Një libër që e bënë dëshmi martirizimin e Kosovës

Një libër që e bënë dëshmi martirizimin e Kosovës

(Recension për monografinë e Fetnete Ramosajt “Kundër harresës - gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, botoi Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, Prishtinë, 2017)

Arben Veselaj

Libri i Fetnete Ramosjat “Kundër harresës - gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999” është botuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, aty ku autorja që prej disa vitesh punon si hulumtuese. Ky libër synon të sjellë argumente të pathëna më parë rreth krimit masiv dhe sistematik që ka kryer shteti serb mbi shqiptarët e Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Ndryshe, Fetnete Ramosaj ka botuar edhe disa libra të tjerë të kësaj natyre, në gjuhën shqipe dhe angleze, si: “Krimet serbe në Kosovë - pa apologji - Me fakte kundër shpifjeve” etj. Emri i Fetnete Ramosajt sot paraqet njërin prej atyre emrave të paktë në publicistikën shqiptare, të cilët me librat dhe shkrimet hulumtuese kontribuuan sadopak për zbardhjen e të vërtetës dhe dokumentimin e luftës së Kosovës.

 

Në kohën kur lufta e Kosovës gjithnjë e më shumë po harrohet dhe disi po anatemohet nën margjinat e realitetit absurd politik, me përpjekje të pareshtura për kinse njëfarë pajtimi shqiptaro - serb; me bisedime teknike e marrëveshjesh që thërrasin për shpëlarje të kujtesës historike, Fetnete Ramosaj solli në ndërmendjen shqiptare një dokument unik - publicistik dhe historik, që lufton harresën për krimet serbe të kryera mbi shqiptarët. Monografia e Ramosajt me nëntitullin shpjegues Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999, është një vështrim i veçantë i cili në fakt paraqet një bazë të të dhënash (Database) me më se 500 fotografi e faksimilesh dokumentare që bëjnë dëshmi për terrorin, vrasjet masive dhe masakrat që Serbia i kreu gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.

Kujtesa jonë historike gjithmonë ka vuajtur nga mungesa e dokumenteve. Tragjeditë tona kombëtare gati asnjëherë s’i njohu bota në përmasën e tyre reale. Këto tragjedi, për fatin tonë të keq, shpesh u shënjuan si gjysmë të vërteta. Por këtij fakti tani synon t’i kundërvihet libri i Fetnete Ramosajt. Të vërtetës së hidhur dhe fatkeqe për luftën e Kosovës ky libër i bënë dëshmi të fuqishme dhe ia hedh dritën e madhe historike me gjuhën dokumentare.

Ramosaj me këtë libër solli një katalog të dhembjes shqiptare. Faqet e librit të saj janë dëshmi për Ferrin shqiptar në nëntë rrathët e tij. Aty kanë ngrirë buzëqeshjet e fëmijëve të vegjël vrarë dhe prerë nga sëpatat serbe; përgjërimet dhe kujet e nuseve të dhunuara; shamijat dhe plisat e përgjakur të nënave e baballarëve të Kosovës që u prenë e u masakruan nga barbaria serbe.

Libri i Fetnete Ramosajt vjen në forumet akademike dhe të drejtësisë pikërisht në kohën kur ndaj pozitës martirizuese të Kosovës ka një keqkuptim të madh. Janë të shumta qarqet politike dhe të drejtësisë në Evropë të cilat ende nuk janë të sensibilizuara sa duhet për të vërtetën e luftës së Kosovës më 1998-1999. Dhe kjo krejt si pasojë e dështimit të shqiptarëve për t’i faktuar, dokumentuar dhe denoncuar krimet serbe.

Ka qenë zëri i vetmuar i Ismail Kadaresë për disa vite me radhë ai i cili është munduar t’u kundërvihet këtyre keqkuptimeve. Pastaj, pak më vonë këtë e vazhdoi publicisti dhe veprimtari politik, Bardhyl Mahmuti me librin e tij “Mashtrimi i madh” që bëri jehonë në shumë qendra politike të vendeve evropiane.

Por a mjaftoi vetëm kjo? Sigurisht se jo!

Edhe pse libri i Fetnete Ramosajt synon këtë objektiv dhe në fakt këtë mision ka, më shumë se sa në forumet shqiptare do të duhej të promovohej e të shpërndahej nëpër kryeqendrat evropiane, atje ku e vërteta për luftën Kosovës vazhdon të mbetet një keqkuptim i madh. Qeveria e Kosovës do të duhej që librin e Ramosajt ta afishojë si një dokument politik për të gjitha zyrat diplomatike të vendeve evropiane, e sidomos për Zyrën Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, e cila sot po i bënë favore Serbisë gjenocidale për t’u anëtarësuar në BE, ende pa kërkuar falje për krimet dhe pa i paguar dëmet e luftës në Kosovë.

Libri “Kundër harresës-gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, i Fetnete Ramosajt, në analet e historiografisë dhe drejtësisë moderne shqiptare, pa dyshim se do të mbetet një nga dokumentet me rëndësi të veçantë që bënë dëshmi martirizimin e Kosovës dhe luftën e saj për liri.