Hoti: Për demarkacionin do të hapim dialog gjithpërfshirës

Hoti: Për demarkacionin do të hapim dialog gjithpërfshirës

Në bisedë për DW, Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër i koalicionit LDK-AKR- Alternativa, flet për programin zgjedhor, demarkacionin, korrupsionin, dialogun me Serbinë, serbët në Kosovë dhe raportet me Gjermaninë.

DW: Zoti Hoti cilat janë prioritet me të cilat pretendoni të fitoni zgjedhjet dhe postin e kryeministrit të vendit?

Avdullah Hoti: Programi ynë së bashku me partnerët e koalicionit ka katër shtylla kryesore: E para është zhvillimi ekonomik i vendit, shqetësimi kryesor i qytetarëve është zhvillimi ekonomik. Strategjia jonë është zhvillimi i sektorit privat, promovimi i investimeve të huaja, politikat fiskale, investimet publike që targetojnë mirëqenien e qytetarëve, kjo është pjesa kryesore e programit tonë. Pjesa e dytë është arsimi dhe shëndetësia, shërbimet publike që duhet t'u ofrojmë qytetarëve. Pra jemi të interesuar që të investojmë shumë në arsim në mënyrë që kuadrot që dalin, ta gjejnë veten në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Tjetra është ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, kemi bërë progres gjatë dy viteve të shkuara, dhe dëshirojmë që ta çojmë më tutje këtë reformë në shëndetësi, duke siguruar sigurimet shëndetësore, një shëndetësi primare që është gjithëpërfshirëse. Shtylla e tretë është rendi dhe ligji, kjo shoqëri ka vuajtur shumë gjatë me politika të papërgjegjshme, ku shkalla e korrupsionit është shumë e lartë. Ne kemi një pako të reformave, ligjeve që do të nxjerrim në fillim të mandatit për t'u siguruar që sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht i pavarur nga politika, kjo është e para. E dyta është që të sigurojmë resurse të nevojshme për organet e drejtësisë dhe nxjerrjen e ligjeve që do të mundësohet konfiskimi i krejt pasurisë që është fituar në mënyrë joligjore. Dhe shtylla e katërt e programit janë integrimet evropiane, integrimet në NATO, fqinjësia e mirë që duhet të kemi me të gjitha vendet në rajon.

Ka një përshtypje që krimi dhe korrupsioni nuk janë luftuar sa duhet, ju keni qenë edhe vet pjesë e qeverisë dhe keni një pjesë të përgjegjësisë, tash si kandidat për kryeministër çfarë do të bëni konkretisht për ta luftuar këtë fenomen?.

Përcaktimi yonë për ta luftuar korrupsionin ka qenë edhe gjatë dy viteve të kaluara, dhe jam i kënaqur që e kemi përmbyllur këtë pjesë të mandatit pa asnjë aferë korruptive. Ne kemi trashëguar afera korruptive që duhet ta paguajmë si shoqëri. Lufta kundër korrupsionit vetëm sa ka filluar në dy vitet e fundit dhe kjo ka me qenë kryesore për t'u siguruar që qytetarët të ndihen krenarë me institucionet e Kosovës.

Përveç luftës për krimin e organizuar dhe korrupsionin, kushti tjetër që Kosova duhet ta përmbushë është demarkacioni, si do ta zgjidhni këtë çështje, kur dihet se demarkacioni nuk ka mundur të ratifikohet në legjislaturën e kaluar?

Platforma jonë për këtë çështje është që ne të krijojmë një dialog ku t'i përfshijmë të gjitha palët që janë të involvuara në këtë proces. Një platformë politike të dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës së ardhshme për të shqyrtuar të gjitha modalitetet. Tashmë kemi tre raporte të ndryshme për demarkacionin që nuk janë kontradiktore me njëri tjetrin. Tash ajo që është me rëndësi të thuhet është se demarkacioni nuk është çështje e fakteve, por është problem politik, agjendë politike për disa subjekte politike. Ajo që do të bëjmë ne është që ta involvojmë opozitën në një proces dialogu për këtë çështje, përfshirë edhe banorët e asaj pjese në konsultim edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe të lëvizim përpara. Pra do të fillojmë një proces të ri për t'u hapur të gjitha letrat, të jemi maksimalisht transparent dhe për t'i siguruar qytetarët që ne nuk e humbim asnjë pëllëmbë tokë të Kosovës.

Zoti Hoti në platformën tuaj e përmendet edhe dialogun me Serbinë, tash e disa vite po zhvillohet dialog, nëse zgjidheni kryeministër, si e keni menduar qasjen në këtë dialog, do të ketë format të ri apo si?

E para është në interes të Kosovës dhe stabilitetit në rajon që bisedat me Serbinë të përmbyllen suksesshëm. Bisedat do t'i ngremë në nivel të kryeministrit, e dyta, të gjitha temat që do të diskutohen me Serbinë do t'i nxjerrim në tavolinë, dhe do të kërkojmë vendosjen e afatit kohor, kur duhet të përfundojë procesi, sepse ne kemi negociuar për ato marrëveshje dhe pastaj kemi negociuar sërish për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Do të ketë dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, por me involvim të drejtpërdrejt të SHBA-së, për t'i dhënë një shtytje të re dialogut me Serbinë. Në këtë proces duhet të hapet edhe çështja e njohjes nga Serbia.

Si e mendoni çështjen e njohjes nga Serbia, do ta kushtëzoni Serbinë në një ndonjë formë?

Kemi plot çështje që duhet t'i zgjidhim me Serbinë deri te njohja finale, pra ajo që dëshirojmë ne është që t'i nxjerrim të gjitha temat në tavolinë të bisedave, të vendosim afate kohore kur duhet të përfundojnë ato tema dhe ta involvojmë direkt SHBA-në në këtë proces. Pa involvimin e SHBA-së procesi nuk do të lëvizë përpara sikurse nuk ka lëvizur viteve të fundit. Unë do ta marr përgjegjësinë për procesin e dialogut dhe ajo që do të sigurojë gjatë këtij procesi është transparenca maksimale karshi parlamentit të Kosovës.

Zoti Hoti, një proces që qeveria e ardhshme duhet ta përfundojë është çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, do ta themeloni asociacionin dhe si?

Për këtë temë kryeministri Isa Mustafa e ka bërë një punë të jashtëzakonshme, dhe do të mbetet për gjatë si veprim shtetëror. Pra çdo veprim që merret lidhur me themelimin dhe zbatimin e asociacionit, të merret në harmoni me kushtetutën e Kosovës, pra sipas marrëveshjes për asociacionin ne jemi të obliguar që për çdo gjë t'i drejtohemi gjykatës kushtetuese. Pra atë që mund të sigurojë është një asociacion që është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

E keni menduar dialogun me serbët lokal, pikërisht për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Sigurisht. Komuniteti serb në Kosovë është interes shtetëror i Kosovës që ky komunitet të jetë plotësisht i involvuar në forcimin e institucioneve të Kosovës. Ne do të dialogojmë shumë me serbët në Kosovë në veçanti në veri të vendit në mënyrë që t'i shtrijmë institucionet atje. Shtrirja e institucioneve në veri gjatë dy viteve të shkuara ka ndodhur dhe për dallim nga e kaluara në atë pjesë ka rënie të krimit dhe korrupsionit. Por, do t'i shtrijmë edhe institucionet e tjera në atë pjesë në mënyrë që edhe veriu të jetë tërësisht i konsoliduar me institucione të Kosovës.

Zoti Hoti, në zgjedhjet e vitit 2014 serbët e Kosovës garuan në një subjekt politik, lista serbe, e cila e kishte mbështetjen e Beogradit. Tash në këto zgjedhje, kemi të regjistruar gjashtë subjekte politike serbe, mendoni ju që tash pas zgjedhjeve ka gjasa që qeveria e Kosovës ta sigurojë mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve për krijimin e ushtrisë së Kosovës?

Disa çështje janë kategori kushtetuese, ndryshimi i disa ligjeve dhe neneve të kushtetutës nënkupton edhe pajtueshmërinë e komunitetit serb dhe në rastin që e përmendet ju krijimin e ushtrisë. Në këtë pikë ne do të punojmë ngushtë edhe me komunitetin serb për të marr pajtimin e tyre. Mirëpo, në fund të fundit nëse nuk arrihet dakordimi i tyre atëherë jemi të detyruar ta përdorim kartën e fundit, ligjin për themelimin e ushtrisë sepse nuk mund të presim pa fund.

Zoti Hoti do të bashkëpunoni ju me Gjykatën Speciale nëse bëheni kryeministër?

Kosova tashmë ka obligime kushtetuese dhe ligjore ndaj gjykatës speciale, kjo është një çështje e pavarur e drejtësisë ndërkombëtare që Kosova as nuk mund të përzihet.

Do të thotë ju do të ekstradoni në Holandë personat që eventualisht mund të kërkohen nga gjykata speciale?

Do të respektojmë ligjin dhe marrëveshjen që është ratifikuar në parlamentin e Kosovës.

Viteve të fundit bota po përballet me sulme të vazhdueshme terroriste. Keni ju shqetësim se Kosova mund të jetë target i ndonjë sulmi të mundshëm?

Kur e kemi filluar mandatin si qeveri shumë qytetar të Kosovës kanë qenë të përfshirë në luftra në Lindjen e Mesme. Ne kemi nxjerr ligj që u ndalon qytetarëve përfshirjen në luftra jashtë vendit dhe gradualisht ka rënë numri i qytetarëve që shkojnë në luftra jashtë vendit. Po punojmë shumë në preventiv, me komunitetet e ndryshme fetare, me komunitet lokale dhe grupe të ndryshme në mënyrë që njerëzit të vetëdijesohen dhe mos t'u bashkohen organizatave të ndryshme terroriste.

Zoti Hoti, si do të jenë raportet e qeverisë së Kosovës me Gjermaninë. Partia juaj vazhdimisht ka proklamuar një lidhje me partinë CDU në Gjermani?

Qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë qeveri proevropiane. LDK- nga vij unë është e vetmja parti nga Kosova, që është anëtare e partive popullore evropiane dhe ju e dini që ky është komuniteti më i madh në Parlamentin Evropian, ka Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Në hapje të fushatës ne kishim kryetarin e unionit të partive popullore evropiane dhe ky është një mesazh i qartë, se qeveria e ardhshme e Kosovës do ta ketë mbështetjen e Unionit të Partive Popullore Evropiane dhe unë pres që do të kemi mbështetje edhe në procesin e liberalizimit të vizave.