Haradinaj: S’ka improvizime, Qeverinë e formojmë ne

Haradinaj: S’ka improvizime, Qeverinë e formojmë ne

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, thotë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.

Ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë për certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju jeni kandidat për kryeministër i një koalicioni që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Por, mandatet e fituara në Kuvend, sikur nuk u garantojnë formimin e Qeverisë pa një koalicion të ri. Si do të veproni në këtë rast?

Ramush Haradinaj: Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputeteve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në qeveri. Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë.

Do të diskutoni apo keni filluar diskutimet për një koalicion të ri?

Ramush Haradinaj: Tani kuptohet, komunikimi ekziston dhe është i vazhdueshëm, por ato zyrtaret duhet të ndodhin kur përmbyllet certifikimi i rezultatit dhe pasi të marrë nominimin zyrtar, por po, jemi në punë e sipër këto ditë.

Radio Evropa e Lirë: I bëni ftesë ndonjërit prej subjekteve politike nga koalicioni i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën që të bëhen pjesë e Qeverisë tuaj eventuale?

Ramush Haradinaj: Unë kam pasur një traditë bashkëpunimi më LDK-në nga Qeverisja në të kaluarën në kohën e koalicionit me presidentin Rugova. Jam i hapur për të biseduar me ta. Pra, është e mundshme.

Zoti Haradinaj e dimë se si kanë qenë raportet në të kaluarën, por po flasim tash për tash, sot për sot?

Ramush Haradinaj: Nuk mund ta precizoj nëse është ftesë, por ne jemi në përgatitje e sipër të marrëveshjeve potenciale me partnerët. Pra, unë kam një traditë pune me LDK-në nga e kaluara. Kemi një komunikim, ta quaj ashtu ,të hapur dhe është e mundshme, por nuk mund ta paragjykoj kaq herët ose si do të shkoj rrjedha.

Me Vetëvendosjen, jeni të gatshëm të shkoni në koalicion?

Ramush Haradinaj: Njihemi edhe me ta po ashtu. Me siguri do të komunikoj edhe me ta që të shohim si është perspektiva e punëve në të ardhmen. Mirëpo ju thash që jemi në nivel punë që votuesit kanë vendosur kush është fitues i zgjedhjeve. E kemi numrin e caktuar të deputetëve, i kemi komunitetet që në bazë të Kushtetutës e kanë rolin e vet kushtetues edhe në Qeveri edhe në Parlament, do të diskutojmë edhe në organizimin e politikës shqiptare, por s'dua ta precizoj si do të rrjedhë.

Do të thotë, ju nuk keni diçka konkrete aktualisht, sa i përket asaj se si do të duket Qeveria e ardhshme?

Ramush Haradinaj: Unë kam diçka konkrete, por nuk e kam ende për ta lajmëruar për opinion. Por, ajo që mund t'i siguroj qytetarët e vendit është se në një afat të shkurtër kohor pas nominimit zyrtar, pas certifikimit të rezultateve, mendoj në më pak se një javë, do të formojmë qeverinë e vendit.

Të martën, ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u deklarua se ai do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme. Si e shihni ju pretendimin e Albin Kurtit?

Ramush Haradinaj: Nuk e marrë në shqyrtim atë që ai e thotë. Proceset janë të qarta. Dihet se si rrjedh procedura. Ne e kemi bërë një përvojë nga e kaluara. Pra, nuk kemi mundësi që të krijojmë improvizime që bllokojnë e as improvizime që e vonojnë Kosovën. Nuk do të bëjmë më improvizime, jemi serioz në punë. Pra, mandatin që na është dhënë nga qytetari, do ta zbatojmë.

Pra ju nuk parashikoni ndonjë afat të gjatë kohor për formimin e Qeverisë?

Ramush Haradinaj: Jo, nuk do t’i humbin kohë vendit. Pra, në afatin më të shkurtër kohor do të veprojmë me Qeverinë.

Përafërsisht kur i bie?

Ramush Haradinaj: Një javë nga certifikimi, por certifikimi final e bën KQZ-ja. Në momentin kur ata kryejnë punë, ne brenda javës do të jemi të gatshëm./REL