Trepça’89 përball Vikingur në Ligën e Kampionëve

Trepça’89 përball Vikingur në Ligën e Kampionëve

Skuadra kampione e Kosovës në futboll, Trepça’89 ka mësuar sot kundërshtarin në debutimin e saj në paraeliminatoret e Ligës së Kampionëve.

Shorti i hedhur në mesditë në selinë e UEFA-s në Nion ka vendosur skuadrën mitrovicase përballë skuadrës nga Ishujt Faroe, Vikingur, e cila nuk ka ndonjë traditë, pasi është themeluar vetëm në vitin 2008. Ndeshjen e parë mitrovicasit do ta luajnë si mysafirë, më 27 ose 28 qershor, derisa atë të kthimit më 4 ose 5 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ndërkohë, në rast se e kalon këtë kundërshtar, atëherë në rrethin e dytë kampioni i Kosovës do të ballafaqohet me skuadrën islandeze, Hafnarfjordur. Pa dyshim ky short mund të vlerësohet me fat për Trepçën’89, pasi në rrethin e dytë iu shmang kundërshtarëve gjigant si Celtic. Problem për skuadrën mitrovicase mund të vlerërsohet udhëtimi i gjatë që duhet ta bëjë në këto vende. 
Në anën tjetër, kampioni i Shqipërisë, Kukësi në rrethin e dytë paraeliminator do të ballafaqohet me skuadrën moldave, Sheriff. Ndeshjen e parë do ta luajë si mysafir, kurse atë të kthimit në Shqipëri.