Pse i vrau Mehmet Shehu ballistët e Lushnjes

Pse i vrau Mehmet Shehu ballistët e Lushnjes

Roli i Dushan Mugoshës dhe Fiqirete Shehut në këtë histori: Libri me kujtime i Xhelal Staraveckës: “Përpara gjyqit të historisë”.

…Të nesërmen duke marrë dhe një varg prej më se gjashtëdhjetë mushkash të ngarkuara me topa malorë dhe me municionin e tyre, kalova Shkumbinin dhe iu drejtova Belshit. Në Belsh, një ditë përpara meje, kishte ardhur dhe brigada. Ajo kishte qenë në Sulovë e në Shpat të Elbasanit qysh prej asaj dite që u ndamë në Labinot. Si thashë më lart, se nuk kisha zell, as dëshirë për cilindo aksion, prandaj kur më thirrën në Shtab (natyrisht, në çështje me rëndësi kur nuk shkoja unë, shkonte Mehmeti) dhe atje më tha Dushani të merrja batalionin dhe të shkoja për të shkatërruar Isa Manastirin që vërvitesh atypari me çetën e tij. I thashë pa komplimente se nuk dëshiroja të shkoja, pasi doja të përfitoja nga ai qëndrim në atë vend që është plot me liqene, ku jo vetëm do të lahesha pasi ishim nga fundi i tetorit dhe dielli ishte akoma i ngrohtë për të bërë banjë, por doja të gjuaja dhe peshk, që e kisha shumë qejf, pasi kisha më shumë se një vit e gjysmë në luftra dhe aksione pa pushuar dy ditë rresht.

Refuzimin tim e pranuan pa ndonjë kundërshtim, natyrisht pasi e dinin se nuk më përkulnin. Në vendin tim u nis Mehmeti me një nga batalionet e brigadës kundër Isa Manastirit. Në katundin Golem të Lushnjes Mehmeti e rrethoi Isain dhe në pak minuta e shkatërroi, duke kapur çetën e tij që përbëhej prej 79 katundarësh, të cilët u dorëzuan pa shkrepur asnjë pushkë, ndërsa Isa Manastiri me 7-8 roje personale të vetë, doli nga rrethimi dhe iku.
Mehmeti, kur i kapi katundarët, megjithëse nuk kishin zbrazur asnjë armë kundër tij, kishte vendosur t’i pushkatonte të gjithë. Mirëpo partizania e atëhershme, që më vonë u bë gruaja e Mehmetit, Fiqeret Sanxhaktari, për të hyrë në simpati të Dushanit, cërnagorasit ortodoks, i propozoi Mehmetit të hiqte nga pushkatimi 10 katundarë që ishin ortodoksë, me pretekstin se, si minoritet, nuk mund të kundërshtonin për të mos shkuar me të tjerët të mbushnin çetën e Isa Manastirit.

Të nesërmen, kur Dushani më dha lajmin ç’kishte ngjarë në Golem të Lushnjes, më tha për Fiqretin se ishte një vajzë shumë e mençur dhe një komuniste shumë e mirë: “Në rreshtat e partizanëve asnjë nuk kishte si ajo”.
Edhe sot çuditem dhe thërres me të madhe duke pyetur se pse e bëri Mehmeti atë diskriminim? Ata ishin krejt me Isanë, për atë krim duheshin pushkatuar të gjithë; ose në qoftë se dëshirohej të përdorej njëfarë mëshire, pasi asnjë nuk kishte bërë qëndresë kundër çetës së Mehmetit, duheshin falur të gjithë; ose tek e fundit të merreshin dhe të pushkatoheshin 7-8 apo 10 persona duke i konsideruar si bashkëpunëtorë e simpatizantë të Isa Manastirit dhe jo 69 katundarë pse e kishin lafshën të prerë dhe të mos pushkatoheshin 10 pse, si lafshë-paprerë, nuk kishin guxim mos t’i bindeshin Isa Manastirit.

Më thoni, ju lutem, jam unë që bëj diskriminime dhe inkriminime në aspektin e fesë?

Besomëni se edhe sot pas njëzet e tre vjetëve që shkrova frazën me pikëpyetje këtu lart, ato fjalë më kanë dalë nga goja me zërin më të lartë që më del nga kraharori tamam sikur të isha në pyll…

Nëse pas njëzet e tre viteve kur shkruaja pyetjen -jam unë që bëj diskriminime dhe inkriminime fetare, apo janë të tjerët, – thirra me zë të lartë si i çmendur, duhet të më besoni, pra, se ka qenë ajo thika e fundit në trupin tim që më shtyri të merrja atë vendim aq të hidhur të ndarjes nga ata shokë që kisha qenë si mishi me thuan me ta; se ndërsa kisha përshëndetur ideologjinë e kuqe si helm kundër mikrobeve të “nepotizmit”, i gjeja ata mikrobe më të shëndoshë në komunizmin shqiptar nga influenca e Dushanëve dhe Koçi Xoxëve, për të cilin mund të them se ai sentimentalizëm edhe sot nuk i ka akoma rrënjët të thara.

Këndonjësi i këtij libri nuk duhet të shohë tek unë një fanatik mysliman kundër fesë së krishtere, pasi e para e punës unë nuk kam asnjë fe, pastaj feja myslimane nuk ekziston në Shqipëri veç në dy raste: në emra, si mua që mua më quajnë Xhelal, që është një emër arab dhe në synetllëkun. Çështja e synetllëkut jo vetëm nuk është ekskluzive myslimane, sepse e praktikojnë edhe çifutët, por nga ana tjetër është dhe higjenike, dhe higjena as ka as duhet të ketë gardh fenë…

Mos ejani të më thoni se as Fiqeret Sanxhaktari, as Mehmet Shehu ishin ortodoksë që vepruan në atë mënyrë, pasi gaboheni. Pse gabojeni, ja pse. Megjithëse në këtë rast dua të lë Mehmetin jashtë se ai, si komunist i bindur, nuk e shkonte në mendje një gjë të tillë, i cili sikurse kam thënë më lart, vepron në më të shumtën e rasteve sipas këshillave të shokëve që e rrethojnë në punë, në atë rast nuk mund të lë jashtë Fiqeretin, e cila, duke njohur sentimentin ortodoks të Dushan serbomadhit si dhe qejfin dhe hatrin e madh që do t’i kishte bërë Koçi Xoxes, që në ato kohë ishte gati si pronari i Partisë Komunistë shqiptare, për të mos thënë padroni, veproi në atë mënyrë.
Fiqeret Sanxhaktari e njihte shumë mirë Dushanin, nga ana tjetër e kuptonte dhe përshtypjen e ëmbël që do t’i kishte bërë Koçi Xoxes, prandaj ndërhyri energjikisht që mos t’i pushkatonte Mehmet Shehu ata që kishin lafshën të paprerë.

Preteksti, ta orientojmë si të duam çështjen, ka qenë absurd, se në atë grumbull katundarësh nuk mund të ngulmojmë se krejt myslimanët kishin shkuar me dëshirën e tyre me Isa Manastirin, jo se vetë ma ka thënë Isai, por e thotë logjika, pasi Isa Manastiri ishte një kapobandë dhe jo profeti Muhamet Mustafaj.

Për t’u shpjeguar më qartë, logjikisht ai pushkatim qe një krim vetëm pse u bë diskriminim, se nëse 10 ortodoksë shkuan nga frika për të bërë pjesë në çetën e Isa Manastirit, kush na siguron se në 69 katundarë myslimanë, meqenëse Isai nuk ishte profeti Muhamet Mustafaj, nuk kishte 20 katundarë, apo 10 ose tek e fundit 5 katundarë të varfër që nuk kishin shkuar nga frika me Isa Manastirin?

Jo, zotni, të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt. Ai diskriminim u bë vetëm për t’iu avitur një metro më afër sanktuarit apo tempullit të kënaqësisë së satrapit dhe nën satrapët ortodoksë Dushan dhe Koçi Xoxe që i kishim bërë monarkët tanë absolutë…

(Fragmente nga libri me kujtime historike “Përpara gjyqit të historisë: 1912-1966” i autorit Xhelal Staravecka, botimet “Naimi”)