridhte Perandoria e Romës, e Bizantit e shumë të tjera. Ky fakt tregon se autori me romanin "Jeniçeri i fundit", kishte për qëllim vetëdijësimin e shqiptarëve në kërkimin e origjinës së tyre të lashtë dhe në mbrojtjen e identitetit të tyre.
      Në romanin "Jeniçeri i fundit", kemi edhe personazhe me emra të mbretërve ilirë, si Monuni e Glauku, të cilët ishin të preokupuar të flisnin rreth rrezikut të asgjësimit të shqiptarëve nga barbarët, të cilët e kishin për qëllim t'i privojnë shqiptarët nga liria dhe krijimtaria.
      Po ashtu, në këtë roman, kemi të pranishëm edhe flijimin e një nuseje të re në urë, që asociativisht lidhet me murosjen e Rozafës, si dhe disa pjesë, të cilat krijojnë analogji me Besën e Konstandinit.
      Ajo që e bën romanin "Jeniçeri i fundit" shumë të veçantë dhe karakteristik, është fakti se në një pjesë të tij, paraqitet edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, një prej figurave më të ndritura dhe më të çmueshme të historisë sonë shekullore. Edhe në këtë personazh, në të vërtetë shfaqet ambicja dhe dëshira e tij që t'i gjente librat e dijeve të vjetra, dijeve botërore, të cilat do të dëshmonin gjenezën dhe lashtësinë popullit dhe kombit shqiptar. Pra, personazhi në fjalë ia vë vetes një mision, të cilin pretendon që ta realizojë.
      Romani "Jeniçeri i fundit" tregon qartë se kemi të bëjmë me një ndërlidhje të së kaluarës me të ardhmen, ku kemi edhe shkëputjen e të kaluarës nga e ardhmja.
      Të vërtetën e përhershme duhet ta kërkojmë tek e vjetra, ku duhet të lidhen dijet. Rikthimi i fuqisë shpirtërore (që ishte e domosdoshme për shpëtimin e Perandorisë) mund të bëhej vetëm me ndërlidhjen e dijeve të reja me dijet e vjetra. Unë-të Qenit dhe Mua-të Bërit, është çelësi universal për njohjen e veprimtarive mendore, që në të njëjtën kohë shenjon edhe kthimin nga vetvetja.
      Kthimi nga vetvetja nënkupton zbulimin e vetvetes, e që arrihet nëpërmjet kalimit në lashtësi dhe në zanafillë.
Çështja e tjetrit, si një prej çështjeve mjaft të njohura dhe të diskutuara filozofike, është e pranishme edhe në romanin "Jeniçeri i fundit" si zëra të brendshëm (Gur-guri, Guri i Nanës, Guri i Dheut), të cilët shfaqen në funksion të mbushjes së zbrazëtisë që krijohet në brendësi të rrëfimtarit. Po ashtu, është i theksuar edhe cikli jetë-vdekje, ku kemi luftëtarin e rënë në një luftë pa emër.
      Humbja e baraspeshës kohore midis të shkuarës dhe të tashmes, rrezikonte ta linte vendin pa të ardhme.
      Pra, në fund bëhet shthurja e sistemit (i cili paraqitej i paprekshëm dhe i përkryer) dhe arrihet paqja ndërmjet dijeve të vjetra dhe dijeve të reja, si dhe kalimi nëpër kohë dhe dije të pafund. Përfundimi i Baba Qazimit në lëkurën e gjarprit të shtëpisë, në të vërtetë aludon në përmbushjen e një misioni, i cili zgjati 40 ditë. Ndonëse dija luftohet, atë nuk munden ta vrasin, e një gjë e tillë lidhet me idenë e pavdekësisë, e cila është pjesë e gjithësisë, pavdekësi të cilën e gjejmë edhe në gjenezën e popullit shqiptar, e cila është ndër më të lashtat në Ballkan dhe më gjerë.
      Disa pjesë të këtij romani ndërlidhen edhe me ngjarje aktuale që ndodhin nëpër botë. "Dikur, çirrja stuhike, ia lëshoi vendin një si fjalim për besimin me të cilin ai jo vetëm që përjashtohej, por ashtu siç ishte, paraqitej si njëri ndër mashtrimet më të mëdha, që, si u tha, ishte fajtor për shfaqjen e dijeve të njëanshme të ardhmërisë, të cilat ishin pushtuese dhe rrënuese njëherësh dhe kjo arsyetohej me vlerësimin se ato me anën e mësimeve për Zotin kundër Zotit, kishin krijuar vetëdijen e mashtrimit, ku Zoti i besimit ishte kthyer në një mashtrues për qëllime të pushtetit dhe të pushtimeve të përgjakshme..."1.
      Jusuf Buxhovi e shkroi këtë roman me një stil të veçantë dhe me një gjuhë të pastër dhe shumë lehtë të kuptueshme. Rrëfimi i tij është i ngjashëm me rrëfimin e stilit kadarean, i cili shquhet me përshkrime mjaft të detajizuara. Po ashtu, në romanin "Jeniçeri i fundit", vërehet edhe prania e elementeve mitologjike shqiptare, e në veçanti sehiret (magjitë), të cilat përmenden edhe nga Kadareja në romanin "Kronikë në gur".
      Pra, në këtë roman të Buxhovit, është e shpërfaqur një dozë frike e njeriut se do të mbesë edhe pa të sotmen edhe pa të nesërmen, e tërë kjo si rrjedhojë e mohimit të së kaluarës.
      Prandaj, mund të konkludoj se në romanin në fjalë, synohet rikthimi në gjenezë, në rrënjë, si dhe përsëritja e të njëjtës, ku fillimi është fund e fundi është fillim, e që hetohet edhe në përmbyllje të romanit: "po shkoja që të rikthehesha", që del të jetë ekuivalente me vetë ciklin jetësor.

Shkëmbim Istrefi