Të kalosh në rrugën e tmerrit

Të kalosh në rrugën e tmerrit

Do të ishte mëse e kuptueshme nëse nuk do të udhëtonit në rrugën Wakehurst Parway të Sidneit, e njohur për ndodhitë e pashpjegueshme të mbinatyrshme.

Kjo rrugë me kthesa që shtrihet në rrethinat veriore të qytetit, gjatë natës është tërësisht e pa ndriçuar, duke e bërë të famshme për aksidentet e shumta fatale. Ajo shtrihet përgjatë Deep Creek Reserve, një vend i ku kanë ndodhur vrasje të tmerrshme, si ajo e Stephen Dempsey, i cili u qëllua për vdekje në 1994 -ën nga një vrasës, i cili më pas copëtoi trupin e tij dhe e ruajti në frigorifer.

Siç shkruan e përditshmja DailyMail, në këtë rrugë ka patur raportime për këmbësorë që kalonin rrugën në 3 të mëngjesit, pëshpërima njerëzish, makina që fiken papritur dhe dyer makinash që mbyllen vetë.

Por aspekti më i frikshëm i kësaj rruge është prezenca e përfolur nga shumë e një murgeshe dhe një gruaje me të bardha të quajtur “Kelly”, që shfaqet në ndenjësen e pasme të makinave.

 

Një grua, e cila merret me ngjarje të mbinatyrshme, pretendon se është përballur me Kelly-n në disa raste, teksa udhëtonte në Wakehurst Parkway natën dhe dyshon se ajo përndjek udhëtarët, pasi ka vuajtur një të shkuar tragjike. “Herën e parë që udhëtoja në këtë rrugë, ishte rreth 6 vite më parë. Ishte ora 2 e natës dhe kisha ndjesinë që dikush po më prekte në pjesën e qafës. Ishte si një dorë e ftohtë. Ajo është si një hije e bardhë e një vajze që qëndron në pjesën e pasme të makinës”, rrëfen Mary Loughland.

“Vendet më të përndjekura janë ato ku ka ndodhur një tragjedi. Ndjej se Kelly ose ndihet e humbur, ose ka një mesazh. Ajo nuk është një prezencë e ligë, por një shpirt që ka patur trauma“, shprehet ajo.

Samantha Fisher, 22 – vjeç duke folur për një gazetë australiane tha se nëna e saj i ishte shfaqur në makinë, teksa udhëtonte në këtë rrugë, në 1998 -ën.

Ndërsa Bianca Biasi, e cila po prodhon një dokumentar mbi këtë vend, tha se aktorët nisën të kishin sjellje të çuditshme pasi kishin vizituar vendin ku u gjet trupi i Stephen Dempsey -t.