Kurti: Po, ne i njohim simbolet e Republikës së Kosovës

Kurti: Po, ne i njohim simbolet e Republikës së Kosovës

Inervistë me Albin Kurtin, kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës. Kurti flet për simbolet e shtetit të Kosovës, bashkimin me Shqipërinë, dialogun me Serbinë, demarkacionin, koalicionet…

DW: Zot Kurti, cila është platmofrma me të cilën synoni t‘i fitoni zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë?

 

Albin Kurti: Vetëvendosja ka një alternativë qeverisëse, e cila i bashkon shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Kjo alternativë është elaboruar në 40 masat tona për qeverisje të ardhshme, që janë edhe 40 prioritetet e Republikës. Këtu do të theksoja krijimin e fondit sovran të Republikës së Kosovës, i cili do të ishte aksionari maxhoritar tek ndërmarrjet publike. Fondi të mundësonte p.sh. që trusti pensional të blejë aksione, të marrë fund privatizimi dhe t'i hapet rruga shitjes së aksioneve. Por Fondi duhet të jetë aksionari më i madh… një fond i tillë nuk bën pa bankë zhvillimore, ku kamatat do të ishin nën 3%, me afate kthimi edhe mbi 20 vjet. Edhe banka sikur Fondi do të ishte e lidhur me Parlamentin e Kosovës. Ndërsa agjencia zhvillimore do të ketë përsipër zhvillimin e vendit dhe të koordinojë politikat qeveritare ndaj bizneseve. Kemi edhe shumë plane të tjera: ndërtimin e 4000 banesave sociale, 160 kopështeve për fëmijë, shujtat falas për të gjithë fëmijët deri në klasën e pestë,  pushimi njëvjeçar për femrat në kohën e lindjes, do të kishim shtesa për fëmijë deri në 15 vjeç… Dhe një vëmendje e posaçme do t'i kushtoht ligjit për luftimin e korrupsionit dhe krijimit të njësitit antimafie për luftimin e korrupsionit.

 

DW: Zoti Kurti, theksi i fushatës suaj kësaj radhe është tek përmirësimi i gjendjes ekonomike, që nuk është parë shpesh në fushatat e kaluara në Kosovë?

Albin Kurti: Pa dyshim. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë dalje nga kriza. Ne jemi të interesuar të vijnë investime nga jashtë, në radhë të parë nga mërgata jonë, dhe të mos na ikin të rinjtë të dëshpëruar nga gjendja në vendin e tyre, siç ka ndodhur kohët e fundit. Vetëm për dy vite e gjysmë kanë ikur nga vendi më shumë se 150.000 të rinj.

DW: Këtë e dimë shumë mirë edhe ne në Gjermani, sepse shumica kanë ardhur në këtë vend. Por të kthehemi tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni. Çfarë do të ndërmerrni konkretisht për luftimin e kësaj dukurie, që është një prej parakushteve të Bashkimit Evropian për liberalizimin  e vizave?

Albin Kurti: Konkretisht do ta bëjmë me ligj procesin e vetingut, të vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Do të rrisim numrin e prokurorëve dhe të gjykatësve, sepse vetëm rreth dy përqind e buxhetit i kushtohet drejtësisë. Do ta rrisim numrin e bashkëpunëtorëve profesionistë të prokurorëve dhe gjykatësve, sepse aktualisht kemi gjysmë milioni lëndë të pluhrosura në sirtarët e drejtësisë. Do të nxjerrim edhe ligjin antimafie, ku do të parashikohen gjykata të veçanta antimafia në Republikën e Kosovës.

DW: Zoti Kurti, ju  dy herë më lart e përmendët Republikën e Kosovës. A do të thotë kjo se ju tani i njihni edhe simbolet e shtetit të Kosovës, pasi që Vetëvendosja një kohë të gjatë nuk i ka njohur ato?

Albin Kurti:  Po, ne i njohim simbolet e Republikës së Kosovës. I kemi gjetur aty dhe do të vazhdojnë të mbeten aty.

DW: Cili është qëndrimi juaj ndaj bashkimit të trojeve shqiptare, sepse ju shpesh keni deklaruar se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë një shtet?

Albin Kurti: Avancimin e Republikës së Kosovës dhe simbolet e saj duhet të reflektojnë historinë dhe të drejtën e bashkimit të popullit tonë. Ne këtë bashkim e shohim vetëm si një proces paqësor dhe demokratik. Bashkimi nuk mund të bëhet pa Shqipërinë dhe besojmë se neni 1.3 i Kushtetutës së Kosovës, që ndalon bashkimin me një shtet tjetër, është i padrejtë. Ai nen na pengon madje edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk duam të shkaktojmë konflikte të reja, por nuk duam të harrojmë as faktin se ndarja e shqiptarëve është e padrejtë.

DW: Cili është qëndrimi juaj ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe ndaj prezencës ndërkombëtare në Kosovë, sepse ju shpesh keni kërkuar largimin e Eulexit apo dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare?

 Albin Kurti: Ne jemi subjekt politik që ka mendim kritik - brenda dhe jashtë lëvizjes. Mendimin kritik e kemi mësuar prej Perëndimit. Këtu ka të tillë që duan ta heshtin kritikën, por kjo është më shumë mendësi lindore. Ata që na kritikojnë, në fakt duan që ta duam Perëndimin në mënyrë jokritike, pra në mënyrën lindore të të menduarit. Vetëvendosja gjithmonë i respekton ambasadorët dhe faktorët ndërkombëtarë. Ne besojmë se na është dobësuar marrëdhënia me faktorin ndërkombëtarë, sepse na është dobësuar shteti i Kosovës. Duam të fuqizohet shteti i Kosovës, për të forcuar edhe bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar. Nuk jemi kundër BE-së as kundër NATO-s apo SHBA-së. Përkundrazi jemi falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmat që na kanë dhënë.

Ne kemi 32.000 biznese shqiptare në Gjermani. Nëse vetëm 1 % kthehet në Kosovë do të ishin 10 për komunë. Por me këtë korrupsion nuk është e mundur. Vetëvendosja mendon se shansi ynë më i madh është Gjermania, në kuptimin që e kemi mërgatën më të madhe atje – 600.000 punëtorë dhe 32.000 biznese shqiptare. Gjermania i ka 46 milionë punëtorë dhe është motori i BE. Ndaj bashkëpunimi me Gjermaninë është çelësi kryesor për dalje nga kriza dhe për zhvillim.

DW: Në rrugën e vazhdimin të procesit të integrimeve euroatlantike, kërkohet edhe bashkëpunimi me vendet fqinje, pra edhe me Serbinë. Si do të zhvillohet dialogu me Serbinë, nëse ju e merrni pushtetin?

Albin Kurti: Marrëveshja e Brukselit, apo marrëveshja për zajednicën (Asociacioni i komunave me shumicë serbe vër. e autorit), siç e kemi quajtur ne, e 25 gushtit të vitit 2015, praktikisht ka vdekur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të marrë me 23 dhjetor të vitit 2015.

 DW: Unë pyeta për Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në vitin 2013 në përgjithësi?

Albin Kurti: Qëllimi i Beogradit ka qenë në fakt krijimi i zajednicës së komunave me shumicë serbe. Këtu nuk ka dialog, ndaj nuk mund të thuhet që Vetëvendosja do të ndërpriste dialogun, sepse ai nuk ekziston. Ne mendojmë se para çdo dialogu me palën serbe, ka nevojë për dialog të hapur me serbët e Kosovës për zhvillim. Ndërsa sa i përket dialogut me Beogradin, nuk mund të bisedojmë më pa kurrfarë parimesh, dhe nuk mund të pranojmë që Serbia ta përcatojë gjithmonë agjendën.

DW:  Bashkimi Evropian kërkon respektimin e Marrëveshjes së Brukselit. Do t'a respektoni ju këtë marrëveshje apo jo?

Albin Kurti: Një nga prioritetet tona është krijimi i një komisioni parlamentar se çfarë është bërë në dialog prej vitit 2011. Në përgjithësi ekziston përshtypja se ka dështuar ai dialog. Duhet të reflektojmë pra se çfarë është bërë dhe kush e ka bërë. Ne nuk do të merremi në ditën e parë të qeverisjes me Serbinë, sepse Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

DW: Megjithatë, çfarë dialogu dhe çfarë raportesh do të ndërtoni me Serbinë, sepse ajo është vend fqinj me të cilin duhet të keni raporte të mira?

Albin Kurti: Raportet e mira me Serbinë nuk janë varur kurrë nga Kosova. Ajo nuk po na njeh pavarësinë, nuk ka kërkuar falje për krimet e kaluara, dhe nuk është ballafaquar me të kalurën. Mendoj se për marrëdhënie të mira me Serbinë, nuk duhet të ndryshojë Kosova por Serbia. 131 nga 250 deputetë të Kuvendit të Serbisë janë futur në grupin e miqësisë me Rusinë, që tregon për orientimin e saj prorus. Unë mendoj që Serbia është një vend i pikëllueshëm, ku opozita nuk përbën as 15%. Ndërsa Vuçiqi, i cili ka qenë ministër i Informacioneve në kohën e Millosheviqit, tani u është bashkuar autokratëve të tjerë, siç janë Orban, Erdogan etj. Serbia nuk duhet ta shikojmë si postmillosheviqiane, sepse realisht nuk është fare e tillë.

DW: Si do ta zgjidhni ju problemin me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe si do t'i plotësoni kërkesat e serbëve për më shumë autonomi?

Albin Kurti: Në dialog të drejtpërdrejtë me serbët e Kosovës, pa ndërmjetësimin nga Beogradi. Në momentin kur Beogradi e ka fjalën kryesore për interesat e serbëve këtu, atëherë çfarëdo kërkese për asociacion e ka qëllimin e përsëritjes së Bosnjes. Edhe atje14 komuna me shumicë serbe kanë nisur me një asociacion në vitin 1991. Në këtë mënyrë ka filluar krijimi i Republikës Serbe atje. Ne nuk mund të lejojmë bosnjizimin e Kosovës.  Unë nuk e besoj që Serbia në të ardhmen mund ta okupojë prapë Kosovën. Por plani i saj nuk është që Kosova të kthehet nën Serbi, plani i saj është që Kosova të bëhet si Bosnja.  Ne këtë nuk mund ta tolerojmë.

DW: Mali i Zi e ka njohur Kosovën, por ende keni problem me çështjen e demarkacionit të kufirit. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Albin Kurti:  Ne besojmë se edhe këtu duhet të bëjmë një hetim, se si është bërë marrëveshja në Vjenë (e nënshkruar në gusht të vitit 2015) nga komisioni shtetëror i udhëhequr nga zoti Meha. Ai ka negociuar mbi një bindje të gabueshme me rezultate të dëmshme për Kosovën. Ne duhet të dëshmojmë me libra kadastralë që ajo tokë është e jona. Nuk ka kuptim demarkacioni pa delemitim. Në këtë rast kemi një ndryshim kufiri dhe jo shënim kufiri. Ndërsa zotërinjtë Thaçi, Meha dhe Hyseni më vonë e kanë ndryshuar kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ne do të bëjmë një hetim në këtë drejtim dhe që në muajin e parë të qeverisjes do t'i shkruajmë Malit të Zi, me kërkesë për bisedime direkte me qeverinë në Podgoricë. Unë jam i bindur se ato do të jenë të suksesshme, sepse Mali i Zi na ka njohur dhe jemi në të njëjtën anë gjeopolitike në Ballkan dhe Evropë. Mali i Zi ka hyrë në NATO dhe do të hyjë në BE sikur edhe ne që duam të hyjmë. Mali i Zi i ka të acaruara raportet me Beogradin dhe me Moskën, ndoshta jo sa ne, por ngjashëm me ne.

DW: Cili është qëndrimi juaj ndaj fesë dhe simboleve fetare, sepse ka pasur interpretime të ndryshme. Në veçanti pas deklaratës suaj se do ta luftoni islamofobinë? 

Albin Kurti: Qëndrimet e mija ndaj fesë janë keqintepretuar qëllimshëm kohët e fundit. Unë kam dy shkrime për këtë: Kombi dhe Feja dhe Mbulesa. Ne nuk jemi për ndalimin e shamisë për gratë dhe femrat mbi moshën 16 – vjeçare, nga pikëpamja e të drejtave të njeriut. Në shkolla kemi edhe mësimdhënëse me shami, por ajo jep matematikë. Ne shqiptarët jemi komb me tri fe dhe shteti jonë sekular krijon hapsirë për besimin dhe praktimin e fesë. Unë mendoj që Republika e Kosovës duhet të jetë republikë sekulare. Pur nuk duhet të ndërhyjë në atë se si duhet të vishet dikush, kjo vlenë për të gjitha besimet dhe fetë. Me rëndësi është që fytyra të jetë e zbuluar. Fytyra nuk guxon të jetë e mbuluar. Ndryshe, me rëndësi është se çfarë ka në kokë dhe jo mbi kokë. 

DW: Ju keni kërkuar që të rinjtë të votojnë që nga mbushja e moshës 16-vjeçare. Pse?

Albin Kurti: Personat e moshës 16-vjeçare kanë të drejtë të marrin kartat e identitetit dhe të martohen, ndaj besojmë se duhet të kenë të drejtë edhe të votojnë. Austria dhe disa lande në Gjermani i kanë këto rregulla. Këto qëndrime kanë partitë socialdemokrate dhe ne si parti socialdemokrate i mbështesim ato. 

DW: Pse nuk jeni futur në koalicione parazgjedhore, sikurse shumë parti të tjera? Ka pasur shpjegime se zoti Kurti ka sjellje autokratike dhe pretendon të marrë të gjithë pushtetin në duart e veta dhe se është e vështirë të bisedohet me Kurtin. Pra pse?

Albin Kurti: Ne kemi qenë së bashku me parti të tjera në kohën e koalicionit VLAN (Vetëvendosja, LDK, AAK dhe Nisma). Por LDK iku dhe shkoi tek PDK. Mandej e kishim koalicionin VAN (Vetëvendosja, AAK dhe Nisma) dhe kemi organizuar protestat më të mëdha në kohën e pasluftës.  Por tani AAK iku dhe shkoi tek PDK. Ne kemi biseduar gjatë edhe me AKR, kemi pasur madje edhe disa marrëveshje, por AKR shkoi tek LDK. Këtu duhet shikuar pra kërkesat dhe vrapimin e të tjerëve pas interesave të tyre. Vetëvendosja tani është shansi i vetëm, sepse dy koalicionet tjera burojnë nga i njëjti regjim.

DW: Nëse fitoni më së shumti vota, më kë do të futeni në koalicion?

Albin Kurti: Me 11 qershor do ta mbrojmë fitoren tonë, sepse në Kosovë nuk mjafton vetëm të fitosh më së shumti vota, por duhet edhe ta mbrosh këto fitore nga manipulimet e mundshme. Me 12 qershor do të festojmë fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhje si dhe 18 – vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por njëkohësisht do të përcjellim lajmet se çfarë ka mbetur nga koalicionet e tanishme parazgjedhore.

DW: Pra më kë do të bëni koalicion, pasi nëse fitoni më së shumti vota, me siguri nuk t'i keni shifrat e duhura për krijimin e qeverisë?

Albin Kurti: Pasi të shohim se çfarë ka mbetur nga dy koalicionet e tanishme, do ta marrim një partner të vogël për të bërë shumicën e duhur. Ne do të presim rezultatin e zgjedhjeve, sepse koalicionet e tanishme do të shpërbëhen./DW


MË SHUME NGA Intervista