As këtë vit nuk përfundon ndërtimi i urës në Pestovë të Vushtrrisë

As këtë vit nuk përfundon ndërtimi i urës në Pestovë të Vushtrrisë

Ura mbi lumin Sitnicë në fshatin Pestovë, e cila lidhë mbi 23 fshatra të Vushtrrisë me magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, është afër shkatërrimit. E ndërtimi i urës së re ndonëse ka filluar nuk pritet të përfundojë as edhe këtë vit.

Ura aktuale e ndërtuar vetëm nga druri është dëmtuar në masë të madhe, e qytetarët fajtorë për dëmtimin e urës i bëjnë personat që kalojnë në këtë urë me mjete të rënda.

Aziz Sahihu, banor i fshatit Druar, thotë se deri tek shkatërrimi i urës ka ardhur si pasojë e shfrytëzimit edhe nga automjetet me pesha të rënda.

“Gjendja e rrugës është e rrezikshme dhe e rëndë, është shkatërruar goxha moti, është nga druri ngarkim ka tej mase, kanë qenë tabelat këtu mirëpo edhe ato nuk respektohen. Hypin me kamionë të mëdhenj, për shkak që ura të tjera nuk ka dhe kalojnë me mjete të mëdha, me kamionë, me autobusë. Siç po shihet është shumë e rrezikshme”, tha ai.

Kurse, Daut Zenuni, tha se veturat e vogla është më lehtë të kalojnë, por që rrezik përbëjnë automjetet me peshë të madhe.

“Rrezik është me kalua në peshë të madhe, me kalua këto kerre të vogla është pak më lehtë, ndoshta janë duke e rregulluar. Këto i kanë qitë këtu me thanë nja dy tre muaj ditë, por pse nuk po ndërtohet nuk e di”, tha ai.

Ndërsa, banori tjetër, Isuf Rama, tha se rrezik është kur të rritet niveli i ujit, pasi që ura është e ndërtuar vetëm nga druri. E mos përfundimin e ndërtimit të urës ai thotë se po e bëjnë për vota.

“Rrezik është, masë shumti është rrezik kur të rritet uji, uji rritet krejt këtej. Edhe vjet e kanë nisë e kanë lanë në gjysmë, krejt është puna tek vota”, tha ai.

Ndërsa, Hamdi Selani, këtë urë e quan si të shenjtë dhe se është shumë e rrezikshme pasi mund të shembet.

“Kjo urë është ura e shenjtë, kurrqysh s’ka kush punon për këtë me ndreqë, as nuk ka në komunë as nuk ka kurrkund. Po qysh nuk është e rrezikshme, për të gjithë është e rrezikshme, për gjithkënd është e rrezikshme”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Vushtrrisë, Sami Istrefi, tha se ndërtimi i kësaj ure pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Sipas tij, ndërtimi i urës ka filluar në qershor të vitit të kaluar, por që me buxhet është planifikuar të zgjasë dy vite.

“Ne në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës tani ura e cila është duke u ndërtuar në Pestovë do të zgjatë edhe këtë vit dhe presim që brenda këtij viti, gjegjësisht vitin e ardhshëm do të përfundoj kjo urë duke e pas parasysh investimin, koston financiare që e ka. Prandaj, në mungesë të mjeteve dhe planifikimit që është bërë me kohë, për dy vitet e ardhshme, prandaj ka mbetur që të mos përfundoj ashtu siç ka mundur të mendoj dikush që mund të përfundoj brenda viti. Por kjo rrugë është planifikuar me buxhet që të zgjasë dy vite dhe për atë brenda këtij viti presim që kjo urë do të përfundoj”, tha ai.

Ai tha për KosovaPress se duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën ka qenë më herët është e pamundur që ndërtimi i urës së re të përfundoj këtë vit.

“Duke e pasur parasysh interesin e madh që e kanë të gjithë fshatrat e Qyqavicës, mbi 23 fshatra që e lidhin pjesën kryesore me Prishtinën, prandaj duke e pasur parasysh gjendjen më herët që ka qenë dhe ndërtimi i ri që po bëhet është e pamundshme që të mund të rregullohet këtë vit”, tha ai.

Ura e vendosur në fshatin Pestovë shërben si lidhëse e mbi 23 fshatrave të komunën se Vushtrrisë me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.